Rama: Pse votojmë kundër ligjit të dosjeve
Kreu i opozitës, Edi Rama, i kërkoi Kryeministrit Sali Berisha dje në orët e paradites, që të mos miratohej ligji për "spiunët". Sipas tij, është e trishtueshme që 18 vjet pas shembjes së diktaturës komuniste, Shqipëria nuk ka arritur të bëjë një ligj evropian për hapjen e dosjeve të diktaturës komuniste. "Është e trishtueshme që sot, 18 vjet pas shembjes së diktaturës komuniste, Kryeministri i Shqipërisë dhe forcat qeveritare, duan të hapin dosjet e diktaturës komuniste për të mbyllur dosjet e diktaturës së korrupsionit", theksoi Rama. Sipas tij, pas 18 vjetësh liri, fryma që karakterizon komunikimin publik dhe aksionin politik të Sali Berishës, mbetet thellësisht komuniste. "Sali Berisha gënjen për arritjet e tij njësoj si një propagandist i rëndomtë komunist", konstatoi Rama. Ai insistoi se Kryeministri akuzon kundërshtarët e tij njësoj si një persekutor i zakonshëm komunist. "Shpif ndaj atyre që nuk i pëlqejnë njësoj si një karrierist i zellshëm komunist. Fyen të tjerët njësoj si një fodull i prapambetur komunist. Dhe, më keq akoma, vepron kundër ligjit, kundër institucioneve dhe kundër kujtdo që i kundërvihet, njësoj si një bajraktar i pandreqshëm komunist", këmbënguli Rama. "Sali Berisha, u shpreh kreu socialist, thotë se projektligji i dosjeve është një arritje në rrugën e dekomunistizimit të shoqërisë shqiptare". "Projektligji i dosjeve është një shprehje brutale e komunistizimit të marrëdhënieve mes qeverisë së Sali Berishës e atij vetë me pushtetin gjyqësor në Shqipëri", u shpreh Rama. Në vlerësimin e kreut të opozitës, Sali Berisha kërkon të shkatërrojë pushtetin gjyqësor për të shpëtuar in extremis oborrtarët e tij nga hetimi e gjykimi i pavarur i dosjeve të mëdha të korrupsionit qeveritar. "Sali Berisha akuzon se opozita nuk dashka të bëjë transparencën e së kaluarës dhe pengoka hapjen e dosjeve të diktaturës komuniste. Përsëri gënjen!", nënvizoi Rama. Ai kujtoi se socialistët patën depozituar më shumë se dy vjet më parë në Kuvendin e Shqipërisë një projektligj për hapjen e dosjeve. "Është Sali Berisha, Jozefina Topalli dhe shpura e tyre që e ka kyçur atë në sirtar, vetëm e vetëm për ta përdorur fabulën e spiunëve të diktaturës në funksion të interesave politike të ditës", sqaroi Rama. "Atyre u duhet kjo fabul pikërisht sot, shtoi ai, në këtë ditë të keqe për mazhorancën e tyre pa mbështetje në popull, kur çdo shqiptar i ndershëm e partner i huaj i Shqipërisë, kërkon zbardhjen e krimit shtetëror të Gërdecit, zbardhjen e krimit ekonomik me fondet e rrugës Durrës-Kukës, zbardhjen e aferave të oborrit kryeministror me sekserin serb të Sali Berishës, zbardhjen e vrasjes së të ndjerit Remzi Hoxha". "Sali Berisha ka vërsulur drejt nesh papagajtë e oborrit të tij, duke mos u kursyer as vetë në përpjekjen e dëshpëruar, për ta treguar këtë projektligj, si një vijë parimore demarkacioni mes mazhorancës, që dashkërka të dënojë krimet e komunizmit dhe opozitës, që mbrokërka kriminelët e diktaturës komuniste", u shpreh Rama. Kreu i PS-së i bëri thirrje Kryeministrit që të mos votojë me ngut atë që "keni gatuar pa asnjë debat dhe asnjë mirëkuptim as me opozitën, as me shoqërinë civile, as me kategoritë drejtpërdrejtë të interesuara dhe as me partnerët ndërkombëtarë". "Kthehuni në tryezën e diskutimit për të gjetur mirëkuptimin e të gjithëve, sepse të gjithë e dëshirojnë miratimin më në fund të një ligji evropian për çështjen e dosjeve të diktaturës komuniste", u shpreh Rama.