E Hënë, 2 Nëntor 2026

Përgjimet telefonike zbulojnë lidhjet e bandave të trafikut të heroinës

11/05/2005  Nga bashkërendimi i numrave celularë, rezulton se ka pasur biseda mes anëtarëve të disa organizatave

Verifikimi i përgjimeve të bisedave telefonike të anëtarëve dhe krerëve të organizatave të trafikut ndërkombëtar të heroinës nga Shqipëria drejt Italisë, kanë konkluduar në lidhje mes tyre. Kështu, nga verifikimet e kryera nga Antimafia italiane dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, janë konstatuar thirrje telefonike mes anëtarëve të një bande me ata të grupeve të tjera, të shkatërruar muajin e fundit në Itali. Nisur nga këto kontakte telefonike, dyshohet se këto grupe kriminale në kohë e vende të ndryshme kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin në trafikun ndërkombëtar të heroinës.

Lidhjet

Ka qenë bashkërendimi i gjithë përgjimeve telefonike të kryera ndaj organizatave të trafikut të heroinës, të shkatërruara muajin e fundit në Itali, që ka hedhur dyshimet për një bashkëpunim të mundshëm mes disa prej tyre. Lajmi është bërë dje i ditur për gazetën “Metropol” nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat sqaruan se hetimi është ende në fazën e identifikimit të bashkëpunëtorëve të të arrestuarve që kanë vepruar në Shqipëri. Sipas burimeve, nga verifikimi i të gjithë përgjimeve të bisedave telefonike, është vënë re se në raste të veçanta ka pasur thirrje celulare mes anëtarëve të bandave të ndryshme. Ky fakt ka ngritur dyshimet se ata mund të kenë bashkëpunuar në kohë të ndryshme në trafikun e heroinës, duke i favorizuar njëri-tjetrit mundësi. Burimet pohojnë se dyshohet që krerët e këtyre rrjeteve të trafikut të drogës kanë komunikuar me njëri-tjetrin. Por mbeten ende enigmë identitetet e vërteta të disa personave që kanë vepruar në Shqipëri, të cilët dyshohen të jenë edhe organizatorët, sqarojnë burimet.

Hetimi

Tashmë, Prokuroria shqiptare ka në dorë të gjitha dosjet hetimore në ngarkim të pesë bandave të goditura kohët e fundit në jug e veri të Italisë. Nga burimet e akuzës, mësohet se janë vënë në dispozicion të gjitha përgjimet e bisedave telefonike të kryera gjatë trafikimit të ngarkesave të heroinës. Këto përgjime kanë korresponduar edhe me kapjen e sasive të ndryshme që ishin trafikuar prej Shqipërisë, pohojnë burimet. Ndërsa po verifikohen lidhjet e të arrestuarve në Shqipëri, ku dyshohet se qëndrojnë organizatorët e këtyre rrjeteve. Burimet pohojnë se po verifikohen të gjithë numrat celularë të përgjuar, të cilët mbeten pa identitetet e poseiduesve. Pikërisht këta persona ende enigmë, dyshohet të jenë organizatorët e trafikut, pohojnë burimet. Gjatë tre muajve të fundit, policia italiane ka kryer gjashtë operacione antidrogë, ku janë shkatërruar grupe, të cilat kishin në përbërje shqiptarë.

Operacionet

Operacioni “Actros” vuri në pranga 24 korrierë dhe 10 shqiptarë, së fundmi. Ndërsa për nëntë muaj u sekuestruan 150 kilogramë heroinë dhe anija “Plava”. Dy ditë më vonë, Prokuroria e Leçes urdhëroi arrestimin e 17 personave të akuzuar si pjesëtarë të organizatës mafioze “MAROBITO’, ku ndër ta, tre shqiptarë nga qyteti i Vlorës.

Operacioni i radhës u përqëndrua në Torino, ku u arrestuan 34 persona, ndër ta edhe shqiptarë dhe u sekuestruan 116 kilogramë heroinë. Një tjetër operacion antidrogë u përfshi në Milano, ku droga vinte nga Holanda dhe që u pasua nga ai i koduar me emrin “Peqini”, që përfundoi me arrestimin e 13 shqiptarëve, sekuestrimin e 115 kilogramëve heroinë dhe një laboratori të përpunimit të drogës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›