E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Qeveria synon të fusë në harresë tragjedinë e Gërdecit

Opozita ka akuzuar mazhorancën se ka nxjerrë tani para zgjedhjeve ligjin për pastërtinë e figurave, për të harruar tragjedinë e Gërdecit. Deputetët e opozitës, në diskutimin e tyre, kujtuan se dje janë mbushur nëntë muaj nga tragjedia e Gërdecit, e cila u shkaktua nga një aferë korruptive me përmasa të pabesueshme, ku aktorë kryesorë, siç është bërë e njohur nga fakte të shumta të publikuara në media, janë drejtues të lartë shtetërorë dhe familjarë të tyre. Deputeti Taulant Balla deklaroi në Kuvend se "sot bëhen 9 muaj nga dita, kur trafiku shtetëror i armëve dhe municioneve, shfarosi nga harta e Shqipërisë një fshat të tërë, duke vrarë 26 shqiptarë të pafajshëm, duke lënë pa shtëpi disa mijëra, duke lënë jetimë pa nënë e baba disa dhjetëra fëmijë. Ndërsa autorët e vërtetë po mundohen të bëjnë çdo veprim për të larë duart nga kjo tragjedi". Sipas Ballës, autorët e vërtetë të këtij krimi, pasi nuk arritën dot të zhdukin dosjet dhe vendimet që provonin fajësinë e tyre, po mundohen të përdorin kartonët dhe mandatet e deputetëve për të uzurpuar prokurorinë dhe gjykatat, duke miratuar një ligj për pastërtinë e figurave. "Duhet të zhdukim prokurorët dhe gjykatësit, ka dhënë urdhër Sali Berisha", është shprehur Balla. Sipas tij, ky urdhër ka një arsye. Hetimet për tragjedinë e Gërdecit, sipas deputetit socialist, duket se kanë shkuar përtej ish-ministrit të Mbrojtjes, kanë implikuar ministra të tjerë, por edhe berishët. Balla tha se "duhet zhdukur prokurori i çështjes së Gërdecit, sepse hetimi për këtë çështje po nxjerr fajtorët e vërtetë". Akuzat e Ballës kanë vijuar më tej, duke theksuar se opinioni publik është njohur me prova dhe dëshmi të reja, lidhur me tragjedinë e dhimbshme të Gërdecit dhe trafikun e armëve që shkaktoi tragjedinë. Sipas tij, "askush në Shqipëri nuk ka dyshim tashmë, besoj se edhe Prokuroria, që krimi shtetëror i Gërdecit, ku humbën jetën 26 njerëz të thjeshtë, u shkatërruan disa qindra banesa dhe biznese, ka për autorë ata që kishin organizuar dhe kryenin trafikun ilegal të armëve, ata të cilët bënin vendime, madje dhe ligje në dobi të këtij trafiku, ata që jepnin urdhra me shkrim dhe me telefon, ata që kishin vendosur njerëz të afërm familjarë në pikat kyçe të këtij trafiku, që përdornin ushtarakët dhe makina ushtarake (pamjet), për mburojë dhe transport". Po kështu, edhe deputeti Musa Ulqini, theksoi se edhe pse kanë kaluar nëntë muaj nga tragjedia e Gërdecit, me pasojat e saj të tmerrshme, deri më sot janë marrë në përgjegjësi penale vetëm tre vetë, ndërkohë që për vjedhjen e skrapit pas shpërthimit të Gërdecit, policia e rajonit të Vorës ka ndaluar dhe arrestuar mbi 20 vetë. "Edhe pse kanë kaluar nëntë muaj nga tragjedia e Gërdecit, qeveria e Kryeministrit Berisha, me gjithë insistimin e opozitës, të medias dhe publikut, ende nuk ka bërë publike asnjë analizë dhe raport të vetin për ngjarjen në fjalë", u shpreh Ulqini.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›