E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria do përmirësojë legjislacionin në funksion të tregut të sigurimeve

Shefi i ekzekutivit garanton kompanitë e sigurimeve për mbështetje të vazhdueshme nga ekzekutivi

Qeveria shqiptare do të mbështesë kompanitë e sigurimeve me synimin  rritjen dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj çdo qytetari. I pranishëm në punimet e konferencës rajonale të kompanisë së sigurimeve UNIQA Group Austria, që u zhvillua dje në Hotel “Sheraton” në Tiranë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të 24 shteteve dhe personalitete të rëndësishme të fushës financiare në vend dhe rajon, kryeministri Sali Berisha siguroi se “qeveria shqiptare do marrë të gjitha masat për përmirësimin e legjislacionit në funksion të tregut të sigurimeve”.
“Brenda një kohë të shkurtër, një progres real është bërë në përmirësimin e legjislacionit, por ende më shumë mbetet për të bërë. Po përmirësojmë legjislacionin, po hapim hapësira të reja dhe jemi gjithnjë e më shumë për sigurimin e jetës në disa sektorë, ku risku është i lartë si sektori i ndërtimit, transporti, minierat”, deklaroi Berisha. Ai nënvizoi se po punohet për gjetur stimuj fiskalë për ata, të cilët sigurojnë jetën apo për pensionin e tyre. Kryeministri vlerësoi se fondi privat i pensioneve, në të ardhmen e afërme, do të jetë një nga aktivitetet më të rëndësishme të kompanive në tregun e sigurimeve. Duke vënë në dukje se Shqipëria është shndërruar në një histori suksesi, Berisha cilësoi se “tregu i sigurimeve, pikë së pari, është besim dhe asgjë nuk është më i çmuar, sesa besimi”.
Kryeministri theksoi se tregu i sigurimeve u rrit me 26 për qind dhe ky është një nga treguesit më sinjifikativë në tregun e përgjithshëm.
“Kjo është rritja më e madhe, por që gjithsesi është ende larg nivelit të Bashkimit Evropian”, tha ai, duke shtuar se “dinamika e rritjes është vërtet premtuese”.
Kreu i qeverisë inkurajoi kompanitë që operojnë në tregun e sigurimeve në Shqipëri, që të kthehen në investitorë të fuqishëm në fusha të ndryshme të biznesit, duke i siguruar se përmirësimi i klimës së biznesit është një përparësi e qeverisë.
Berisha kërkoi që aktiviteti i kompanive të sigurimit të penetrojë në të gjitha fushat dhe veçanërisht në ato ku risku është i lartë, ndërsa shprehu besimin se UNICA dhe kompani të tjera të sigurimit në Shqipëri do të kthehen në investitorë të rëndësishëm në fusha të ndryshme në vend. Konferenca Rajonale e UNIQA Group Austria, pjesë e së cilës është dhe Shqipëria, është e para e këtij lloji e organizuar në vendin tonë dhe ka një rëndësi të veçantë, pasi ndër të tjera ka si synim promovimin jo vetëm të ekonomisë, por edhe të historisë, kulturës dhe trashëgimisë folklorike, përmes vizitave të pjesëmarrësve në qytetet antike dhe zonat arkeologjike.
Drejtori i Sigal UNIQA Group Albania, Avni Ponari, në fjalën e tij u shpreh se kjo kompani forcon gjithnjë e më shumë pozicionin e saj si kryesuese e tregut shqiptar të sigurimeve. Viti 2008 ishte një vit i suksesshëm për UNIQA Group Austria, pasi gjatë këtij viti u arrit një vlerë prej 5.83 miliardë euro prime të shkruara, mbi 21.3 miliardë euro asete në menaxhim dhe një rritje prej 10.4 % në volum primesh.
“Sigal” sh.a . u themelua në 22 Shkurt 1999 dhe është e para kompani që tërhoqi kapitalin e huaj në tregun shqiptar të sigurimeve.
Në vitin 2003 Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve, fond i krijuar nga Departamenti i Shtetit të SHBA, u bë një nga aksionerët e SIGAL, duke zotëruar 13.3 % të aksioneve.
Në muajin Mars 2007 “Sigal” sh. a. nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me një prej grupeve më të fuqishëm financiarë në Evropën Qendrore dhe Lindore, Uniqa Group Austria. Me një shtrirje në mbi 20 vende të Evropës Qendrore dhe Lindore ky grup zotëron aktualisht 46 për qind të aksioneve të SIGAL. Në këtë mënyrë, mbi 60 për qind e aksioneve të Sigal Holding janë kapital i huaj dhe pjesa tjetër u përket aksionarëve lokalë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›