E Diel, 1 Nëntor 2026

“Letra dashurie” dhe “Mannon Lescaut”, emocion dhe dashuri në skenat teatrore



Skenat teatrore do të pushtohen sot nga emocionet dhe historitë e dashurisë, pikërisht ditën e të dashuruarve 14 Shkurt. Teatri i Operës dhe Baletit dhe Teatri Kombëtar vijnë ditën e të dashuruarve, me emocion, dramë, histori dashurie plot imagjinatë dhe pjesë teatrale unike. Një pafundësi emocionesh do ti falin publikut këto dy premiera absolute që vij ekskluzive në skenat teatrore ditën e të dashuruarve. Drama “Letra dashurie” vjen nën regjin e Kastriot Çipit, dhe nën interpretimin e aktorëve Neritan Liçaj e Julia Ilirianit, një dram e shkruar nga Albert Ramsdell Gurney. Historia e tyre e dashurisë është krejtësisht e veçantë. Po kaq i veçantë është edhe trajtimi regjisorial që i bëhet veprës. Janë një çift, për të cilin pjesa më e madhe e komunikimit mes të dyve ndodh vetëm përmes letrave, ndaj edhe autori Albert Ramsdell Gurney e ka titulluar “Letra dashurie”. Regjisori shqiptar, Kastriot Çipi, ka zgjedhur ta sjellë në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë, në një ditë krejtësisht të veçantë, në 14 Shkurt, ditën e dashurisë. Pjesa përbëhet nga letrat që kanë shkëmbyer gjatë gjithë jetës dy njerëz, që janë rritur bashkë, kanë ndjekur rrugë të ndryshme në jetë, por kanë mbetur të afërt me njëri-tjetrin. Ndërsa aktorët lexojnë letrat me zë të lartë, ajo që krijohet është një atmosferë evokative, prekëse, shpesh gazmore, ku zbulohen karakteret e të dyve dhe historia e përbashkët, që është sa emocionuese, aq edhe domethënëse. Ditën e të dashuruarve në skenë do të interpretojnë në rolet përkatëse aktorët Neritan Liçaj (Endi) dhe Julia Iliriani (Melisa).
Ndërsa një ndër kryeveprat e Pucinit, "Manon Lescaut" një opera me katër akte, vjen për spektatorin nën regjin e Nikolin Gurakuqit. Muzika e Puçinit do të risjellë më 14 shkurt trazimet e dashurisë, xhelozisë, tradhtisë, derisa akti i fundit vendos një qetësi farsë mes dy dashnorëve. Ata duan të largohen diku ku njerëzit nuk ndahen në të pasur e të varfër, ku të shijojnë qetësisht dashurinë e tyre. Por i pret një fund i trishtë që e çon Manonin drejt vdekjes, kurse De Grijë kthehet në Francë dhe fillon një jetë tjetër, atë të klerikut. Manoni, një vajzë e re nga një familje e pasur, që josh burra me bukurinë e saj, i fal ndjenja të pastra studentit de Grijë të cilin e takon për herë të parë në një mjedis pijanecësh, qejflinjsh dhe hedonistësh. Manon tërhiqet pas kësaj jete. Është vetëm një vajzë e re në kërkim të kënaqësive, gjë që nuk mund t'ia ofrojë bankieri Zheron dë Ravjor, mik i mbretit, që i siguron luksin dhe të mirat e jetës. Në katër netët e shfaqjes do të interpretojnë sopranot: Etleva Golemi, Irini Nikolla dhe Shpresa Beka. Në krah të Manonit është djaloshi i dashuruar (de Grijë), në rol tenori italian Lorenzo Decaro. Bankieri interpretohet nga Sidrit Bejleri, dhe vëllai i Manonit, Leskoja nga Armando Likaj. Interpretues të tjerë janë: Erlind Zeraliu, Denis Skuro, Jani Çekixhi, Manjola Konjari, Sofika Kola, Klodiana Laze, Genc Vozga, Roel Llupo, Bledi Hoxha, Sokol Tomorri. Skenografia nga Genc Shkodrani, kostumet priten të vijnë edhe nga Italia. Regjisor i shfaqje është Nikolin Gurakuqi. Mjeshtër koncertues dhe dirigjent orkestre është Gianluca Martinenghi, i pranishëm në disa premiera të Teatrit të Operës. Mjeshtër kori Suzana Turku Kashara, dirigjent kori Dritan Lumshi, dirigjent Edmond Doko. Për herë të parë kjo vepër është shfaqur në "Teatro Regio" të Turinës, më 1893.

15 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›