E Shtunë, 31 Tetor 2026

Levi bën gati listën e spastrimeve, ikin 4,priten përforcime nga Çekia e Gjermania

Skënderbeu është duke grumbulluar fitore të shumta javët e fundit, por ka dhe një realitet tjetër ndonëse të padukshëm për sytë e publikut. Faza e parë e kampionatit do dhe dy javë të mbyllet, teksa kampionët janë duke sjellë vetëm fitore. Por teksa kjo i ka kënaqur të gjithë futbollistët, mbetet evident shqetësimi për një largim të mundshëm të disa prej tyre gjatë merkatos së janarit. Megjithëse për këtë pjesë vetë trajneri Levi nuk ka pranuar të flasë, madje duke hedhur poshtë edhe zërat për afrime të mundshme të disa lojtarëve që janë duke u komentuar në shtyp, ankthi për këto largime vazhdon. Ndonëse lojtarët e skuadrës janë të gjithë me kontrata një vjeçare, që do të thotë për një sezon të plotë, kjo nuk është gjithçka. Do të jetë vetë trajneri i Skënderbeut që do të japë përshtypjet e tij lidhur me ecurinë e secilit lojtar, ndërsa do të përpilojë një listë me ata që mendon se i kanë dhënë sipas tij ekipit gjatë kohës që e ka drejtuar ai dhe ata futbollistë që nuk do të jenë më pjesë e skuadrës. Merkatoja pritet të jetë shumë cilësore për korçarët, ndërsa mendohet sipas burimeve që vijnë pranë trajnerit çek se kampionati çek dhe ai gjerman do të jenë më të preferuarit e tij, ndonëse nuk përjashtohet dhe ndonjë emër i njohur në futbollin shqiptar. Në fakt mundësitë e Levit do të jenë të shumta, ndërsa ai vetë e ka pranuar në mënyrë të vazhdueshme se do të ketë merkato pa bërë të ditur numrin e lojtarëve që do të afrohen të shërbejnë për kampionët që synojnë një tjetër titull. Ndërkaq mendohet se katër mund të jetë numri i lojtarëve që do të sjellë çeku Stanislav Levi në Korçë, ndërkohë që nga ana tjetër pritet të ketë dhe disa largime lojtarësh, të cilët e kanë kërkuar vetë këtë gjë. Gjithsesi në këto momente gjithçka mbetet në kuadrin e projektimit të afrimeve, ndërsa në të gjitha repartet synohen afrime. Ndërsa askush nuk bën të ditur emrat e mundshëm të lojtarëve që nuk mund të jenë më pjesë e Skënderbeut, shqetësimi është prezent tek disa titullarë të skuadrës.

Irena Vreto

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›