E Diel, 1 Nëntor 2026

Bumçi: “Ndërkombëtarët kanë kërkuar kufizim të imunitetit të gjyqtarëve, jo të prokurorëve”



Ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi, ka bërë të ditur se ligji për Prokurorinë, që është duke u hartuar nga Ministria e Drejtësisë, nuk do të jetë mbi Kushtetutën. Ai ka shpjeguar se në kohën kur ai ka mbajtur postin e ministrit të Drejtësisë, institucionet ndërkombëtare kanë kërkuar kufizimin e imunitetit të gjyqtarëve dhe jo të prokurorëve. Sipas Bumçit, nuk ka mundësi që të kontrollohet imuniteti i prokurorëve. Megjithatë ai thekson se ende nuk e ka parë draftin, ndërkohë që garanton se maxhoranca nuk do të lejojë kurrsesi që të miratohet një projektligj që bie në kundërshtim me Kushtetutën. “Projektligji për Prokurorinë nuk e rrezikon këtë organ të vendoset nën kontrollin e Ekzekutivit ose të maxhorancës. Kjo është e pamundur, sepse Kushtetuta përcakton mënyrën e emërimit dhe të funksionimit të Prokurorisë dhe kjo nuk mund të cenohet. Institucionet ndërkombëtare kanë qenë kritike për imunitetin që kanë gjyqtarët e jo për prokurorët. Ato kanë kërkuar kufizim të imunitetit në përgjithësi për personat e zgjedhur si deputetë, ashtu dhe për gjyqtarë”, - është shprehur Bumçi.

3 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›