E Diel, 1 Nëntor 2026

Radoni kërcënon Tiranën, ministria ska fonde për matjet



Eljona Lata

Tirana rrezikohet nga radoni. Sipas një raporti të Avokatit të Popullit, në kryeqytet gazi radioaktiv është dhjetë herë më i lartë se parametrat evropiane. Përballë kësaj situate, Emir Dobjani ka përpiluar një rekomandim drejtuar kryeministrisë, ministrit të Mjedisit dhe atij të Shëndetësisë. Avokati i Popullit kërkon marrjen e masave të nevojshme për mbikëqyrjen dhe kontrollin e ndotjes së mjedisit urban në Tiranë. Alarmi i referohet një studimi të kryer prej specialisteve të shërbimit gjeologjik ne vitin 2005, lidhur me prezencën e gazit Radon, në 37 qendra kryesore urbane të vendit. Rezultatet e këtij studimi, në bazë të sipërfaqes që është matur, kanë treguar se 30% e sipërfaqes së Tiranës rezulton me risk të lartë Radoni. Konkretisht, si zona më risk të lartë janë piketuar, zonat e Kodrës së Kuqe, Kinostudios, Gropa që ka qenë në qendër të Tiranës. Megjithatë, zona me risk shumë të lartë është etiketuar ajo e parkut kombëtar në Dajt, ku niveli i prezencës se këtij gazi radioaktiv është regjistruar deri në 10 herë më shumë se parametrat e BE-së.
Raporti
Prania e këtij gazi në kryeqytet konfirmohet edhe nga matjet e bëra nga Agjencia Rajonale e Mjedisit, e cila ka testuar praninë e Rn222 në nëntokën e Tiranës, në ambientet e brendshme të shtëpive si dhe në depozitën e ujit në Bërxull. Të dhënat kanë rezultuar më të vërtetë shqetësuese, sidomos përsa i përket ambienteve të brendshme. Për përqendrimin e radonit në tokë janë monitoruar kryesisht sheshe më risk të mesëm, të lartë dhe më pak të ulët, të cilat kanë rezultuar me po atë klasifikim risku. Rezultatet kanë treguar se janë të njëjtat nivele. Sa u përket ambienteve të brendshme, në qytetin e Tiranës janë kryer 32 monitorime nga 20 të planifikuara, ku rezulton se nivelet mesatare të përqendrimit të radonit luhaten nga vlerat më të ulëta nën 50Bq/m3, deri në 10 herë mbi normën e lejuar, duke kapur vlerat e 3831 Bq/m3. Ndërsa matjet në depozitën e ujit në Berxull kane treguar vlera mesatare të prezencës së Radonit, ndaj ajo do të monitorohet vazhdimisht. Sipas studimit të kryer nga ana e Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, qyteti i Tiranës rezulton të jetë i vendosur mbi një trashësi të kuqe aktive, që mund të thuhet se prodhon radon. Sipas ekspertëve, pjesa që dominohet nga shtëpitë e ulëta 1-2 katëshe dhe që çdo ditë po kthehen në ndërtime të reja, është pjesa ku zhvillohet kjo trashësi aktive, e cila detyrimisht duhet izoluar për të penguar kalimin e radonit në ndërtesë.
Rekomandimet
Avokati i Popullit në raport ka kërkuar që të zhvillohen studime të përvitshme apo edhe në afate kohore me të ngushta në zonat problematike në të gjithë vendin, ku shfaqet prezenca e gazit Radon. “Kërkojmë të dimë nëse ekziston apo jo një bazë ligjore, e cila do ta bënte të detyrueshme këtë gjë. Kemi kërkuar njëkohësisht të informohemi mbi masat që institucioni MMPAU, ka marrë për këtë çështje, që me sa duket përbën një problem shumë serioz për cilësinë e jetës, jo vetëm në Tiranë, por, në të gjithë vendin” shprehet Dobjani. Raporti vijon duke theksuar si kusht ndërtimor është edhe kërkesa për certifikatën e emetimit të radonit, e cila duhet të lëshohet nga institucionet përgjegjëse. Në këtë këndvështrim, duhet të bëhet e detyrueshme kryerja e një studimi të truallit gjeologjik të ndërtimeve të reja për vlerësimin e rrezikut radon, materialet e ndërtimit para se të përdoren duhet të analizohen dhe të certifikohen për këtë element radioaktiv. “E gjithë kjo ndërmarrje dinamike dhe emergjente, kërkon ndërhyrje në legjislacionin specifik në fuqi për plotësimin apo përmirësimin e tij, si dhe nxjerrjen akteve të reja normative, të nevojshme”, thekson më tej raporti i Avokatit të Popullit.

Efektet e radonit
Megjithëse për periudhën 2003-2007, MMPAU ka dhënë një shumë prej 600 mijë lekë çdo vit, ka rreth 2 vjet që ky financim është ndërprerë për mungesë fondesh. Çështja bëhet edhe më serioze kur konfirmohet se, çlirimi i këtij gazi nga toka dhe shtimi i sasisë së tij në banesa, mund të shkaktojë doza të papranueshme rrezatimi, që njihen si një nga shkaktarët kryesorë të kancerit në mushkëri. Mjekët në spitalin e mushkërive “Shefqet Ndroqi”, në Sanatorium, thonë se radoni është një element i cili shkakton probleme në shëndetin e personave që kanë kontakt të vazhdueshëm me të. Mjekët shpjegojnë se nëse kalohet norma e lejuar, e cila përballohet nga trupi i njeriut, atëherë shfaqen probleme, të cilat mund të çojnë deri në ndryshime gjenetike apo mutacione, por edhe tumore. “Nëse një person jeton vazhdimisht në një ambient që tejkalon normën e lejuar të përqendrimit të radonit, ai mund të kthehet në një helm. Duke qenë se merret me anë të rrugëve të frymëmarrjes, futet në gjene dhe çon deri në deformim gjenetik. Ajo që haset më shpesh është fakti se radoni shkakton tumor në mushkëri, që zhvillohet me ritme shumë të shpejta”, theksojnë specialistët. Sipas ekspertëve të fushës, për të shmangur këtë fenomen duhet që para se të fillojnë punimet për ngritjen e një ndërtese, të behet një studim i nëntokës. Nëse ky truall del me përqindje të lartë radoni, jo se nuk duhet të ndërtohet në të, por duhet të merren masa mbrojtëse, siç është izolimi me fibra izoluese efikase që janë posaçërisht për këtë qëllim.

15 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›