E Shtunë, 31 Tetor 2026

Risku i krizave të zemrës rritet tri herë në mot të ftohtë



Tkurrja e enëve të gjakut, spazma dhe faktorët të cilët ndikojnë në rritjen e tensionit, të shkaktuara nga temperaturat e ulëta shtojnë dhe më shumë rrezikun e krizave të zemrës. Kardiologu Ertan Okmen, këshillon njerëzit që hyjnë në grupin e riskut, nëse dalin për të pastruar borën në mëngjes le ta bëjnë shumë ngadalë dhe në vend që të dalin jashtë në një mot të ftohtë për të bërë ushtrimet le t’i bëjnë në shtëpi apo në sallonet e sportit. Krizat e zemrës shfaqen dy-tri herë më shumë gjatë muajve të dimrit sesa në muajt e verës dhe janë vdekjeprurëse. Dr. Ertan thotë që duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm, veçanërisht në orët e para të mëngjesit gjatë muajve të dimrit. Ai shpjegon faktorët të cilët ndikojnë në shtimin e rasteve të krizave të zemrës gjatë muajit të dimrit në krahasim me stinët e tjera.
Faktorët
Infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes, gripi, konsumimi i kalorive të tepërta të cilat përmbajnë yndyra dhe mosdjegia e tyre, disa ndryshime hormonale, për shkak të mosmarrjes së mjaftueshme të rrezeve të diellit, stresi i shkaktuar nga qëndrimi në ambiente të mbyllura janë disa nga faktorët kryesorë që ndikojnë në shtimin e rasteve të krizave të zemrës gjatë kësaj stine. “Faktorët që ndikojnë në rritjen e tensionit, tkurrjen e enëve të gjakut, spazmën të shkaktuara nga moti i ftohtë rrisin më shumë rrezikun e shfaqjes së krizave të zemrës. Në kohë të ftohtë trupi për të ruajtur temperaturën e tij dërgon më pak gjak në lëkurë dhe kjo shkakton tkurrje tek të gjithë enët e gjakut veçanërisht në damarët të cilët ushqejnë lëkurën. Kjo lloj tkurrjeje bëhet shkak për rritjen e tensionit”,- shpjegon kardiologu Ertan Okmen.
Krizat
Krizat, atakët e zemrës ndodhin më shumë gjatë orëve të para të mëngjesit. Për këtë ndikojnë shumë gjëra si ndryshimi i rrjedhjes së gjakut, faktorët hormonalë, tension më i lartë. Për këtë, Dr. Ertan shpjegon se mëngjeset e bardha, të mbuluara me borë, me diell, që të ngjallin ndjenjën e freskisë, mund të shkaktojnë veçanërisht bllokim të damarëve dhe të rrisin më shumë faktorët e riskut. Sipas tij, kjo është koha më e rrezikshme për personat, të cilët kanë tension të lartë. Shumë studime çuditërisht kanë vërtetuar se personat të cilët kanë dalë jashtë në mëngjes pas një mbrëmjeje me borë dhe kanë bërë lëvizje të shpejta si pastrimi i xhamave të makinës nga dëbora apo kanë pastruar pjesën para shtëpisë kanë kaluar kriza zemre. Pastrimi i dëborës, hapja e rrugës apo pastrimi i xhamave të makinës në të njëjtën kohë është një ushtrim i vështirë i cili rrit tensionin.

