Levi: Realizuam misionin tonë, nuk kishte rëndësi spektakli
Trajneri i Skënderbeut, Stanislav Levi, ka qenë i kënaqur nga të tijtë, pavarësisht se ekipi nuk fitoi apo nuk u ngjit në nivelin e duhur
Ka qenë i qetë në takimin e djeshëm të kupës, ndryshe nga ndeshja e kaluar në Krujë për kampionat, ku për shkak të luhatjes së tensionit ai nuk mund të rrinte në stol në pjesën e dytë. Trajneri çek i Skënderbeut, Stanislav Levi, dje bashkë me ekipin e tij ka qenë racional. Ai në vend të një fitoreje apo të një ndeshjeje të bukur me gola dhe spektakël, ka preferuar më mirë një rezultat të sigurt që të çonte Skënderbeun në finale të Kupës së Shqipërisë.
Dhe këtë mision e ka realizuar, kjo falë edhe fitores në ndeshjen e parë në Korçë me rezultatin 3-1. Pavarësisht rezultatit, ne e realizuam synimin tonë. Edhe pse nuk u paraqitëm ashtu siç dëshiroja, e rëndësishme për ne ishte kualifikimi për në finalen e Kupës së Shqipërisë. Djemtë zbatuan me përpikëri detyrat, u mbrojtën mirë dhe kundërsulmuan kur duhej.
Mund të kishim shënuar ne, mund të kishte shënuar kundërshtari, nuk ka rëndësi për mua, madje edhe po të ishim mundur 1-0. Qëllimi kryesor ishte kualifikimi dhe këtë e realizuam, madje pa humbur në ndeshjen e dytë. Nuk është keq një barazim në Krujë po ta shohësh në pamje të parë, është shprehur në lidhje me ndeshjen e djeshme në Krujë trajneri i Skënderbeut, Stanislav Levi.
Kampionati Padyshim që tashmë vëmendja do të kalojë në frontin tjetër, atë të kampionatit, aty ku Skënderbeu është sërish protagonist, madje i pari. Por ndeshja e radhës, ajo me Flamurtarin në Vlorë mund të përcaktojë titullin për korçarët. Themi kështu, sepse në rast të një fitoreje në këtë transfertë, atëherë vetëm ndonjë gabim trashanik mund të ndalte kampionët në rrugën e tyre.
Këtë mendim pak a shumë ka edhe trajneri Levi, teksa thotë: Tashmë na duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës në kampionat, e cila edhe ajo në vetvete do të jetë një finale tjetër për ne. E kam thënë edhe më përpara se për ne të gjitha ndeshjet e mbetura deri në fund të këtij sezoni do të jenë finale më vete. Shpresoj se Skënderbeu gjithçka do ta kalojë me sukses.
Për këtë jam mëse i bindur. Levi ka vetëm dy humbje këtë sezon, me Flamurtarin në kupë dhe me Teutën në kampionat. Tani është në finish, nuk lejohet më humbje në të dy frontet, sepse çdo gabim është fatal. Do tia dalë apo jo Levi, kjo mbetet për tu parë.
Dollaku: Nuk fituam, por nuk zhgënjyem në lojë
Humbja në Korçë, me diferencë prej dy golash na e bënte edhe më të vështirë kualifikimin, por shpresonim se edhe mund ta përmbysnim atë rezultat. Ne u munduam shumë dhe jam i bindur se nuk zhgënyem me lojën që zhvilluam.
Përballë patëm një Skënderbe që nuk lëshoi për asnjë çast në lojën e tij, ku përveçse u mbrojt mjaft mirë, jo rrallëherë na sulmoi, madje edhe rrezikshëm. Kam mendimin se gjyqtari Pashaj na mohoi edhe një 11-metërsh, nga e cili mund të ndryshonin shumë gjëra. Gjithsesi, tani na mbetet të mendojmë për ndeshjen e radhës të superligës, ka deklaruar zëvendëstrajneri i Kastriotit, Shaban Dollaku, i cili edhe dje e ka drejtuar ai ekipin nga stoli, në mungesa të trajnerit Ndreu, i cili ka qenë i dënuar.
Ndreu: Nuk do të jem më trajner i Kastriotit
Pas përfundimit të takimit, trajneri Ndreu është larguar menjëherë nga sytë e gazetarëve, tepër i prekur nga skualifikimi i skuadrës së tij për në finalen e Kupës së Shqipërisë. Edhe pse e kishte paralajmëruar që një javë më parë se kualifikimi do të ishte i vështirë për shkak të rezultatit në Korçë, ai ka besuar deri në momentet e fundit te ky kualifikim.
Megjithatë, i kontaktuar me telefon, ai ka deklaruar për gazetën Sporti shqiptar se kishte marrë vendimin e tij final për tu larguar nga drejtimi i ekipit dhe ka thënë se që pas kësaj ndeshje, ai nuk do të jetë më trajner i Kastriotit. I pyetur për arsyet që e detyruan të marrë këtë vendim, ai është mjaftuar duke përmendur thjesht arsye të tij personale.
Krutanët: FSHF, verifiko kartonët e Radasit
Pas përfundimit të takimit, zëvendëstrajneri i Kastriotit, Shaban Dollaku, është nxituar të bëjë një apelim me shkrim pranë delegatit të takimit, Besnik Çela, lidhur me aktivizimin e futbollistit Radas.
Dollaku ka deklaruar se ka mësuar nëpërmjet shtypit sportiv se futbollisti Radas do ti mungonte Skënderbeut në këtë takim për shkak të numrit tre të kartonëve të verdhë. Në fakt, ai është aktivizuar dhe kjo i ka bërë të dyshojnë drejtuesit e skuadrës krutane. Pikërisht për këtë qëllim ata kanë apeluar, duke i kërkuar FSHF-së të verifikojë këtë fakt.
