Lëv fiton, Balak kërkon falje
Joakim Lëv fitoi "mundjen e krahut" me kapitenin e kombëtares gjermane, Mikael Balak. Mesfushori i Çelsit kërkoi falje për kritikat që i kishte bërë trajnerit në media, duke mos pranuar zgjedhjet e tij teknike. Në orët e vona të mbrëmjes së të shtunës, Balak lëshoi një deklaratë për shtyp, ku citohej: "Isha i vetëdijshëm se do më kritikonin për komentet që bëra në media, por nuk e dija se kjo do të shndërrohej në një çështje kaq të madhe. Pranoj se gabova duke zgjedhur këtë rrugë. Do të takohem sa më shpejt me trajneri Lëv dhe do t‘i kërkoj falje për mënyrën sesi u solla. Të gjithë duam më të mirën për skuadrën".