Lëvizja G99: Drejtësia për Gërdecin të mos vonojë, të qetësohen familjarët e viktimave
Lëvizja G99 konstatoi dje se Gërdeci, si tragjedia më e kobshme që Shqipëria ka njohur në këto 18 vitet e fundit, nuk duhet të dalë jashtë axhendës së mazhorancës qeverisëse, klasës politike, medias dhe shoqërisë shqiptare. Konstatohet se familjarët e viktimave të Gërdecit nuk kanë ende një përgjigje se përse shteti u mori jetën baballarëve, nënave, vëllezërve, motrave, dhe fëmijëve të tyre. G99 shpreh mbështetje të pakushtëzuar për punën që Prokuroria e Përgjithshme po bën për të hetuar aferën korruptive të shekullit, pavarësisht presioneve që vijnë nga mazhoranca në pushtet. Gjithashtu, G99 bashkohet me kërkesat e ardhura nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, komuniteti ndërkombëtar dhe e gjithë shoqëria shqiptare që kjo çështje të dërgohet përpara drejtësisë pa vonesë. "Kanë kaluar nëntë muaj prej shpërthimit vrastar që u mori jetën 26 shqiptarëve, plagosi qindra të tjerë dhe shkaktoi miliona euro dëme materiale për qytetarë e biznese të vendosura vetëm 7 km nga Tirana. Familjarët e viktimave të Gërdecit nuk kanë ende një përgjigje se përse shteti u mori jetën baballarëve, nënave, vëllezërve, motrave, dhe fëmijëve të tyre. Është e rëndësishme për të gjithë shoqërinë shqiptare që të largohen nga jeta publike jo vetëm kriminelët e komunizmit, por edhe kriminelët e demokracisë", thuhet në deklaratën e G99.