E Diel, 1 Nëntor 2026

Letra/30 prilli, me aktorë të rinj, por me skenarë të vjetër

Në 26 maj 1996 Berisha rifitoi mandatin e dytë qeverisës, por me probleme. Socialistët të sigurtë për humbjen, i kishin dalë të keqes përpara; urdhëruan komisionerët e tyre të braktisnin procesin, që më pas komisionerët e djathtë “të bënin dasëm”. Atë ditë G.Ruçi nuk ishte në Shqipëri, por kjo s’do të thotë se ai nuk ishte autor i këtij skenari. Ashtu siç ishte autor i ‘Ruzhdies”, por këtë radhë i dështuar. Në mëngjesin e 28 majit të vitit 1996 drejtuesit e PS dhe të opozitës antiBerishë, u grumbulluan në selinë e PS. Disa me të qeshur, disa shumë seriozë, u kishin thënë grave dhe të tjerëve në shtëpi që do të shkonin për t’u rrahur. Kur ndonjë nga të shtëpisë i kishte thënë: po kush do ju rrahë, Gramozi nuk është fare në Shqipëri”, u ishin përgjigjur: këtë radhë do na rrahë Saliu. Po si? Do t’í ngacmojmë, do t’í nevrikosim, derisa ndonjë nevrik të na kthehet’e të na godasë vetëm sa për ta filmuar. Po edhe nëqoftëse nuk e hanë këtë kokërr ulliri i kemi marrë masat që nga turma do të dalim të gjakosur. Do e shikoni vetë ç’do bëhet.
Dhe u bë ajo që ishte përgatitur dhe parathënë.
Edi Rama është ca i vonuar nga ajo që bënë paraardhësit e tij, por mesa duket kishte probleme të tjera. Madje sipas tij tashmë është edhe momenti. Këto ditë pritet që të merret vendimi për liberalizimin e vizave dhe ai nuk do t’ia lërë këtë as Berishës. Ndryshe, t’í qajë zgjedhjet lokale dhe ëndrrën Kryeministrore. Ndërsa po ia dështoi vizat, mund të shpresojë të arrijë dicka.
Dikush mund të thotë: “Po nuk morëm vizat, prapë faji i mbetet Ramës, se për faj të tij dhe të zullumeve që bën s’do përfitojmë”. Por Rama mendon dhe punon ndryshe. E keni vënë re këto kohë që po tregohet tolerant, i butë, bashkëpunues, që bën gjoja sikur po kërkon të hiqen vizat, që nuk flet që nuk do hiqen, por flet vetëm për kafshatën e bukës, për dritat e për ujin. Këtë punë të ashpërsimit të situatës ia ka lënë në dorë Spartakut të Ngjelajve, se të tijtë nuk po duken. E sidomos ai Veliaj, që na ëshë zhdukur fare se na ishte bërë “si çuni i shtëpisë”. Tani ia ka zënë vendin Ngjela dhe Zogaj. Të dy kanë eksperiencë nga 28 maji. Për këtë i do edhe Rama.
Por mesa duket ata e kanë këshilluar që të mos ndjekë përvojën e 28 majit, por më radikale. Berisha që u dogj nga qulli do i fryejë kosit. Rama foli para ca kohësh për revolucion e kryengritje. Si duket e këshilluan të heshtë, që të mos dekonspirohej. Këtë punë po e bën Ngjela. Ai ka shpallur çmim për atë që vë flamurin e fitores në taracën e kryeministrisë, ndërsa Ruçi ka heshtur deri tani. Mesa duket ai ka në mendje dicka më të madhe. Nuk i eci atë natë në Fier, se ia dogji Berisha. Në vend që të dërgonte trimat e tij, të fortët e tij, dërgoi artisten dhe i çarmatosi trimat që kishte bërë gati Gramozi. Rama ka ditë që flet për protestë paqësore. Gramozi nuk flet fare. Ngjela flet për revolucion dhe gjak. Po Ngjela është Ngela dhe asnjë nuk e beson. Turma do të jetë e madhe, e nxehur që Edit iu “vodhën” votat. E në mes të turmës, Gramozi mund të fusë edhe ndonjë “borxhli” të tij, kur ishte ministër i brendshëm dhe ashtu si rastësisht ky borxhli mund të ketë edhe një thikë dhe ashtu duke u shtyrë kjo thikë mund të ngulet në mish dhe pastaj... “Heroi i demokracisë”, “therori i votës së lirë” do të ngrihet lart nga supet e deputetëve më të gjatë të PS dhe Edi Rama do të mbajë fjalën historike që do e ketë të gatshme në xhep. Skenari me fatkeqin Rustemi në Vlorë nuk pati sukses, po këtë radhë suksesi nuk është tek pushteti, ai “do merret me votë”, por tek vizat. Po vec “borxhlinjve” të Gramozit, Edi ka si rezervë edhe oficerët e policisë të larguar “për shkak të reformës”. Këta e dinë një shërbim i tillë për Edin, do të thotë mandat i deputetit në zgjedhjet e ardhshme. Dhe Edi u thotë: sillini sa më shpejt zgjedhjet e parakohshme dhe do jeni në Kuvend.
Dhe pas masakrës sigurisht nuk ka viza.
Do të kemi një paradë në “mediat e pavarura” të Gjonit, Beqjes, Shamkut, Klosit, Bushatit dhe të sejmenëve të Ramës, nga deputetët e Bashkisë.

Masar Kalo

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›