Disiplina “përkëdhel” familjen Laska, 2 vjet pezullim presidentit, 1 vit të birit
Minus 6 pikë në tabelë, si dhe ekzil deri në fund të kampionatit dhe pa praninë e tifozëve për skuadrën kurbinase. Me 2 vjet pezullim dhe 5 milionë lekë gjobë janë dënuar edhe zv/trajnerët Ardian Laska e Kastriot Rama
Duket se Laçi së bashku me drejtuesit e tij mund të marrin frymë thellë. Më e keqja ka kaluar. Komisioni i Disiplinës në FSHF ka vendosur t’i kënaqë të gjitha palët: opinionin sportiv, skuadrën e Laçit dhe drejtuesit kurbinas. I vetmi që duhet të jetë përtypur nga dënimet e dhëna është gjyqtari i dhunuar, Lorenc Jemini, që të dielën ka parë ditën më të keqe të jetës së tij. U trumbetuan “dënime shembullore” dhe dorë e hekurt për dhunuesit, por në të vërtetë dënime të tilla disiplinori jep thuajse në çdo sezon, sidomos për kategoritë e ulëta. E vërteta është ndryshe: Disiplina ka kërkuar të gjejë një rrugë të mesme mes asaj që tingëllon si dënim shembullor dhe realitetit. E vërteta është se këto dënime mund të ulen edhe më pas dy ditësh në Apel dhe të mos harrojmë se federata thuajse gjithnjë ka larë sakrilegjet e mëkatarëve në çdo fillimsezoni duke pastruar njollat e tyre gjoja në të mirë të futbollit.
Sokol Çomo, Sajmir Xhuglini dhe Ilir Lame, tre anëtarët e Komisionit të Disiplinës të FSHF-së janë njohur me relacionet e Sekretariatit Teknik kanë interpretuar rregulloren e Kodit të Drejtësisë Sportive duke ndëshkuar me 2 vjet pezullim dhe 5 milionë lekë të vjetra gjobë presidentin e Laçit, Pashk Laskën, zv/trajnerin Ardian Laskën dhe trajnerin e portierëve, Kastriot Ramën. Një vit pezullim dhe 5 milionë lekë gjobë për lojtarin Florian Laska. Skuadra e Laçit do të luajë jashtë fushës së saj deri në përfundim të këtij edicioni futbollistik si dhe nuk do të ketë as mbështetjen e tifozëve, pa lënë mënjanë edhe 6 pikët e zbritura në tabelë që e shndërrojnë skuadrën kurbinase nga një pretendente për Kupat e Europës, në një formacion që do të luftojë për mbijetesë, pasi 16 pikët reduktohen në 10, duke e çuar skuadrën e Dedes të katërtën nga fundi në tabelë. Ja edhe komunikimi zyrtar i Komisionit të Disiplinës. “KF “Laçi” për dështim në përmbushjen e përgjegjësive dhe detyrimeve për organizimin e ndeshjes së futbollit dhe garantimin e sigurisë së zyrtarëve të ndeshjes dhe lojtarëve dhe zyrtarëve kundërshtarë, me pasojë dhunimin e tyre si dhe për sjelljen e gabuar dhe të dhunshme të spektatorëve në bazë të neneve 66.2 , 67.1 dhe 67.4 dhe të lidhura me nenet 24 ,25 dhe 30 të KDS dënohet : 1) Me zhvillimin e ndeshjeve të mbetura të sezonit futbollistik 2011-2012 në fushë asnjanëse dhe pa spektatorë. 2) Zbritjen e 6 (gjashtë) pikëve nga pikët që ka në klasifikimin e Kampionatit Kombëtar aktual. 2. Zyrtarët e KF “ Laçi “ Pashk Laska, Ardian Laska dhe Kastriot Rama për dhunë ndaj zyrtarëve të ndeshjes në bazë të nenit 49.2/b dhe 49.3 të KDS dënohen secili me 24 muaj pezullim nga aktivitetet futbollistike dhe 500.000 lekë gjobë. 3. Lojtari i KF “Laçi” Florian Laska për dhunë ndaj zyrtarëve të ndeshjes në bazë të nenit 49.1/b dhe 49.3 të KDS dënohet me 12 muaj pezullim nga aktivitetet futbollistike dhe 500.000 lekë gjobë.”
Renditja
Skuadra N F B H P
1. Teuta 11 9 1 1 28
2. Tirana 11 6 2 2 23
3. Skënderbeu 11 5 5 1 20
4. Kastrioti 11 6 1 4 19
5. Flamurtari 11 5 3 3 18
6. Pogradeci 11 5 1 5 16
7. Shkumbini 11 4 3 4 15
8. Vllaznia 11 4 2 5 14
9. Bylis 11 4 2 5 14
10. Kamza 11 4 1 6 13
11. Laçi 11 4 4 3 10
12. Apolonia 11 2 2 7 8
13. Tomori 11 2 2 7 8
14. Dinamo 11 0 2 9 -1
Shënim: Dinamos i janë zbritur tri pikë nga UEFA
Laçit i janë zbritur 6 pikë nga Komisioni i Disiplinës