E Hënë, 2 Nëntor 2026

Policia shoqëron tetë indianë

10/05/2005  Dyshoheshin si klandestinë, nga kontrolli rezultoi se ishin të pajisur me dokumente të rregullta

TIRANË- Tetë indianë, të dyshuar si clandestine, janë shoqëruar mesditën e djeshme në Komisariatin numër 1 të kryeqytetit. Burime pranë këtij komisariati thanë dje për gazetën "Metropol" se, uniformat blu të këtij komisariati kanë mundur të venë në pranga 8 shtetas me kombësi indiane, të cilët u gjetën para një hoteli te "Rruga e Elbasanit", pas disa informacioneve paraprake që kishin mbërritur për trafik klandestinësh. Indianët ishin të moshave të ndryshme dhe fillimisht u kontrolluan dokumentet që ata dispononin. Më pas të gjithë indianët u dërguan në qelitë e paraburgimit të këtij komisariati, ku u morën në pyetje rreth kohës në të cilën kishin mbërritur në Tiranë, llojit të punës që ushtronin në kryeqytet, duke qenë se ata pretendonin se ishin të punësuar dhe njohurive të gjuhës shqipe. Pas mbarimit të këtyre procedurave, kjo çështje i ka kaluar zyrës së Antitrafiqeve në Policinë e Tiranës. Në fakt, burimet zyrtare të Komisariatit numër 1 u shprehën për gazetën se, ende nuk kishin marrë informacione rreth kësaj çështjeje, e në të kundërt burimet zyrtare të Antitrafiqeve e pohojnë shoqërimin e tyre dhe shtojnë se, "indianët ishin të pajisur me dokumente të rregullta". Sipas burimeve policore, mësohet se në të ardhmen do të vendoset riatdhesimi i tyre në Indi, ose mbajtja e tyre në vendin tonë. Tashmë, ata ndodhen në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Dyshimi

Grumbullimi i personave me kombësi të huaj dhe specifikisht, kinezët, indianët apo individëve të ardhur nga Lindja, gjithnjë ka sjellë te Policia e Shtetit pista të mundshme të organizimit të një trafiku klandestinësh. Pra, edhe në këtë rast, policia dyshon se tetë indianët janë klandestinë dhe se bëhet fjalë për një rrjet të trafikut të klandestinëve nga Lindja në Perëndim, dhe si vend tranzit është dhe Shqipëria. Gjithnjë këto mbeten në kuadrin e dyshimeve, pasi nga verifikimet e para të dokumentacioneve përkatëse, indianët kanë qenë në rregull me ligjet e vendit tonë. Tashmë dyshimi i vetëm i ekspertëve shqiptarë mbetet organizimi i një linje trafiku, në bashkëpunim edhe me rrjetet e shqiptarëve, tashmë të specializuara prej 15 vitesh. Nga verifikimet e punonjësve të Luftës Kundër Trafiqeve në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, do të pasohet edhe fati i indianëve të shoqëruar dhe do të zbardhen të gjitha dyshimet që ekzistojnë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›