E Diel, 1 Nëntor 2026

Letra e plotë e Ramës drejtuar Berishës

Zotit Sali Berisha, kryeministër i Shqipërisë

Për dijeni: Përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar në Shqipëri

Zoti kryeministër,

Do të kisha dashur sot t'Ju shtërngoja dorën për kurajon, por fatkeqësisht nuk mund tJu shpreh vecse keqardhje për frikën Tuaj nga e vërteta që gjendet në kutitë e zgjedhjeve të 28 qershorit.

Do të ishte dashur shumë që sot Komisioni i Ligjeve të kishte hapur rrugën e zgjidhjes së problemit të rëndë që ekziston jo mes meje e jush, as edhe mes partive a kampeve tona politike, po mu në mes të rrugës që ndan të shkuarën me të ardhmen europiane të Shqipërisë, ku prej 20 vjetësh nuk bëhen dot zgjedhje të lira, të ndershme, të pakontestueshme, si në cdo vend tjetër europian.

Do të donin të gjithë shqiptarët padyshim, por edhe të gjithë miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë, që Kuvendi i Shqipërisë të jepte në datën 18 mars një provë urtësie e vullneti politik për ta zgjidhur krizën e vet duke dalë me një krejt tjetër përfundim nga ky i sotmi i Komisionit të Ligjeve lidhur me nismën tonë.

Ndaj edhe Ju shkruaj me shqetësim të madh sot, në vigjiljen e 18 marsit, kur të gjithë, brenda e jashtë Shqipërisë, dëshirojnë ligjërimin e një marrëveshjeje dinjitoze që i jep vendit drejtimin e daljes nga kriza politike dhe vetë parlamentit një frymëmarrje të re demokratike.

Vetëm duke u ngritur mbi ndjeshmëritë dhe interesat që mbajnë mbyllur rrugën e trasparencës së plotë e të pakushtëzuar të zgjedhjeve dhe duke vënë interesin e vendit e të popullit sovran në themelin e një marrëveshje mes palëve, e cila do ta kthente në ligj, jo vec për sot po përgjithmone, të drejtën e transparencës së zgjedhjeve përmes hetimit parlamentar, ky Kuvend do të hynte në historinë e demokracisë sonë jo si parlament pa të ardhme i Ruzhdies, po si parlamenti i ndarjes përfundimtare me standartet zgjedhore të Ruzhdies.

Këto standarte, absolutisht të papranueshme për një vend anëtar të NATO-s dhe aspirant për Bashkimin Europian, deformuan shumëkund si në Ruzhdie zgjedhjet e 28 qershorit dhe kërcënojnë ta kthejnë në një lojë të paravendosur procesin zgjedhor në Shqipëri.

Ky është një kërcënim i patolerueshëm për fatin e demokracisë e të shtetit ligjor në këtë vend ku një tjetër lojë e paravendosur kundër lirisë së zgjedhjeve na mbajti pesëdhjet vjet larg Europës, ndërkohë që njëzet vjet liri nuk kanë mjaftuar ende për të bërë zgjedhje si në Europë a të paktën si në vendet e tjera të rajonit të trazuar ku jetojmë. Përfshirë edhe Kosovën që, megjithëse vetëm dy vjet shtet, zgjedh lirisht e garanton transparencë për zgjedhjet e saj.

Vrasja e besimit të qytetarëve tek zgjedhjet dhe shkrirja përfundimtare e kufirit mes shtetit e pushtetit, adresuar si shqetësim serioz edhe në raportin e OSBE/ODHIR-it, do të ishin rrjedhojat më imediate të mos hetimit të plotë e të kushtëzuar të shtrirjes së fenomenit Ruzhdie në procesin zgjedhor.

Ja pse këtë letër zoti Kryeministër duhet ta konsideroni një ftesë për ta kthyer 18 marsin në ditën e një konsensusi historik për një hetim që, sic e kemi pohuar parreshtur, nuk synon synon ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve në tavolinë, as delegjitimin e parlamentit të dalë prej atyre zgjedhjeve të korruptuara, por vetëm cmontimin e mekanizmit të korrupsionit që ka kapur sistemin e administrimit zgjedhor në Shqipëri, sic e tregon rrënqethshëm prova e kutisë së Ruzhdies.

Hetimi që në kërkojmë nuk ka të bëjë më të shkuarën, por vetëm me të ardhmen, sepse clirimi i zgjedhjeve të ardhshme nga korrupsioni mund të bëhet vetëm përmes transparencës së zgjedhjeve të shkuara.

