E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reflektim mbi agjërimin e krishterë dhe krahasimi me fetë e tjera

Në ditët tona, praktika e agjërimit duket se e ka humbur pak vlerën e saj shpirtërore, e në një kulturë të shënuar nga mirëqënia materiale, ka marrë vlerën e një mase terapeutike për kurimin e trupit. Ky është një nga reflektimet më të rëndësishme të Papës Benedikti XVI, në Mesazhin e Krezhmëve 2009. Pikërisht për agjërimin e krishterë, i detyrueshëm të Mërkurën e Përhime e për të Premten e Madhe, flet në mikrofonin e Radio Vatikanit, kryetari i Këshillit Papnor “Cor Unum”, kardinali Pol Jozef Kordes: “Gëzohem që Papa ka zgjedhur këtë temë. Jetojmë në një botë, ku mbretëron kulti i trupit. Është e vërtetë se Shën Pali thotë: “Askush nuk e ka përbuzur kurrë trupin e vet”, prandaj është e rëndësishme të kujdesemi për trupin. Por, nganjëherë, ky kujdes është i ekzagjeruar. Vetëm në Gjermani, janë shitur 18 milion paketa për t’u dobësuar. Nuk duhet ta kurojmë në ekstrem trupin. Prandaj, ishte e rëndësishme që Papa të fliste për agjërimin. Përveç kësaj, edhe fe të tjera praktikojnë agjërimin: njohim Ramazanin e myslimanëve. Në një kontekst fesh të ndryshme, është detyrë e rëndësishme të nënvizohet rëndësia e agjërimit fillimisht, e pastaj, të zbulohet veçoria e atij të krishterë. Siç thoshin romakët: Mens sana in corpore sano. Mendja e shëndoshë ka nevojë për një trup të shëndoshë. Trupi ka vlerën e vet, nuk mund ta mohojmë. Por, kujdesi i jashtëzakonshëm për trupin ka gjithnjë rreziqe me vete. Reklamat, për shembull, na tregojnë trupa të bukur: rrallë paraqesin të moshuarit që vuajnë. Trupi vihet kaq shumë në dukje, saqë nuk shohim më atë që është më i rëndësishëm se trupi, nuk shohim shpirtin, vullnetin, lirinë. Janë vlera abstrakte, por të rëndësishme për të t’i dhënë trupit vendin e duhur. Kulti i trupit është shumë i rrezikshëm, pasi dëshira për ta dominuar përmes vullnetit të njeriut, e kthen trupin në tiran. Nëse shohim fetë e tjera të mëdha zbulojmë se Islami, për shembull, nuk ka të njëjtën marrëdhënie me Krijimin si krishtërimi. Islami nuk mund të zbulojë tek Krijimi asnjë element hyjnor, sepse Allahu është larg tij. Allahu i jep shpirt Krijimit përmes ligjit, përmes sheriatit, por nuk ka me të asnjë marrëdhënie personale. Ndërkaq, i krishteri mund të identifikohet me Krijimin, pasi Krishti është Biri i Hyjit të mishëruar. Kjo na lejon ne të kemi marrëdhënie me vetë Zotin. Krishti është modeli ynë, Ai shkoi në shkretëtirë e kështu, në agjërim mund të gjejmë vetë Jezu Krishtin. Më duket se të gjitha mënyrat e agjërimit janë të rëndësishme, por qëllimi është të shikojmë se si e përjeton Jezu Krishti agjërimin në shkretëtirë: aty kemi përpara një person. Islami ka përpara një ligj, një Allah të largët, ne kemi Krishtin pranë, që na jep shembullin si të agjërojmë. E rëndësishme është që në agjërim të gjejmë Krishtin. Agjërimi i vullnetshëm në kohën e Kreshmëve, mund të kontribuojë në luftën kundër varfërisë në botë. Papa e thotë mjaft qartë në Mesazh. Nëse unë mohoj diçka të mirë e të dobishme për trupin tim, më mbetet edhe një