Mijëra hektarë troje publike në bregdet për kompesimin e ish-pronarëve

Përfundon punën komisioni i posaçëm ndërministror, i ngritur për të identifikuar trojet e lira, që do të përdoren për kompesimin e ish-pronarëve. Zgjidhja e kontesteve për pronën, një rast për kapërcimin e ngërçit, nëpërmjet dhënies së trojeve të lira në bregdet. Procesi pritet të marrë udhë brenda muajve të parë të pranverës
TIRANE - Çështja e kthimit dhe kompensimit të pronave, ishte kryefjala e mbledhjes së djeshme të Këshillit të Ministrave. Zgjidhjen e këtij problemi Kryeministri Berisha e ka cilësuar si “kushti më themelor për stabilitetin dhe zhvillimin e tregut të lirë”.
Duke e konsideruar këtë si një detyrim absolut të qeverisë, Kryeministri Berisha ka sugjeruar si zgjidhje të problemit “vënien në dispozicion të disa mijëra hektarëve tokë në troje turistike për ish- pronarët”, pasi sipas Kryeministrit ndryshe “ky proces nuk do të mund të marrë zgjidhje”.
Kryeministri Berisha bëri të ditur më tej se “një grup Ad-hoc ka punuar me intensitet për identifikimin e tokave publike në zonat turistike për të kompensuar pronarët shqiptarë, që do të konkretizohet së shpejti në një paketë të re aktesh nënligjore”.
Kryeministri Berisha vlerësoi se “Procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave është një proces themelor, me një faturë që vjen në rritje progresive, sepse çdo vit çmimi i trojeve rritet. Ai ka arritur në 2 mijë euro në qendër të Tiranës dhe ju siguroj se në vitet në vazhdim do të arrijë në 5 mijë e më shumë euro”.
Në këtë kontekst Berisha vlerësoi se “është jashtëzakonisht e rëndësishme për vendin, në përputhje me detyrimin madhor që shteti ka ndaj ish pronarëve, që ato të rikthehen ku është e mundur, të kompensohen. Pa faktorin kompensim, ky proces nuk mund të kompletohet në asnjë mënyrë, sepse zëniet e sipërfaqeve janë shumë të mëdha dhe janë jashtëzakonisht të kushtueshme”.
Duke u ndalur tek ecuria e punës në këtë proces, Kryeministri bëri të ditur se “Harta e çmimeve është përfunduar dhe mbi bazën e atyre çmimeve do mund të përdoret një sipërfaqe e madhe që është identifikuar dhe verifikuar me të gjitha dokumentacionet se është sipërfaqe publike. Mbetet për të përcaktuar procedurën e transferimit, të dorëzimit dhe mënyrën si do të shpërndahet kjo sipërfaqe”.
Për s ai përket zonës së kryeqytetit, Kryeministri tha se, “Vetëm qendra e Tiranës, me çmimin e saj aktual dhe që pothuajse kudo ka pronarët e vet, përbën një bazë monetare aktualisht të papërballueshme, ndaj duhet të përdorim të gjitha mundësitë dhe mundësia e parë më e madhe është t’u ofrojë pronarëve troje turistike. Këto troje do të mund të përdoren në përputhje me parimet e platformën zhvillimit të turizmit, por në këtë mënyrë përdoren sot edhe trojet private, për të cilat ka një përcaktim se si ato dhe cilat prej tyre do të mund të përdoren për zhvillimin e turizmit”.
Kryeministri Berisha nuk përjashtoi as mundësinë që trojet që do t’u ofrohen pronarëve, të mund të përdoren dhe jo që përjashtohen nga kritere përjashtuese për ndërtime. Kryeministri tha se territoret që do të vihen në përdorim “janë bregu i Adriatikut, një pjesë e bregut jonian dhe dy liqenet, ai i Shkodrës dhe Pogradecit. Një shqyrtim duhet të bëhet edhe për zonën jashtë parkut kombëtar të Dajtit dhe malit të Priskës”.
Duke qenë se studimi ka avancuar shumë dhe po shkon drejt finalizimit, Kryeministri vlerësoi si të domosdoshme që “javën e ardhshme të vijnë në qeveri aktet nënligjore të procedurës së këtij procesi. Ne duhet të bëjmë çdo përpjekje për të kompensuar pronarët, sepse ky është një detyrim që rrjedh nga thelbi i këtij sistemi”.
Duke stigamtizuar opzitën, Berisha deklaroi më tej se “Ne nuk mund t’i themi pronarëve, siç u thotë ish kryetari i bashkisë, shkoni dhe gjeni partinë tuaj. Ne jemi parti e mazhorancë e hapur, por nuk mund të injorojmë në asnjë rast e rrethanë një detyrim absolut ndaj tyre, përndryshe, në qoftë se ne nuk i qëndrojmë plotësisht kthimit dhe kompensimit të saj siç ka përcaktuar Kushtetuta e vendit, por siç e ka në themel edhe Kushtetuta e këtij sistemi, prona nuk do të gjejë ndonjëherë stabilitet në këtë vend”.
Lidhur me përgatitjen e kësaj pakete dhe akteve të saj nënlgjore Kryeministri vlerësoi se në këtë drejtim, një puinë shumë të madhe ka bërë dhe Ministria e Drejtësisë, e cila është konsultuar edhe me grupe interesi të interesuara për këtë çeshthje. Kryeministri u shpreh se “me këtë paketë ne ia dalim t’i japim një përgjigje jashtëzakonisht serioze këtij problemi, ndonëse nuk mund të them se shkon në një zgjidhje përfundimtare, por kjo krijon kushte të sigurta dhe nxjerr në horizont zgjidhjen përfundimtare të tij”. Kryeministri Berisha deklaroi se “Shpresoj që kjo nismë e qeverisë të ketë një mirëkuptim të gjerë, pasi zgjidhja e problemit të pronësisë është kushti më themelor për stabilitetin dhe zhvillimin e tregut të lirë”.