Kutitë duhet të hapen jo për të numëruar votat, por për të hetuar numërimin në një proces ku sipas vetë OSBE/ODHIR-it në një të tretën e tij numërimi ka qenë i keq dhe shumë i keq, si edhe dokumentacionin zgjedhor ku, ashtu si në Ruzhdie, janë bërë në një numër shumë kritik rastesh manipulime që nuk duhet të përsëriten kurrë më.

Kuvendi duhet të vihet në punë jo për të dubluar innstitucione të tjera apo për t,iu mbivendosur pushtetit gjyqësor, sic ju argumentoni pa asnjë bazë ligjore duke kundërshtuar kërkesën tonë, po për të hetuar si është implementuar Kodi Zgjedhor dhe sa është zbatuar në përgjithësi ligji gjatë zgjedhjeve të qershorit 2009. E këtu lejomëni të besoj se nuk është e vështirë të ndajmë bashkë bindjen që jo mungesa e ligjeve të shkruara, por moszbatimi i ligjeve që kemi përbën problemin më të madh të Shqipërisë në rrugën drejt Europës. E dimë të gjithë, në letër kemi një shtet me ligje që shkruhen sipas standarteve europiane, në realitet një shtet prej letre shumë larg standarteve europiane. është koha të zbatojmë ligjet që shkruajmë dhe t´i shkrujamë ligjet për ti zbatuar zoti kryeministër.

Përvecse një funksion i natyrshëm i organit supreme ligjvënës, ky që na refuzohet prej më shumë se gjashtë muajsh është një obligim jo vec kushtetues e ligjor, po është moral, etik e qytetar për një parlament ku opozita, si njëra prej dy shtyllave ku mbështetet legjitimiteti i tij, kërkon transparencë të plotë në sytë e të gjithëve sot për të garantuar siguri të plotë për të gjithë nesër.
Vetëm kështu mund të përmbushim plotësisht objektivin e përcaktuar ligjërisht të kontrollit parlamentar për hetimin mbi një cështje të vecantë me interes publik.

Vetëm kështu ky hetim, i mbështetur plotësisht mbi Kushtetutën e Republikës sonë, do të përmbushë jo vetëm të drejtën e ligjshme, por edhe detyrimin tonë të përbashkët karshi zgjedhësve:

a) Për të verifikuar zbatimin e legjislacionit gjatë një procesi zgjedhor kaq të dyshimtë e të kontestuar.

b) Për të identifikuar problemet që lypsen zgjidhur për të ardhmen duke propozuar ndryshimet përkatëse ligjore

c) Për të hedhur dritë mbi përgjegjësitë eventuale për moszbatimin e ligjeve në fuqi, të cilat, bash ashtu sic e përcakton ligji për hetimin parlamentar, Komisioni Hetimor i´a con për ndjekje të mëtejshme organeve të drejtësisë.

Vetëm kështu, falë kësaj abc-je të kulturës së transparencës dhe të kontrollit parlamentar, ne nuk do të kemi më në zgjedhjet e ardhshme jo shumë, po asnjë kuti votimi si në Ruzhdie; nuk do të kemi më në zgjedhjet e ardhshme me dhjetramijëra si në 28 qershor, por asnjë numër identiteti të rremë në listat e votuesve; nuk do të kemi më në zgjedhjet e ardhshme jo me mijëra njerëz si gjithnjë deri më sot, pa asnjë zgjedhës që do të guxojë të votojë më shumë se një herë me disa dokumenta identiteti të fallsfikuara; nuk do të kemi më në zgjedhjet e ardhshme jo një masë të frikshme emigrantësh të vjedhur në identitetin e tyre si vitin e shkuar, të cilët u kthyen në votues pa qënë fare në Shqipëri për zgjedhje, po asnjë syresh!
Paudhësie të bëjnë me fletët e votimit, me indentitetet e zgjedhësve apo me kutitë ku zë fill jeta demokratike, asnjë nuk mund ti gjejë përderisa krimi i tyre kycet përgjithmonë në terrin e kutive të pahapshme.

