Cërvenkovski premton lëshime për emrin e Maqedonisë
Presidenti maqedonas, Branko Cërvenkovski, premtoi se “Shkupi mund të bëjë disa lëshime lidhur me formulën për emrin kushtetues, në mënyrë që konflikti me Greqinë të zgjidhet sa më shpejt”. Ai ka theksuar se realiteti i ri në Ballkan kërkon që Maqedonia të bëjë disa lëshime për ta zgjidhur këtë çështje. “Gjithsesi, ndjesia e identitetit etnik dhe linguistik janë dy karakteristika themelore të një vendi, ndaj kompromisi lidhur me to është thjesht i pamundur”,- deklaroi Cërvenkovski. Maqedonia sipas tij ka humbur kohë të çmuar në një moment shumë të rëndësishëm të historisë së saj. “Nëse një zgjidhje do të gjendet deri më 9 korrik, atëherë Maqedonia do të mundë të arrijë Shqipërinë dhe Kroacinë në përpjekjen për anëtarësim në NATO”. “Nuk ka mbetur shumë kohë deri më 9 korrik”,- tha Cërvenkovski, duke akuzuar kryeministrin e Maqedonisë, Nikolla Gruevski për vendimin e tij të nxituar për zgjedhjet e parakohshme.
Bosnja padit OKB-në në Hagë për masakrën e Srebrenicës
Personat që mbijetuan nga masakra e Srebrenicës në Bosnjë paraqitën në Hagë një aktpadi civile ndaj shtetit holandez dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Tetë mijë myslimanë të Bosnjës u vranë në Srebrenicë në vitin 1995, kur kjo enklavë ra në duart e forcave serbe të Bosnjës. Në atë periudhë Srebrenica ishte zonë e sigurt e mbrojtur nga paqeruajtësit holandezë të Kombeve të Bashkuara. Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës me qendër në Hagë e ka klasifikuar si gjenocid atë që ndodhi në Srebrenicë. Tashmë gjykata e qytetit të Hagës do të vendosë nëse qeveria holandeze e kohës dhe Kombet e Bashkuara mbajnë përgjegjësi për atë që ndodhi. Holanda ndërkohë mbrojti imunitetin e saj ndaj akuzave për përgjegjësi në ngjarjet që i paraprinë masakrës së Srebrenicës, në vitin 1995. Në Gjykatën në Hagë, shteti holandez tha se kjo gjykatë nuk është kompetente të gjykojë rastet kundër trupave ndërkombëtare siç është OKB-ja.
Tadiç urdhëroi konstituimin e Kuvendit dhe qeverisë serbe
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ka kërkuar konstituimin sa më të shpejtë të Kuvendit dhe të qeverisë serbe duke konsideruar se vetëm me formimin e institucioneve të reja mund të realizohen interesat kombëtare të Serbisë, njëra prej të cilave është ruajtja e integritetit territorial dhe sovranitetit. Presidenti Tadiç ka vlerësuar se Serbia e ka të unifikuar politikën për ruajtjen e Kosovës, dhe e tillë edhe duhet të vazhdojë. Partia Demokratike e Serbisë, e udhëhequr nga Vojisllav Koshtunica, ka kërkuar që Kuvendi serb ta shpallë të pavlefshme menjëherë hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Kosovës dhe misionin e BE-së, EULEX, i cili do të zëvendësojë misionin e OKB-së, UNMIK.
19 Qershor 2008