E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lëvizja "Mjaft!": Basha të japë dorëheqjen

Lëvizja "Mjaft!" kërkoi dje përsëri largimin
e ministrit të Jashtëm, Lulzim
Basha, nga kabineti qeveritar, kërkesë e
përforcuar edhe nga shpallja e ministrit
të pandehur prej prokurorisë. Përmes
një qëndrimi zyrtar, "Mjaft!" vuri theksin
te humbja e legjitimitetit dhe aftësinë
morale e publike të Bashës për të përfaqësuar
vendin në nivel ndërkombëtar.
"Më në fund pamë një akt konkret nga
ana e prokurorisë në këto 18 vjet pluralizëm,
i cili përbën një shembull model
për hetimin e korrupsionit. Dëshmi e një
procesi ligjor, transparent dhe publik - jo
në nivelin e shantazheve të ndërsjella
në sallën e Kuvendit, apo të spoteve
patetike qeveritare", tha aktivisti i
"Mjaft!", Leart Kola, gjatë konferencës
për median. Kola shtoi se falë zbatimit
të ligjit, shqiptarët sot kanë një ministër
të pandehur, i pari në dy dekadat e fundit.
Lëvizja "Mjaft!" është e qëndrimit
se mbetet ende shumë për të bërë,
qoftë në rastin e Bashës, qoftë edhe të
zyrtarëve të tjerë, përgjegjës për vepra
kriminale, nën hetim, apo që ende nuk
janë shënjestruar nga drejtësia. Është
fakt që përgjatë historisë së pluralizmit
shqiptar, nuk kemi parë të prangoset
asnjë ministër, apo ish-ministër, pavarësisht
akuzave për korrupsion ndërmjet
partive dhe kërcënimeve të ndërsjella
me "dosje sekrete". Ndërkaq, mijëra
shqiptarë në mbarë vendin kanë hedhur
firmat në peticionin e realizuar nga
"Mjaft!" për largimin e Bashës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›