Ju e dini fort mirë zoti kryeministër se konsensusi i shumëduartrokitur edhe nga komuniteti ndërkombëtar për reformën elektorale, që i parapriu zgjedhjeve të shkuara, u bazua në garancinë e vendosur prej nesh, Partisë Socialiste, dhe të pranuar prej jush Partisë Demokratike, në nenin 136/3 dhe 138/3 të Kodit Zgjedhor. Të cilat shprehin qartësisht të drejtën e pakicës absolute të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dy nga shtatë anëtarë, për të hapur cdo kuti që gjykojnë të arsyeshme për rinumërim.
Pikërisht këto nene ishin garancia mbi të cilën u bazua edhe premtimi ynë elektoral se cdo votë ishte e sigurtë në të gjitha rastet, vërtet të shumta, kur qytetarët e shqetësuar nga presionet aspak demokratike të shtetit të vënë në dispozicion të pushtetit, por edhe nga eksperienca e hidhur e të shkuarës suaj në administrim zgjedhjesh, na pyesnin gjatë gjithëe fushatës nëse do të ishte apo jo opozita në gjendje të mbaronte votën e tyre. Ne që i shkruam me dorën tonë e pastaj morëm, jo pa mend në kokë, konsensusin tuaj për këto dispozita e kishim shumë të qartë arsyen dhe përmbajtjen e tyre.

Ata ishin, le të themi të hapur, lëshimi juaj për opozitën, kundrejt lëshimeve të opozitës në kuadrin e një marrëveshjeje transparente dhe të dobishme për vendin e për palët. Ishin këto lëshime reciproke që për herë të parë i dhanë vendit një reformë elektorale të kryer thuajse një vit përpara zgjedhjeve, krejt ndryshe nga tradita shumëvjecare e arrnimeve të natës së fundit. Falë kësaj reforme e klimës së dialogut që mundësoi edhe më shumë se kaq, duke e nxjerrë politikën nga kuadri tradicional i konfliktualitetit constant, Shqipëria kurorëzoi përpjekjen për integrimin në NATO dhe u vlerësua mjaft pozitivisht nga Bashkimi Europian pas shumë vitesh plot kritika në këtë drejtim.

Por sot më duhet t´Jua përsëris se kur Partisë Socialiste i´u desh ta përballte fill pas zgjedhjeve të 28 qershorit të drejtën e lartpërmendur për të hapur e rinumëruar kuti në Berat, Tiranë dhe Shkodër, ju, nëpërmjet shumicës suaj në KQZ, treguat se këtë të drejtë për trasparencë na e kishit dhënë për të na e hequr pikërisht kur na duhej. Kështu, padrejtësisht, përfaqësuesit tuaj në KQZ, e bënë këtë përmes një shkeljeje flagrante të ligjit dhe padrejtësisht ju e mbështetët këtë padrejtësi nga casti i parë deri sot e gjithë ditën.

Kolegji Zgjedhor paskëtaj e vulosi nën presionin që dihet shkeljen e bërë nga KQZ-ja duke vulosur kësisoj edhe rezultatin e zgjedhjeve përmes leximit në ligj të cickaje të paqënë, të cilën ne si autorë të neneve përkatëse të ligjit as e kishim menduar, as e kishim shkruar, as e kishim votuar.

Ju e dini, më mirë se askush, që e drejta e pakushtëzuar për hapjen e cdo kutie të kërkuar nga pakica absolute e KQZ-së dhe rinumërimin e votive në sytë e publikut, ishte celesi i marrëveshjës sonë për reformën elektorale. Ashtu sic e dini padyshim edhe arsyen pse e hodhët në det këtë celës, duke marrë peng edhe kutite sapo morët pushtetin që nuk mishëron vullnetin e qytetarëve që kanë hedhur votën në ato kuti.
Megjthatë, opozita nuk kërkon më atë që i’u mor padretjtësisht Partisë Socialiste dhe të tjera partive jashtë koalicionit Tuaj që kërkuan rinumërim dje. Opozita kërkon atë që nuk duhet t’i merret më askujt nesër.

Ne sot nuk kemi më punë me vendime te KQZ-së e të Kolegjit Zgjedhor, zoti Kryeministër. Ato vendime të formës së prerë kanë vulosur rezulatatin dhe ndarjen e mandateve të këtij parlamenti, ku ne nuk kërkojmë asnjë karrige më shumë se c’na kanë dhënë vendimet në fjalë, megjithëse shumë të padrejta. Po, më anë tjetër, s’ka asnjë dyshim se ne as mund të qendrojmë mbi kutitë e mbyllura ku është magazinuar mekanizmi i korrupsionit elektoral në pitje për t’u rivënë në lëvizje për deformimin e rezultatit të zgjedhjeve të ardhshme.

