Letra/Historia dhe rinia e sotme
Tek disa kanale televizive sot në Shqipëri, po vihet re se ka filluar një nismë e mirë duke diskutuar tema të ndryshme nga historia jonë, përfshirë këtu edhe ndonjë figurë të njohur politike të asaj kohe. Natyrisht që këto për teleshikuesin, i cili do që ajo periudhë të zbardhet sa më mirë, është interesante, por do sugjeroja, sikur të ftuar në këto studio, krahas atyre që kanë mbaruar universitetet në periudhën e monizmit, të cilët e kanë ca të vështirë të dalin nga vetja dhe të përgënjeshtrojnë ato që u kane servirur studentëve të tyre për një kohë aq të gjatë, të ketë më shumë edhe nga brezi ynë i ri i shkolluar brenda apo jashtë vendit, të cilët flasin pa tendenca dhe vetëm me gjuhën e historianit.
Duke parë gjithashtu që pjesëmarrësit aty në sallë janë kryesisht të rinj, të rritur gjatë periudhës së tranzicionit, që nuk e njohin edhe aq mirë këtë histori, nuk janë as në gjendje sigurisht, që të kuptojnë se për ç’ka aty flitet; Kështu që mjaftohen vetëm me ndonjë duartrokitje, që të kujton ato takimet e dikurshme në komunizëm, ku gjithçka kalohej pa debate dhe e aprovuar nga të gjithë njëzëri.
Mendoj, pra se u bie detyrë mjeteve të sotme informative; kryesisht gazetave me artikujt e tyre, librat dhe sidomos këtyre emisioneve, për t’ua plotësuar kësaj gjenerate, këto mangësi me të dhëna tashmë të sakta, të kuptueshme dhe kohore.
Por tematikat që zhvillohen, me sa shihet, nuk janë edhe aq tërheqëse për këtë moshë,. U flasim për shembull për Ali Pashë Tepelenën, për Princ Vidin, për Ismali Qemalin duke u zgjeruar bile edhe sa herë ai ka qenë martuar, me kë dhe sa fëmijë ka patur, apo për Skënderbeun para pesëqind vjetësh, që nga disa historianë po na del se edhe nuk paska egzistuar fare, kur më e nevojshme do ishte, për mendimin tim, që t’u flasim për një kohë më të afërt dhe kryesisht për atë, ç’ka ka ndodhur gjatë atyre 30-40 vjetëve të shkuara, të cilën e kapërcejmë duke e konsideruar si një pjesë të pa rëndësishme të historisë.
Pra, duke e lënë këtë periudhë krejt në harresë, sikur ajo të paskish ndodhur “Para Erës Sonë”, u krijojmë atyre, pra rinisë, jo vetëm një boshllëk, por edhe shkas, që ata të na shprehen me indiferentizëm se; “Nuk na intereson të dimë shumë për komunizmin”. Që do të thotë, se ai, nuk është i interesuar ndofta që të dijë as dhe për diskriminimin, që i është bërë nga ai regjim familjes së vet! E quan të parëndësishëm, të mos themi mburrje, edhe implikimin e ndonjë të afërmi me diktaturën, apo ndofta edhe me krimin; Nuk ka as kuriozitet, që të pyesë se a ka qenë e tija ajo shtëpi, në oborrin e të cilës, mund të kenë dalë në fotografi e ëma apo i ati, kur kanë qenë në moshë të re! Dhe del pyetja, a mos dikujt ndofta i intereson që kjo rini të jetë në këtë gjendje?
Vitin e kaluar na bëri përshtypje kur u ngritën “të revoltuar” por të pavetëdijshme ndaj historianit B.Meta, i cili u orvat të korrigjojë diçka nga libri i historisë së shkollave te mesme! Bashkohet dhe kundërshton me forcë sot për prishjen e “Piramidës së Enverit” duke e justifikuar se “i dhimbset” djersa dhe taksat e popullit, por nuk e kemi parë të paktën vetëm nje herë, që po me kaq dhimbshuri të solidarizohet edhe me ata martirë të komunizmit, moshatarë me këta sot, që për hir të kësaj demokracie, u vranë apo vdiqën nëpër kampet e Spaçit, Bulqizës, Qafës së Barit e në shumë e shumë “Auschwitz” të tjerë, apo edhe të propozojë që pikërisht këto vende, të ruhen si simbole të asaj diktature dhe të kthehen mundësisht në muze, për t’i parë ata vetë, apo edhe brezat pasardhës!