Si mund të trajtohet i sëmuri me krizë dhimbjeje të zemrës

Trajtimi synon qetësimin e dhimbjes, mjekimin e sëmundjes dhe parandalimin e ndërlikimeve të mundshme. Nitroglicerina nën gjuhë është ilaçi më i preferuar deri më sot. Atenololi ose ilaçe të tjera të këtij grupi janë mjaft të dobishëm kur përdoren krahas, në personat me rrahje të shpejta të zemrës dhe presion gjaku të rritur. Këta përmirësojnë gjendjen pas krizës së dhimbjes dhe infarktit në muskulin e zemrës. Nifedipina mund të përdoret në vendin e tyre kur përdorimi nuk u këshillohet( si në rrahje të ngadalta zemrës etj). Vitamina E plotëson veprimin farmakologjik dobiprurës të ilaçeve të lartpërmendur. Në presion të lartë të gjakut përdorimi i Kaptoprilit ose ilaçeve të ngjashëm mund të përmirësojë ushqyerjen e zemrës. Diazepami në mishra është përdorur me sukses në të gjithë pacientët me presion gjaku të lartë, dridhje zemre dhe kriza të dhimbjes. Ai e nxjerr të sëmurin nga gjendja më shpejt se sa vetëm ilaçet e lartpërmendura dhe ka efekt parandalues për infarktin. Aspirina në dozën 250-500 mg është dhënë nga goja sa më herët në të gjitha gjendjet e përshkruara, duke përjashtuar rastet me presion gjaku të rritur mbi 140 mmHg. Ky trajtim është vetëm për çastin, mirëpo nuk është i tëri. Trajtimi i plotë përfshin eliminimin e faktorëve nxitës (si alkoolin, duhanin, kafen, drogën, mbipeshën, sforcimin fizik, ekspozimin në të ftohtë papritur etj.). Veprimtaria fizike me shtim gradual të intensitetit në vazhdimësi dhe dieta laktovegjetariane (si kosi, frutat, perimet, orizi, buka e zezë ose e misrit, vaji bimor, veza etj.) mbajnë në vetvete sekretet e parandalimit të krizave të zemrës dhe sëmundjeve të tjera të saj. “Maratonomaku nuk vdes nga zemra”,- thotë një shprehje që nuk duhet ta harrojnë njerëzit. Pra, ecja e përditshme mbi 2-5 km me hap të nxituar (para dhe mbas dite) ose ushtrimet në palestër 30 minuta së paku çdo ditë janë mbajtës të zemrës së rinuar. Gjumi i mbasdites është me efekt parandalues, sidomos për krizat e zemrës, infarktin dhe goditjen në tru. Mjekimi mbajtës me ilaçe të lartpërmendur dhe të ngjashëm mund të përcaktohet nga gjendja e vuajtësit dhe nga pranimi i tyre prej organizmit. Përdorimi i aspirinës 80-100 mg dita (ose në të tretë) ose Plaviksit (kur ajo shkakton reaksion etj.) qysh rreth moshës 40 vjeçare e në vazhdim parandalon zhvillimin e sëmundjes së arterosklerozës. Procedura dhe ndërhyrje të ndryshme kirurgjike aplikohen sipas rastit në të sëmurët që vuajnë prej krizave të dhimbjes së zemrës.

Disa këshilla për të rrezikuarit nga krizat e zemrës
Dr.Ertan nënvizon rëndësinë e ndjekjes së disa rregullave të caktuara, për të shmangur rrezikun e krizave të zemrës tek ata persona, të cilët shfaqin këto shenja: sëmundje zemre, hipertension, bllokim të enëve të gjakut, nivel të lartë kolesteroli, diabet, kile të tepërta, konsumim të rregullt të cigares dhe ata që në familjen e tyre kanë persona të sëmurë nga zemra. Ai jep këto këshilla për të ulur riskun e krizave të zemrës gjatë dimrit:
Nëse vuani nga zemra apo tensioni merrini rregullisht ilaçet
Punën e pastrimit të dëborës, veçanërisht në mëngjesin e parë me dëborë bëjeni dalëngadalë duke pushuar; nëse është e mundur mos e bëni fare
Për të bërë ushtrimet fizike në vend që të dilni jashtë në ajër të ftohtë mund t’i zhvilloni brenda në shtëpi apo sallone sporti. Ambientet e mbyllura dhe të mëdhenj si qendrat tregtare janë ambiente të përshtatshme për të bërë një ecje 30 minuta
Infeksionet, veçanërisht infeksionet e rrugëve të sipërme respiratore shihen shumë tek të sëmurët me zemër dhe ndikojnë në funksionimin e saj. Ecjen apo ushtrimet që do të bëni në qendrat tregtare bëjini më mirë në oraret kur nuk ka shumë njerëz për t’u mbrojtur nga infeksionet
Bëni vaksinat e gripit dhe të pneumonisë
Nëse keni kaluar një krizë zemre mos dilni jashtë dhe mos qëndroni në një ambient me tym, të pistë dhe në ajër të ftohtë. Nëse e keni të detyrueshme të dilni mos harroni të merrni me vete dhe hapin e nën gjuhës
Mos harroni që gjatë muajve të dimrit shtojmë në peshë dhe mos hani produkte kaloritë e të cilave nuk mund t’i harxhoni
Mateni rregullisht tensionin

15 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›