E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lëvizja "Mjaft!": Kandidatët për deputetë të deklarojnë pasurinë

Kandidatët për deputetë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare duhet të bëjnë publike pasurinë e tyre. Ky ishte propozimi i bërë dje nga lëvizja "Mjaft!" për Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore. Konstatohet se ekzistojnë një sërë elementesh që, përveçse arsyetojnë këtë kërkesë, kanë një ndikim direkt përmes efekteve të këtij ndryshimi, në plotësimin e disa të drejtave e standardeve të domosdoshme, si dhe në imazhin e vendit, kandidatëve dhe forcave politike. "Duke pasur paraprakisht mundësinë e informimit publik, deklarimi i pasurive dhe vendosja e tyre e shpejtë në dispozicion të publikut, do të ndihmonte për të shmangur spekulimet mbi pasuritë e kandidatëve në zgjedhje", propozon "Mjaft!". Sipas tyre, informimi për publikun, e drejtë kjo kushtetuese për t‘u plotësuar, gjen arsyetim te fakti që kandidatët marrin përsipër të kryejnë një funksion publik të nivelit shumë të lartë, duke qenë përfaqësues në instancat vendimmarrëse. Shqipëria klasifikohet ndër vendet ku transparenca ndaj publikut në zbatimin e saj has vështirësi të mëdha. Sidomos lidhur me transparencën parazgjedhore dhe informacionin gjatë zhvillimit të zgjedhjeve, Shqipërinë e ndan një hendek i madh nga praktika e fqinjëve rajonalë, të cilët vazhdimisht po përmirësojnë standardet e tyre demokratike në garën për integrimin evropian. Rritja e transparencës (përfshi këtu edhe atë pasurore) i garanton publikut një informim dhe përzgjedhje më të mirë ndërmjet kandidatëve të mundshëm. Ajo ndihmon zgjedhësit për të njohur mundësitë financiare dhe të kaluarën e kandidatëve potencialë. Duke marrë parasysh perceptimin e publikut për kandidatët në zgjedhje të përgjithshme, ai është shpesh i ngarkuar me dyshime, ndaj kjo transparencë në deklarimin paraprak të pasurive, do të ndihmonte edhe vetë kandidatin për deputet dhe forcën politike që ai përfaqëson, duke ndikuar pozitivisht në imazh. "Mjaft!" mendon se ky vendim politik, i përkthyer në zbatim konkret përmes informimit publik, mund të konsiderohet në vetvete një nismë reale dhe faktike antikorrupsion, përmes së cilës, faktori politik shqiptar jep një mesazh të fortë e të qartë për publikun, por edhe për institucionet ndërkombëtare mbi vullnetin për ta evoluar sistemin ekzistues drejt një modeli që parandalon abuzimet. Ky ndryshim i rëndësishëm mund të realizohet duke amenduar një pikë në nenin përkatës të Kodit Zgjedhor. Ndryshimi mund të kryhet duke u shtuar kërkesave të Nenit 79 të Kodit Zgjedhor, një pikë që do të kishte lidhje të drejtpërdrejtë me deklarimin e pasurisë të kandidatit për deputet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›