sasi parash në dorë. Nëse mohoj televizionin për sytë e mi, do të kem kohë të lutem. Nëse e fshij nga zemra krenarinë, ndoshta do të kem dëshirë të rrëfehem. Kështu, koha e Kreshmëve është për mua kohë e thellimit në jetën e krishterë. Është gati një ushtrim shpirtëror. Kisha na ofron 40 ditë për t’u përgatitur për Pashkët. Nganjëherë është menduar se përgatitja ishte vetëm dhënia e lëmoshës e njerëzit thoshin: nëse bëj një ofertë të mirë e kam bërë përgatitjen. Por, ky Mesazh i Papës për Kreshmët na tregon qartë se ekzistojnë elemente të tjera të rëndësishme, që i japin kuptimin e vërtetë Kreshmëve, të cilat janë përgatitje për t’i kremtuar Pashkët si vdekje e ngjallje e Jezu Krishtit. Tri mjetet e dobishme për të jetuar Kreshmët: lutja, lëmosha e agjërimi/Me të Mërkurën e Përhime, fillon për Kishën Katolike koha e Kreshmëve. Papa Benedikti XVI kremtoi pasdite në Bazilikën e Shën Sabinës në Romë, Meshën me ritin e bekimit e të përhimjes, e cila u parapri nga procesioni pendestar, nga kisha e Shën Anselmit. Kreshmët sipas këndvështrimit të Shën Palit Apostull: ky ishte filli, që përshkoi homelinë e Papës, i cili i ftoi besimtarët ta shfrytëzojnë këtë kohë të shenjtë për t’u kthyer në rrugën e Zotit: “Premtimi i Hyjit është i qartë: nëse populli do ta dëgjojë ftesën për t’u kthyer, Zoti do të ketë mëshirë e miqtë e tij do të mbushen me favore të panumërta”. Papa theksoi se hapi i parë drejt udhës së Zotit është Pagëzimi, por kjo nuk mjafton. Duke kujtuar Shën Palin Apostull, Benedikti XVI sqaroi se shenjti, që më parë ishte persekutues i të krishterëve, e kupton më vonë se kthimi në rrugën e Damaskut e gjithçka në të është vepër e Hirit Hyjnor, por nuk harron se çdo person duhet të marrë pjesë lirisht në jetën e re, që e ka fituar me anë të Pagëzimit. Për këtë, duhet të lirohet vazhdimisht nga mëkatet, siç shkruan apostulli në Letrën drejtuar Romakëve. Është një program i vërtetë për Kreshmët, pohoi Papa Ratzinger: “Nga njëra anë, pohohet fitorja e Krishtit mbi mëkatin, arritur një herë e përgjithmonë me vdekjen e ngjalljen e Tij; nga ana tjetër, shtyhemi të mos i ofrojmë mëkatit gjymtyrët, pra, të mos i japim, nëse mund të themi kështu, hapësirë shpagimi mëkatit”. Por si mund ta realizojmë thirrjen e Pagëzimit, si mund të dalim fitimtarë në luftën ndërmjet korpit e shpirtit, ndërmjet së mirës e së keqes, luftë që shënon ekzistencën tonë? Në Ungjillin e sotëm, vërejti Papa, Zoti na jep tri mjete të dobishme: lutjen, lëmoshën e agjërimin. Më pas, Ati i Shenjtë vuri në dukje se sa të rëndësishme kanë qenë këto tri mjete për Shën Palin Apostull e sa duhet të jenë për çdo besimtar në përgatitjen për Pashkët. Që këtu, detyra për të mos jetuar vetëm me bukë, tha Papa, duke perifrazuar fjalët e Jezu Krishtit në shkretëtirë, në të parin nga tri tundimet: “Ja pra, thirrja e të krishterëve: të ringjallur në Krishtin, ata kanë kaluar përmes vdekjes e tashmë jeta e tyre është e fshehur me Krishtin në Zotin. Për ta jetuar këtë ekzistencë “të re” në Zotin është e domosdoshme të ushqehen me Fjalën e Zotit”

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›