“Pas suksesit me NATO-n, ju pret një sfidë tjetër, integrimi në BE”
Rikonfirmimi në qeveri, Kryeministri Berisha merr mesazh urimi nga Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico
Kryeministri Sali Berisha ka marrë dje një mesazh urimi nga homologu i tij sllovak, Robert Fico, me rastin e riemërimit të tij në postin e Kreut të qeverisë të Republikës së Shqipërisë. Në urimin e tij, kryeministri i Sllovakisë vlerëson angazhimin e kryeministrit Berisha në kuadër të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Fico garanton mbështetjen e vendit të tij në proceset integruese të Shqipërisë, ndërsa thekson se pjesë e axhendës së bashkëpunimit do jenë dhe zhvillimi i marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Më lejoni t’Ju dërgoj urimet e mia të përzemërta për riemërimin Tuaj në postin e Kryetarit të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë. Republika e Sllovakisë gjithmonë ka mbështetur përpjekjet e Shqipërisë për një pozitë të qëndrueshme në bashkësi vlerash euroatlantike. Me kënaqësi dua të konstatoj, që vendimi i NATO-s për të pranuar Shqipërinë në radhët e Aleancës u bë edhe me kontributin e Republikës së Sllovakisë. Më lejoni të përfitoj nga ky rast që të inkurajoj personalisht Ju dhe kabinetin Tuaj qeveritar në ruajtjen e dinamizmit të drejtimit të vendit drejt reformave, të cilat janë parakusht për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, shpreh në mesazhin e tij të urimit, kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico.
Ai shpreh besimin ndaj kryeministrit Berisha në përmbushjen e të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga procesi i afrimit të Shqipërisë me strukturat evropiane.
“Jam thellësisht i bindur që të gjitha përpjekjet tuaja dhe përvoja e politikanit dhe zyrtarit të shtetit në këtë periudhë jashtëzakonisht të rëndësishme në miratimin e vendimit historik, fokusohen në përmbushjen e objektivave të synuar – në forcimin e stabilitetit politik dhe të sundimit të ligjit, në sigurimin e zhvillimit ekonomik dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së shtetasve të vendit Tuaj”, thuhet më tej në urimin e tij.
Kryeministri sllovak nënvizon gjithashtu se vitet në vijim do të shërbejnë edhe për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe.
“Republika e Sllovakisë ka interes të sinqertë për zhvillimin dhe thellimin e marrëdhënieve me Republikën e Shqipërisë, në nivelin dypalësh dhe gjithashtu ndërkombëtar, përfshirë edhe bashkëpunimin e ngushtë në çështjet e integrimit evropian”, përfundon urimin kryeministri sllovak, Robert Fico.