Lutaj-Vatës: Kujdes nga klanet!
Është shkarkuar nga detyra brenda ditës dhe nuk e ka gëlltitur dot mënyrën sesi e larguan nga stoli vlonjat. Edmond Lutaj erdhi në krye të Flamurtarit këtë verë duke “emigruar” nga Suedia. Megjithatë, aventura e tij nuk zgjati më shumë se 6 muaj dhe natyrisht ajo e ka mërzitur shumë ish-lojtarin e kuqezinjve ka qenë mënyra e sajuar për ta larguar. Thuhet, gjithandej, se Lutajt ia "bënë me puç", qoftë edhe krerët e klubit, por ai vetë nuk dëshiron të flasë. Frika se mos, në një të ardhme të afërt apo të largët, të njëjtin fat mund ta ketë edhe Rudi Vata në krye të Vllaznisë, Edmond Lutaj shprehet se: “Nuk besoj se Rudi Vata të ketë të njëjtin fat, sikurse dhe unë. Unë besoj tek vlerat e Rudit, tek vlerat e futbollit shkodran dhe ai do t'i japë një tjetër imazh dhe tjetër pamje, jo vetëm Vllaznisë, por edhe futbollit shqiptar. Unë do t’i uroja shumë suksese Vllaznisë dhe Vatës dhe besoj tek një gjë e tillë. Shpresoj që Rudi të ketë rreth vetes njerëz profesionistë dhe jo me klane apo me qëllime të caktuara siç pata unë në Vlorë. Shpresoj që të ketë njerëz rreth vetes, që të kuptojnë siç duhet momentet e mira dhe të këqija të trajnerit si dhe ta mbështesin vazhdimisht. Vetëm kështu, ai (Vata) apo çdo trajner tjetër duhet të ketë suksese. Mendoj se futbolli shqiptar ka talente, por duhet më shumë profesionalizëm dhe durim në të gjitha hallkat për të arritur deri aty, ku ne të gjithëve, na pëlqen. Në Vlorë nuk pritën për ndryshimet. Shpresoj që njerëzit të jenë të durueshëm në Shkodër”, është shprehur Lutaj.