Ligji për spiunët, sot diskutim me grupet e interesit në Komisionin e Ligjeve
Komisioni Parlamentar i Ligjeve do të shqyrtojë gjatë mbledhjes së sotme ligjin për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë. Të ftuar në këtë mbledhje për të dhënë opinion e tyre do të jenë dhe grupet e interesit. Kështu, e pranishme do të jetë kryetarja e Grupit për të Drejtat e Njeriut, Elsa Ballauri, si dhe një përfaqësues nga shoqatat e ish-të përndjekurve politikë. Deputeti i PD-së, anëtar i Komisionit të Ligjeve, Aldo Bumçi, ka bërë të ditur dje dy pikat për të cilat nuk ka ende një konsensus midis PD-së dhe PS-së. Sipas Bumçit, PD-ja kërkon që në rast se vërtetohet që një i zgjedhur, apo i emëruar, apo i votuar, apo i dekretuar, pas verifikimit rezulton se ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, ai duhet të ndërpresë menjëherë mandatin e tij. Por kjo pikë kundërshtohet nga opozita, e cila mendon se mandati nuk mund të ndërpritet, thjesht ky person, pasi përfundon mandatin, nuk ka të drejtë të zgjidhet apo të emërohet në një detyrë të lartë shtetërore. Një tjetër pikë e debatueshme është se PD-ja kërkon që objekt i verifikimit të jenë të gjithë zyrtarët e lartë, pavarësisht nëse janë verifikuar një herë nga komisioni i ngritur në vitin 1995. Por ky propozim nuk pranohet nga PS-ja, e cila mendon se nuk ka asnjë arsye që personat që janë verifikuar më parë të verifikohen sërish. Pritet që mbledhja e sotme e Komisionit të Ligjeve të sjellë vendime të reja në lidhje me këtë çështje të shumë debatuar.
3 Shtator 2008