E Diel, 1 Nëntor 2026

Doktoraturat, filologjiku cakton tre këstet e pagimit të tarifës së studimit



Jonida Tashi

Fakulteti i Histori-Filologjisë përcakton tre këstet e shlyerjes së tarifës së studimit për doktoraturat. Duke qenë se tarifa e shkollimit për studimet e ciklit të tretë është 200 mijë lekë për të gjitha programet e studimit, sipas vendimit të qeverisë, do të paguhet në tre këste të veçanta, që përcaktohen nga fakultetet përkatëse. Tashmw drejtuesit e Filologjikut e kanë caktuar shumën çdo kësti pagimi. Kështu, sipas vendimit të marrë nga drejtuesit e Filologjikut, tarifa e çdo kësti duhet të paguhet në fillim të nisjes së çdo viti të studimeve të ciklit të tretë. Më konkretisht, shuma e çdo kësti që duhet të paguhet është: kësti i parë 65 mijë lekë; kësti i dytë 65 mijë lekë; kësti i tretë 70 mijë lekë.
Nisja e studimeve
Nëse doktoraturat e Historisë do të miratohen së shpejti, shkolla doktorale pranë Filologjikut do të nisë më 15 mars. Sipas dekanit të Fakultetit të Histori-Filologjisë, Shezai Rrokaj, mosmiratimi i doktoraturës për lëndën e Historisë, po mban ende “peng” fillimin e shkollës doktorale, e cila do të fillojë për herë të parë në këtë fakultet. Për bllokimin e doktoraturave të Historisë Rrokaj akuzon drejtpërdrejtë Këshillin e Administrimit pranë Ministrisë së Arsimit, i cili, sipas tij, po tejzgjat procedurat. Këtë veprim, Rrokaj e cilëson si një papërgjeshmëri të Këshillit të Adiministrimit. “Jemi në pritje të pritje të Historisë e cila po bëhet një gangrenë. Kemi vonesa të mëdha. I takon Këshillit të Administrimit, ka një mungesë përgjegjësie prej tyre dhe një hallakatje të panevojshme, sepse këto kurrikula janë miratuar njësoj të gjitha, kanë kaluar njëlloj”,- thotë Rrokaj. Nëse do të miratohen dhe kurrikulat për doktoraturën e Historisë, atëherë sipas Rrokaj, shkolla doktorale do të nisë në mes të muajit mars. “Ne shpresojmë që në semestrin e dytë ta fillojmë shkollën doktorate, që do të thotë se parashikoj 15 marsin. Kemi përcaktuar edhe kriteret për përzgjedhjen e tyre. Kemi vënë notën 8 si skualifikuese. I kushtojmë rëndësi masterit që ata kanë mbrojtur. Kemi kaluar në përparësi, për dobi publike, të gjithë profesoratin e ri që jep mësim në institucionet publike, pastaj ata që japin në institucionet private”,- deklaron dekani i Filologjikut. Aktualisht, shkolla doktorale në fakultetin e Histori- Filologjisë, do të ofrojë doktoratura për Mësuesi, Gjuhësi, Letërsi dhe Gjeografi.
Programet e miratuara
Dy programet e Doktoraturës të miratuara pak ditë më parë edhe nga qeveria, për Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, të Universitetit të Tiranës, janë Doktoratë në “Kërkime gjuhësore”, në përfundim të së cilës lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor (Dr.) në Kërkime Gjuhësore” dhe doktoratë në “Studime letrare’, në përfundim të së cilës lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor (Dr.) në Studime Letrare”. Kuotat e pranimit në këto programe studimi, për vitin akademik 2009-2010, janë, si më poshtë vijon: “Doktoratë në Kërkime Gjuhësore”, 60 kuota; “Doktoratë në Studime Letrare”, 15 kuota. Ndërsa tarifa e shkollimit, për këto programe studimesh të doktoratës, është 200 mijë lekë dhe do të likuidohet për çdo vit të kohëzgjatjes normale, në këste të caktuara nga Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, i Universitetit të Tiranës. Sipas vendimit të qeverisë, këto programe studimi do e fillojnë veprimtarinë mësimore në vitin akademik 2009–2010. Kohëzgjatja e programeve të mësipërme të studimeve të Doktoratës është, të paktën, 3 vite akademike, ku përfshihen edhe 60 kredite për studime të organizuara.
Doktoratura

Tre këstet e pagimit të tarifës
Kësti i parë 65 000 lekë
Kësti i dytë 65 000 lekë
Kësti i tretë 70 000 lekë

Dokumentet e aplikimit për doktoraturat e Filologjikut

Dosja e aplikimit për studimet e doktoraturës pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, duhet të përmbajë:
Curriculum vitae
Kopje e noterizuar e Diplomës së Nivelit të Dytë (DND), ose të Diplomës së Integruar të Nivelit të Dytë (DIND), ose diplomës sipas sistemit të vjetër apo titullit akademik të barasvlershëm të fituar jashtë vendit dhe të njohur nga organet kompetente
Kopje e noterizuar e diplomës SHPU, Master i Nivelit të Dytë (MND), e shoqëruar me listën e notave
Certifikatë lindje me fotografi
Vërtetim i qendrës së banimit
Dy rekomandime (nga një profesor, profesor i asociuar ose docent)
Dëshmi dhe vërtetime provimesh pasuniversitare si gjuhë e huaj etj.
Deklaratë e gatishmërisë së udhëheqësit shkencor për të udhëhequr kandidatin
Deklaratë vetjake e studentit për përballimin e shpenzimeve të programit të studimeve të Doktoratës
Vërtetim i dekanatit për pranimin e dokumentacionit për aplikim
Platforma e disertacionit (punimit)
Plani i punës në vite

Shtyhet për në mars nisja e studimeve “Master” te Ekonomiku

Shtyhet për në mars nisja e studimeve “Master i Nivelit të Dytë” në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës. Megjithëse drejtuesit e këtij Fakulteti i kanë zyrtarizuar tashmë emrat e kandidatëve që do të vijojnë studimet Master në këtë institucion, ata ende nuk janë të gatshëm për fillimin e këtyre studimeve. Për rrjedhojë, drejtuesit e Ekonomikut kanë vendosur që studimet Master të nisin në fillim të muajit të ardhshëm. Për çdo master të mbrojtur në Fakultetin Ekonomik, lëndët do të jenë të ndryshme dhe ka nëntë lëndë, plus dy lëndë të tjera me zgjedhje të lirë nga aplikanti. Programi mësimor konsiston në 11 lëndë, ku nëntë lëndë janë të trungut, ndërsa dy lëndë janë me zgjedhje, si dhe projekti i kursit. Lëndët do të zhvillohen sipas semestrit. Periudha kohore e realizimit të programit varet nga numri i kurseve që aplikanti ndjek çdo semestër. Ndërsa kohëzgjatja e kursit është 2 deri në tre vjet, ku një semestër ka 12 javë.

15 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›