Bojkoti ynë nuk futi në krizë demokracinë, kriza e demokracisë coi opozitën në bojkot. Kjo krizë i ka rrënjët tek ai mekanizëm korrupsioni elektoral që ne ju ftojmë ta cmontojmë së bashku, urtësisht, paqësisht, drejtësisht, përmes një transparence që do të pengojë degradimin e mëtejshëm të procesit ligjvënës e qeverisës. Pa këtë transparencë ky degradim cdo ditë e më shqetësues eshtë i pandalshëm dhe sfida madhore e procesit të integrimit europian të Shqipërisë është seriozisht e kompromentuar.

Shqipëria nuk meriton të shkojë mbrapsht në një rrugë ku sot jemi më të vonuarit e rajonit. Shqipëtarët nuk meritojnë të presin ende në radhën e gjatë pas derës së mbyllur të Europës për një vizë apo ta shohin të vazhdojë t’u largohet horizonti i bashkimit me familjen europiane. Në emër të opozitës ju ftoj ta afrojmë bashkarisht Europën për Shqipërinë e shqiptarët, duke bërë secila palë detyrën ë vet dhe duke mos u fortifikuar në pozicionë aspak ogurmira. Vendi ka nevojë për reforma e për dialog serioz mes palëve në përballimin e një krize demokratike, po edhe ekonomike, aspak të lehtë për t’u kapërcyer. Opozita ka bërë gjithë sa ka mundur për të ardhur në pikën ku po Ju presim të afroheni e të bëni punën tuaj.

Ne kemi lëvizur me utësi e kurajo drej pikës ku cmojmë se konvergojnë interesat e të gjitha palëve, pa cenuar parimin e patjetërsueshëm të transparencës së zgjedhjeve të shkuara, me të cilin lidhet në fakt shkalla e lirisë dhe e ndershmërisësë zgjedhjeve të ardhshme, por edhe shkalla e respektimit të lirive e të drejtave kushtetuese në Shqipëri nga ana e parlamentit e qeverisë.

Bindja se degradimi i ndjeshëm i këtare lirive e të drejtave gjatë dhe sidomos pas zgjedhjeve të shkuara, lidhet pikërisht me vetësigurinë që pushteti I buron nga kontrolli i mekanizmit të sofistikuar dhe deri sot të paprekshem të korrupsionit zgjedhor , na bën të palëkundur në mbrojtjen e parimit të transparencës së plotë e të pakushtëzuar të zgjedhjeve.

Por njëkohësisht bindja se më e mira nuk mund të bëhet duke bërë më të keqen për palën tjetër, si edhe , le të themi pa ngurrim , respekti për opinionin e miqve dhe partnerëve të pazëvendësueshëm të Shqipërisë në rrugën e saj drejt europës , na bëjnë të dëgjueshëm ndaj të gjthë zërave që vijnë nga jashtë nesh. Përfshirë edhe zërin e palës Suaj sigurisht.

Prandaj e njohëm rezultatin.

Prandaj pranuam parimin e mosndryshimit të tij pavarësisht rezultatit të hetimit.

Prandaj u treguam tejet të matur në organizimin e protestave.

Prandaj u kthyem në parlament dhe morëm mandatet.

Prandaj propozuam një nisëm konkrete , konform Kushtetutës, konform vendimit të Gjykatës Kushtetuese , po edhe konform opinionit të Komisionit të Venecias –po zoti kryeministër , ky komision është shprehur qysh në vitin 2001 për mosngushtimin e objektit të hetimti parlamentar nga maxhoranca!-si edhe, dëgjojeni me vëmendje, konform faktit të thjeshtë që , pas zgjedhjeve të vitit 2005 , komisionit të atëhershëm hetimor parlamentar për zgjedhjet i është lejuar hapja e kutive të votimit. Fakti që ai komision nuk e zhvilloi aq sa dhe si duhet procesin e transparencës , ishte një gabim të cilin zgjedhjet e viti 2009 na mësuan se në asnjë mënyrë nuk dueht të përsëritet.

Ndërkohë Ju nuk keni lëvizur asnjë gjsëm hapi nga pozicioni Juaj fillestar, edhe pse funksioni i kryeministrit të vendit, aq më tepër në kushtet të lehta ku ndodhet demokracia dhe ekonomia e vendit, kërkon prej Jush kurajon dhe gadishmërinë për ta kuptuar sic është krizën shqiptare , të njohur tashmë ndërkombëtarisht , duke dëgjuar zërin e arsyes , jo duke besuar tek arsyeja e forcës.

