Thagma e ish-Kryeprokurorit Theodhori Sollaku

“Gjykata Kushtetuese të pushojë së ekzistuari?!”
Në 10-vjetorin e miratimit të Kushtetutës, ish-kryeprokurori nuk ka arritur që të fshehë mllefin e akumuluar prej një viti se pse kjo gjykatë nuk mbajti anën e tij duke
respektuar kësisoj vendimin e shumicës së deputetëve për shkarkimin e tij pas faktimit të abuzimeve të rënda me detyrën.
Shqipëria nuk ka nevojë për një Gjykatë Kushtetuese. Është kjo deklarata e çuditshme që ka ardhur dje nga ish-Prokurori i Përgjithshëm, Dhori Sollaku, i shkarkuar një vit më parë nga Kuvendi i Shqipërisë nga detyra për shkelje të rënda me detyrën. Kjo deklaratë e tij vjen në 10 vjetorin e Kushtetutës së Shqipërisë, pikërisht nga njëri prej ekspertëve që asistoi në procesin e krijimit të ligjit themeltar të shtetit. Për Sollakun, puna e Gjykatës Kushtetuese nuk e justifikon buxhetin prej 1 milion dollarësh që i akordohet çdo vit nga qeveria ndërkohë që sipas tij puna e këtij institucioni mund të ezaurohet nga gjykata e lartë. Sipas ish-kreut të organit të akuzës Gjykata Kushtetuese i është nënshtruar shpesh debateve politike apo në qarqet e juristëve, për kohën e gjatë që shoqëron vendimet e saj, si dhe për pazbatueshmërinë e tyre.
Ky reagim i ashpër i Sollakut lidhet ngushtësisht me prekjen e interesave të tij personale. Vitin e kaluar kur Kuvendi me shumicë votash miratoi shkarkimin e tij, akt që u firmos edhe nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, Sollaku e ankimoi këtë vendim në Gjykatën Kushtetuese. Ish-Kryeprokurori që në bazë të dy komisioneve hetimore parlamentare të ngritura për të rezultoi se në 5 vitet e drejtimit të organit të akuzës kishte toleruar mbylljen e mjaft dosjeve hetimore ndërsa kishe penguar hapjen e dhjetëra të tjerave, kërkoi shpalljen si antikushtetuese të hetimit të tij ashtu edhe firmosjen e shkarkimit të tij nga ana e kreut të shtetit. Pas shqyrtimit të dy kërkesave të depozituara në Gjykatën Kushtetuese kjo e fundit e vlerësoi si antikushtetues nismën e një grupi deputetësh për të ngritur komision hetimor për shkarkimin e tij, megjithatë vendosi që të rrëzojë pretendimin e ish-kryeprokurorit Sollaku, për shfuqizimin e dekretit të Presidentit për shkarkimin e tij.
Sipas Gjykatës kërkesa e ish-kryeprokurorit për këtë vendim ishte e pabazuar në ligj. Sipas institucionit që interpreton ligjin themeltar të shtetit, kërkesa e paraqitur nga Theodhori Sollaku, me arsyetimin se aktet e mësipërme, të kundërshtuara nga kërkuesi nuk përmbajnë shkelje të të drejtave kushtetuese për një proces të rregullt ligjor, në kuptim të shkronjës “f “ të nenit 131 të Kushtetutës së Shqipërisë. Pikërisht një vendim i tillë ka bërë që Dhori Sollaku të shfryjë “dufin” e tij ndaj Kushtetueses.
...