E Diel, 1 Nëntor 2026

Letërsia mbetet një botë e pavarur. Prej kësaj gjysëmherezie pasurohet gjithnjë e më shumë bota jonë reale

Ceremoni madhështore në Oviedo të Spanjës për dhënien e çmimit “Princi i Asturias”, shkrimtarit Ismail Kadare


Fjala e plotë nga Ismail Kadare në ceremoninë e mbajtur dje në Oviedo  


Është një kënaqësi e veçantë për mua të jem këtu sot dhe të flas në këtë sallë. Kënaqësia është e dyfishtë ngaqë kjo po ndodh për shkak të letërsisë, univers të cilit unë i përkas. Kanë ekzistuar dhe vazhdojnë të ekzistojnë ende dy ide radikalisht të ndryshme për letërsinë. Njëra, më e vjetër e disi naive, besonte se letërsia, ashtu si artet e tjera, ishte i aftë të prodhonte mrekullitë e botës, kurse ideja tjetër, më moderne, edhe ajo disi naive, që thotë se letërsia nuk i shërben për gjë zhvillimit të njerëzimit. Tek të dyja këto ide, e vërteta dhe jo e vërteta kryqëzohen diku në mes, megjithatë, si një njeri i artit që jam, unë jam i prirur të besoj tek mrekullitë që sjell letërsia. Ekziston një model për këtë paradigmë: Miti i Orfeut. Ai është konsideruar, me të drejtë, si miti me më shumë misteriozitet i njerëzimit. Thelbi i tij është i lidhur me kompetencat e artit. Orfeu triumfoi me gjërat e tij të pabesueshme, edhe pse ato s’i mjaftuan për të kapërcyer muret e vdekjes, paçka se ai iu afrua më shumë se çdokujt tjetër këtij synimi. Iu referova këtij miti të famshëm për të mbërritur tek një tjetër mrekulli, shumë më e zakonshme në pamje, paçka se ka të njëjtën natyrë. Njëzet vjet më parë, në vendin tim komunist, në qoftë se dikush do kishte sugjeruar mundësinë që dikush, një ditë - një shkrimtar shqiptar - do të merrte një çmim në Spanjë, të akorduar nga Princi i Kurorës, do ta cilësonin menjëherë të çmendur, do ta lidhnin me zinxhirë dhe do ta dërgonin në çmendinë. Dhe kjo do të kishte qenë alternativa më pak e keqe. Sepse kishte edhe një version të dytë, që dikush do të përfundonte në gjykatë dhe do të torturohej si një komplotist i rrezikshëm. Ndoshta ju mund t’ju duket pak i dramatizuar ky përshkrim, por po e shpjegoj. Shqipëria, vendi im dhe Spanja juaj, me përjashtim të një miqësie të shkurtër në shekullin e pesëmbëdhjetë, nuk patën asnjë lidhje. Por këputja e plotë e tyre ndodhi shekullin e kaluar, kur vendi im komunist, i shquar për shkëputjen e marrëdhënieve (që në njëfarë mënyre ishte edhe specialiteti i tij), i preu të gjitha lidhjet me Spanjën. Por si çdo gjë në këtë botë, edhe mrekullitë e letërsisë kanë traditën e tyre. Në kohën kur po flisnim për marrëdhëniet e akullta mes nesh e kur nga Spanja nuk na vizitonte askush, një kalorës i vetëm, duke injoruar ligjet e botës, e kalonte gjithmonë e më shpesh kufirin që dukej si i pakapërcyeshëm. Të gjithë e marrin me mend se e kam fjalën për Don Kishotin. Kjo qe e vetmja gjë që regjimi komunist s’mundi ta ndalte. Don Kishoti, qoftë si një libër, qoftë si një karakter i vërtetë, u bë kaq popullor në Shqipëri, a thua se ai qe shkruar aty. Disa gjetën shpjegimin e mëposhtëm për këtë paradoks: Don Kishoti ishte i çmendur, po aq i çmendur sa edhe shteti shqiptar, kështu që mund të imagjinohet se dy të lënë nga trutë mund të merren vesh me njëri-tjetrin. Duke kërkuar paraprakisht ndjesë për krahasimin e disponimit fisnik të Don Kishotit me mbrapshtinë e çmendur të shtetit tim, më lejoni të kujtoj se ky paralelizëm është i lidhur në fakt me një tjetër fenomen. E bëra këtë hyrje të gjatë për t’u ndalur tek tema kryesore e fjalës sime të shkurtër, tek pavarësia e letërsisë. Don Kishoti e kapërcente sa herë dëshironte kufirin shqiptar, ndër të tjera, për shkak se ai vend ishte i pavarur. Dhe kur një shkrimtar shqiptar, për një vepër të shkruar kryesisht në një territor dhe nën një kohë komuniste, vjen për të marrë një çmim të dhënë nga një mbretëri perëndimore, kjo ndodh për shkak se letërsia, për nga natyra e vet, është e pavarur. Debati mbetet i vjetër. Kjo ishte dhe ndoshta ende mbetet shqetësimi kryesor i artit. Përkundrejt pavarësisë së shteteve, letërsia mbetet globale, prandaj edhe mbrojtja e saj është globale. Por ky fakt