E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vrasja nga ushtari, "Toska" kundër "Majkos"

11/05/2005  Policia: Ushtari u grind më parë me viktimën, nuk kanë qenë duke vjedhur hekur

TIRANË- Policia e kryeqytetit pranon zyrtarisht se ushtari Naim Avdia e ka vrarë Afrim Velisulën për motive të dobëta, ndryshe nga ç’u tha dy ditë më parë, ku pretendohej se të miturit po vidhnin hekur. Në një njoftim për shtyp, zëdhënësja e Policisë së Tiranës bën të ditur se, "Komisariati numër 3 ka arrestuar në flagrancë shtetasin Naim Avdiu, 20 vjeç, lindur e banues në Golem, Kavajë, i padënuar. Ky shtetas, në afërsi me rrethimin e Repartit Ushtarak nr.1302, gjatë kohës së shërbimit ka vrarë me armë zjarri për motive të dobëta Afrim Velisulën, 17 vjeç, lindur në Burrel e banues në Tiranë, si dhe ka tentuar të vrasë Dashamir Gjonin. Në cilësinë e provës iu bllokua arma e krimit dhe 24 gëzhoja". Në këtë mënyrë, Policia e Shtetit hedh poshtë versionin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Ngjarja

Në orën 11.00 të dy ditëve më parë, katër fëmijë që luanin te fusha jashtë rrjetës së Repartit të Xhenios, te Bregu i Lumit, janë gjendur nën breshërinë e automatikut. I vdekur në vend mbeti 17-vjeçari Afrim Velisula dhe u plagos lehtë shoku i tij, Dashamir Gjoni, 17 vjeç. Një nga të miturit, me mbiemrin Dema, i mbetur gjallë nga kjo marrëzi e një ushtari të rekrutuar prej dy javësh nga Garda e Republikës, ka disa vrima plumbi në tuta, ndërsa Jetmiri, 13 vjeç, vëllai i vetëm i kufomës, tregon për gazetën "Metropol" se dëgjonte zhurma plumbash që i kalonin nga faqet e nga trupi. Ushtari i këtij reparti, Naim Avdiu, 20 vjeç, nga Kavaja, përveç katër karikatorëve me plumba që derdhi mbi trupat e vocërrakëve, u kërkoi oficerëve dhe ushtarëve municion rezervë për t’i shuar të gjithë nga faqja e dheut. Tragjedia mbaroi vetëm kur nga tyta e kallashnikovit doli flakë. Oficerët u mblodhën përqark rrëkeve të gjakut dhe transportuan me urgjencë të plagosurit; njëri ka tri plumba në trup, një në gisht, në këmbë e pjesën e pasme të legenit, në kurriz.

Versionet

Tragjedia ka versione të ndryshme. Më e shpejta në dhënien e informacionit u tregua Ministria e Mbrojtjes. Sipas saj, ushtari i paralajmëroi e më pas shtiu në drejtim të tyre. Policia nga ana e saj ka prangosur ushtarin dhe e mori në pyetje. Në deklaratën e tij, sipas burimeve policore thuhej: "Më kanë shqetësuar edhe herë të tjera. I kam paralajmëruar disa herë. Pas plumbave të parë nuk mund të logjikoja më tej". Burimet policore thanë atë ditë se, adoleshentët ishin duke vjedhur hekurin e repartit të ushtrisë. Së fundmi, vjen fjala e dëshmitarit në vendngjarje, Jetmirit, vëllait të vetëm të viktimës. Sipas tij, ata ishin 4 fëmijë dhe luanin te fusha. Ushtari i kishte parë me inat dhe u tha: "Ikni luani më andej". Sipas Jetmirit, ishte pikërisht Afrimi (viktima) ai që shau me fjalë ushtarin, e mandej rekruti u zbrazi pa paralajmërim katër karikatorët.