Ju përpiqeni ta fortifikoni pozicionin Tuaj të vjetër duke ju referuar sistematikisht Kushtetutës si një pengesë , që thoni se nuk u lejon ta pranoni nismën ligjore të Partisë Socialiste . Kujt nuk do ti vinte mirë, përfshirë edhe mua pa as më të voglin dyshim , që kryeministri i Shqiëprisë të ishte mishërimi me fjalë e vepra i përulësisë ndaj ligjit themelor të shtetit!

Por, e vërteta jofatlume është se këto ditë u rrumbullakos në njëzet numri i ligjeve të miratuara prej mazhorancës Suaj, që janë rrëzuar si antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë. Ndërkohë, po këto ditë, një nismë e freskët e freskët e qeverisë Suaj për të amenduar ligjin për Shërbimin Informativ të Shtetit tonë i shtohet listës së afro dhjetë akteve të tjera, të pagjykuara ende prej Kushtetueses , ku lexohen qartë gjurmët e antikushtetueshmërisë. Këto janë rekorde që fatmirësisht e ardhmja nuk do ti thyejë dot kurrë por që fatkeqësisht tregojnë problemin e madh të të tashmes shqiptare për shkak të të kuptuarit që qeveria Juaj ka me Kushtetutën qoftë në gërmë e qoftë në frymë. Një numër interesash e synimesh të lexueshme për të gjithë ia kanë bërë të rëndomtë kësaj maxhorance avazin e shkeljes së Kushtetutës.

Ju zoti Berisha, nuk ju pengon Kushtetuta të pranoni projektin tonë, po mungesa e vullnetit politik për ta respektuar Kushtetutën! Ju i atribuoni Kushtetutës një kufizim që ajo nuk e ka. Ju e lexoni sërish gabim apo sic i´u pëlqen atë, ashtu sic lexoni gabim apo sic ju pëlqen vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që në fakt thotë pa asnjë ekuivok, njësoj si edhe Komisioni i Venecias, se objekti i hetimit përcaktohet nga pakica që propozon ngritjen e komisionit hetimor dhe nuk mund të kufizohet nga shumica e parlamentit.

Zoti kryeministër,

Nuk është ende vonë!

Clirimi i zgjedhjeve nga korrupsioni është clirimi i zgjedhjeve për shqiptarët.

18 marsi është dita e caktuar dhe e duhur për ta bërë së bashku në Kuvendin e Shqipërisë, në vëmendjen e jashtëzakonshme të opinionit publik shqiptar dhe miqve e partnerëve tanë ndërkombëtarë, hapin e madh drejt këtij clirimi që do të ndikojë fuqishëm edhe kundër fenomenit të korrupsionit në tërësi.

Le ta bëjmë këtë hap me kurajo e në mirëbesim reciprok, të ftojmë edhe miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë të na ndihmojnë me praninë dhe sygjerimet e tyre në procesin e transparencës, t´u japim tërë shqiptarëve mundësinë e një eksperience të pashlyeshme demokracie, duke e bërë transparencën instrumentin e shkuljes së korrupsionit nga procesi zgjedhor dhe duke u dhënë të gjithëve mesazhin shpresëplotë të shpëtimit të lirisë e garantimit të ndershmërisë së zgjedhjeve në Shqipëri.

Ka ende kohë për të reflektuar, folur e zgjidhur këtë nyje gordiane me shpatën e kurajos politike e qytetare që kërkon një moment kaq delikat kur duhen hapa kurajozë përpara, duke filluar nga transparenca e zgjedhjeve e vazhduar vendosmërisht me reformat e tjera të integrimit dhe me implementimin e tyre për një Shqipëri Europiane ku ligjet e shkruara të jenë ligje të zbatuara.

Fortifikimi i mëtejshëm i pozicionit Tuaj të vjetër, me argumenta që janë vetëm një alibi e ngritur mbi frikën nga transparenca dhe si rrjedhojë refuzimi i transparencës nga ana Juaj në 18 mars, do të ishte një gabim që sot nuk jemi në gjendje t´ia parashikojmë dot pasojat.

Uroj që ky të mos jetë rasti, por jam i detyruar t´Ju siguroj publikisht se nëse kështu do të ndodhë, opozita është e përgatitur për ta vazhduar përpjekjen e saj demokratike deri në largimin e kësaj qeverie.

Sinqerisht
Edi Rama

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›