nuk e bën më të lehtë sfidën, përkundrazi. Pavarësia e letërsisë dhe e arteve është një proces në zhvillim. Është e vështirë për mendjen tonë të kuptojmë përmasat e vërteta të këtij procesi. Të mësuar me pavarësimin që u referohen kryesisht shteteve, kombeve, bile edhe individëve, po hasim në vështirësi për t’i shkuar më tej sfidës. Dhe të shkuarit më larg do të thotë të kuptosh se pavarësia e artit nuk është luks apo një dëshirë për ta përsosur artin vetë. Mbetet një parakusht objektiv, konsistent. Përndryshe, ky univers paralel nuk do qendronte dot në këmbë e prej kohësh do ish shembur. Koncepti, siç thashë, është i vjetër. Gjithashtu është i njohur edhe termi i lashtë "republika e letrave". Tendenca për ta parë letërsinë si një botë shpirtërore, por gjithashtu me atributet e veta materiale: hapësirën, kohën a lëvizjen, është një qasje e mirënjohur, por kaq nuk mjafton. Ne e kemi pranuar atë si një pikë referimi, si një botë paralele, por kur vjen koha për të konceptuar një pamje të plotë të saj, mendjet tona të ngushta e konformiste e kanë të vështirë të pranojnë ekzistencën e këtyre paralelizmave, bile të këtyre realiteteve të ndryshme e të pavarura. Themi “të pavarur” dhe menjëherë instinkti ynë i vjetër na drejton për kah e kundërta. Ne jemi në gjendje të imagjinojmë se nëse arti nuk varet nga shtetet, doktrinat, modat e mënyrat e jetesës, gjithsesi kanë marrëdhënie varësie me to. Të mendojmë pastaj për botën tonë të vërtetë, me fjalë të tjera për vetë jetën tonë. Ideja se letërsia varet nga jeta është pothuajse një ide e pranuar në nivel planetar. Dhe tani po shtroj një pyetje që është gjithashtu planetare, paçka se ngjan heretike: A është kjo e vërtetë? Përgjigjja, tani për tani, mbetet e dyzuar mes dy kahjeve: duhet detyrimisht të jenë dy mënyra: s’mund të mos pranojmë se arti ka lidhje me jetën, paçka se vetëm pjesërisht. Më lejoni, në fund të fjalës time, të shpjegoj shkurtimisht këtë gjysmëherezinë time. Pasi kemi pranuar se letërsia dhe artet janë referenca të një bote paralele, kemi pranuar gjithashtu se ato janë referenca edhe të një bote rivale. Dhe kështu, meqë rivaliteti në mënyrë rutinore të çon në konflikt, ne jemi të detyruat të pranojmë, dashurpadashur, se midis këtyre dy botëve, midis jetës edhe artit, ka konflikt. Dhe konflikti ekziston. Nganjëherë i deklaruar e nganjëherë i fshehur. Dhe bota reale ka armët e veta kundër botës së artit në këtë ballafaqim: censurën, doktrinën, burgun. Por edhe arti ka mjetet e veta, anët e tij të forta, të cilat janë kryesisht të fshehtë. Por bota reale nganjëherë provon të jetë e pamëshirshme. Një poet gjerman i imagjinonte tercinat e Dante Alighierit, ndonjëherë si pika kërcënuese e herë të tjera si instrumente të tjera torture për ndërgjegjet e tronditura nga krimi. Por, lufta mes këtyre dy botëve është më e komplikuar sesa duket. Poeti gjerman këmbëngul se disa veta janë lodhur me armiqësitë e artit dhe disa të tjerë me dashurinë e tij. Paradoksalisht, mjaft prej nesh zbulojnë se janë tëhuajësuar me artin, bash atëhere kur besonin se e dashuronin atë. Siç shihet, pavarësimi i letërsisë dhe i artit bëhet gjithnjë e më i vështirë. Megjithatë, ne shkrimtarët jemi të bindur se arti nuk do ta ngrejë flamurin e dorëzimit. Qëkur po përmend këtë fjalë të ashpër, mendoj se duhet t’i kthehemi sërish vizionit të dy botëve që gjenden ballëpërballë në pritje të një fitoreje: botës reale si dhe botës së artit. Sigurisht, ka shumë dallime mes tyre, por njëri prej tyre qendron kolosal mbi gjithë të tjerët. Ndërsa në konfliktin e vet me artin, bota e vërtetë arrin në një tërbim të tillë që t’i turret botës rivale për ta shkatërruar krejt, përkundrazi, bota e artit në asnjë rast - e përsëris - në asnjë rast, nuk e ka sulmuar botën reale me qëllimin për ta dëmtuar, por veç me synimin për ta bërë atë më të bukur e më të përshtatshme. Ky është një dallim thelbësor mes dy botëve. Dhe në këtë rast ky ndryshim nuk bën gjë tjetër veçse konfirmon pavarësinë e vërtetë dhe sublime të artit. Falemindert!”

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›