Avdiu pranon vrasjen, pretendon se qëlloi brenda repartit

TIRANË- Ushtari i Batalionit të Xhenios së Ushtrisë në Babrru, Naim Avdiu, e ka pranuar akuzën e vrasjes së 17-vjeçarit Afrim Velisula dhe plagosjes së 17-vjeçarit Dashamir Gjoni. Por, ai ka pretenduar se e ka vrarë për shkak të pozicionit të tij në ruajtjen e territorit të batalionit. Lajmi është bërë i ditur dje nga burime zyrtare pranë Prokurorisë së Tiranës, të cilat sqaruan se kavajasi e ka pranuar akuzën gjatë marrjes në pyetje. Por, versioni i tij ka qenë i ndryshëm nga ajo e të plagosurit 17-vjeçar Dashamir Gjoni. Burimet e Prokurorisë sqaruan se, Avdia ka pretenduar t’i kishte qëlluar të miturit brenda territorit të repartit. Gjithashtu, ai ka ngulmuar në versionin e tij, se i kishte paralajmëruar që do t’i qëllonte dhe të dilnin nga reparti. Por, pasi ata nuk i ishin bindur urdhrit për të disatën herë dhe e kishin ofenduar, kishte qëlluar ndaj tyre. Këto kanë qenë pretendimet e ushtarit kavajas, Naim Avdiu, i cili nuk e ka pranuar dëshminë e të plagosurit dhe vëllait të viktimës, që pohuan se ishin qëlluar jashtë rrethimit. Burimet e Prokurorisë pohojnë se, i plagosuri dhe vëllai i mitur i viktimës, do të ripyeten sërish. Gjithashtu do të merren në pyetje edhe të tjerë persona që kanë qenë në vendngjarje. Tjetër fakt që do të provojë nëse fëmijët kanë qenë brenda apo jashtë rrethimit të repartit, është edhe rezultati i ekspertimit të vendit të ngjarjes, shpjegojnë burimet. Ato shtojnë se do të vlerësohet destinacioni i plumbave të shumtë që qëlloi Avdia, në bazë të mbërritjes së predhave.

Ministria e Mbrojtjes: Ushtari qëlloi për ruajtjen e objektit

TIRANË- "Ushtari i është përmbajtur rregullores. Ai ka qëlluar vetëm në momentin kur ka parë se është cënuar seriozisht objekti që kishte në ruajtje. Kjo ka qenë me pak fjalë deklarata e Ministrisë së Mbrojtjes në lidhje me këtë ngjarje të shëmtuar. Ngurtësia me të cilën është përcjellë ky informacion duket qartë, edhe shjegimet që na japin ushtarët në postbllokun e Repartit të Xhenios. Të pyetur nga gazeta vetëm për të saktësuar vendin se ku ndodhi ngjarja, ushtarët përgjigjen: "Na kanë dhënë urdhër nga lart që të mos flasim asnjë fjalë për gazetarët". Tashmë, Ministria e Mbrojtjes ka dhënë versionin e saj dhe të gjithë informacionin që ka grumbulluar nga oficerët që kanë në ngarkim këtë komandë, e kanë servirur pranë organeve përkatëse të Komisariatit numër 3 dhe Prokurorisë.

Babai i viktimës vjen nga Kuvajti për të varrosur të birin

TIRANË- Mesditën e djeshme u zhvillua ceremonia mortore, ku Afrim Velisula u përcoll për në banesën e fundit, mes dhimbjes që kishte prekur të gjithë të afërmit e tij. Më tepër nga të gjithë, në këtë familje dëgjohej vajtimi i Fatbardhës, nënës së tij. Ajo ishte e detyruar dy ditë më parë ta ndante këtë dhimbje pa njërën nga vajzat e saj, e cila është e martuar në Kuvajt. Bashkëshorti i saj, Jonuzi, kishte 12 ditë që ishte nisur për një vizitë në Kuvajt, te vajza e tij. Familja priti deri mesditën e sotme, me qëllim që ceremonia mortore të zhvillohet pas mbërritjes së tij nga ky shtet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›