Sepse komunizmi të dashur të rinj dhe sidomos ne vendin tonë, pavarësisht që ju për fat të keq nuk jeni edhe aq në dijeni, nuk ishte një përrallë, “Na ishte se kush na ishte” si ç’po mundohen që t’ua paraqesin juve disa, por një sistem totalitar i organizuar dhe i kopjuar nga diktaturat më të egra, qe ka patur njerëzimi dhe i zbatuar me përpikmëri nga një “Personel i Zgjedhur” duke filluar që nga krimineli më i madh i kohrave, Enver Hoxha e deri tek ai gardian i zellshëm burgu, i cili ndjente kënaqësi, kur hekurat viktimës ia shtrëngonte më tepër se ç’duhej. Dhe u takon sot pikërisht juve, që jo vetëm ta njihni mirë atë periudhë, por edhe ta propagandoni si një të keqe të madhe që e kaloi populli ynë, në mënyrë që ajo të mos përsëritet më kurrë; Sepse ashtu veprojne edhe kombet e tjerë, ashtu bën edhe rinia inteligjente izraelite, e cila holokaustet e nazizmit gjerman, një histori para shtatëdhjetë vjetësh, nuk e lë që të harrohet kurrë. Edhe kur bie rasti që do nxjerrim para jush ndonjë nga ato viktimat e atij sistemi, sigurisht sot i plakur, na duket sikur po bëjmë ndonjë gabim dhe jemi duke zbutur “Luftën e klasave”. Për aktivitetin e M. Frashërit, “Gjeniut të kombit”, siç e ka cilësuar me të drejtë edhe historiani U.Butka, audiencës i flasin më shumë për një letërkëmbim, që ai paska patur me një zonjë rumune dhe jo për atë veprimtari aq të madhe patriotike me të cilën është e mbushur jeta e tij. Kur flitet për Mbretin Zog, F.Konicën, A.Kupi e shumë e shumë të tjerë, merremi më tepër me ndonjë gabim që ata paskan bërë dhe jo për vlerat e tyre aq të mëdha dhe si burra shteti. Arkivat, për jetën e Esat Toptanit, jemi kuriozë dhe mundohemi që t’i gërmojmë sa të jetë e mundur e më shumë, ndërsa për persekutorët e komunizmit, për të cilët nuk kemi edhe aq shumë nevojë për këto arkiva, sepse janë dëshmitarët gjallë, nuk kemi vendosur akoma që t’i komentojmë.
Po a mund që të lihen në harresë ato gjashtë mijë intelektuale te pushkatuar, tridhjetëmijë të burgosur politikë, apo shtatëdhjetëmijë të internuar? Nuk mund të lihen pa u komentuar me ju rininë gjithashtu edhe marrëzitë e atij sistemi, kur ndërtuam treqind mijë bunkerë që na i ngulën edhe nëpër oborret e shtëpive tona! Që ngritëm një metalurgji gjoja “Çlirimi i dytë i Shqipërisë”, por që ishte një garbiç “i dhuruar” nga Kina e Maos! Që i kooperativizoi fshatarit edhe pulën e tij të vetme, sepse kështu, sipas tyre, mund të shkohej në socializëm!
Pra, duke mos e sqaruar këtë gjeneratë për gjithë këto ndodhira, me të drejtë ata bëhen jo vetëm indiferentë, por edhe pesimistë duke u shprehur se “Kështu jemi ne shqiptarët,” që në realitet, nuk është e vërtetë.
Të shpresojmë, që me rastin e “100-vjetorit” të pavarësisë që kemi përpara, t’i vëmë më shumë rëndësi interesave të kombit, në mënyrë që me rininë të flasim hapur duke i treguar asaj historinë e vërtetë; Atë histori të mbushur me plot ngjarje të rëndësishme dhe me mjaft bashkëkombas të mëdhenj, për të cilët ata me të drejtë, mund të krenohen.