E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lulzim Basha: Po, do shkoj në prokurori

Kreu i diplomacisë shqiptare
pranon të shkojë
në Prokurorinë e Përgjithshme
dhe të japë
të gjitha shpjegimet se veprimi
dhe mosveprimi i tij nuk i ka
kushtuar asnjë qindarkë humbje
shtetit shqiptar gjatë ngritjes
së dokumentacionit për rrugën
Durrës-Kukës. Zef Nikaj, avokati
i Lulzim Bashës, deklaroi dje për
gazetën "Shqip", se ditën e enjte,
në orën 14.00, do të paraqitet
në prokurori si shenjë respekti
ndaj institucionet kushtetuese të
shtetit shqiptar. "Jam konsultuar
me klientin tim, z. Lulzim Basha, i
cili ndodhet jashtë Shqipërisë për
arsye pune, për paraqitjen tonë
në prokurori si shenjë respekti
ndaj organeve kushtetuese. Kam
marrë konfirmimin se vetë z.
Basha do të shkojë në prokurori.
Natyrisht do të njihemi me
pretendimet e grupit të hetimit
dhe më pas do të vendosim për
nismat tona ligjore", deklaroi
avokati, i cili nuk e përjashtoi
mundësinë që të kundërshtojnë
vendimin e prokurorisë për marrjen
e pandehur të ish-ministrit
të Transporteve. Ai tha se ky
veprim është në kundërshtim me
vendimin e Gjykatës së Tiranës,
e cila vendosi që prokuroria nuk
duhet të kryejë asnjë procedurë
me hetimin e dosjes Durrës-
Kukës. Avokati thotë se veprimi i
kryeprokurores Ina Rama për të
marrë të pandehur z. Basha është
me dy standarde. Sipas tij, Rama
paradite sillet si gjyqtare, teksa
deklaron se hetimi është pezulluar,
dhe pasdite nënshkruan
një shkresë të prokurorit Arben
Kraja për thirrjen në prokurori të
ish-ministrit dhe firmos statusin
e të pandehurit për të. Ky veprim,
sipas avokatit, është një nonsens,
pasi gjykata është shprehur qartë,
dhe kryeprokurorja, dikur një
gjyqtare e zonja, e ka lexuar mjaft
mirë vendimin. Por ajo çka nuk e
"tremb" avokatin është prova më
e fortë e organit të akuzës. Sipas
tij, raporti i ekspertëve kontabël
që vlerësuan se ndërtimi i rrugës
Durrës-Kukës është i pavlefshëm,
nuk njihet ligjërisht. Ai thekson
se raportin e ekspertëve nuk e
kanë njohur qysh në momentin
e inicimit nga ana e prokurorisë.
Avokati Zef Nikaj thotë se akti
u është vënë në dispozicion në
momentin që dosja është shtyrë
edhe një muaj. "Së bashku me
klientin tim, z. Lulzim Basha,
jemi paraqitur në Prokurorinë
e Përgjithshme në datën 5 nëntor
të këtij viti. Prokurori Arben
Kraja na komunikoi shtyrjen e
afateve të hetimit, duke na dhënë
kohë për t‘u njohur me raportin",
shprehet avokati, i cili ka në
"krah" të Bashës rreth 9 muaj.
Avokati ripërsëriti dje se këto
veprime të Prokurorisë së Përgjithshme,
në tërësinë e tyre
tregojnë abuzim me pushtetin
ligjor, si dhe shkelje të dispozitave
të Kushtetutës së Shqipërisë,
që mbrojnë dhe garantojnë të
drejtat e liritë e individit për një
proces të rregullt. "Shpërfillja flagrante
e detyrimeve ligjore dhe e
vendimit të Gjykatës demonstron
qartë prapavijën e pastër dhe
prapaskenat politike të trajtimit
të kësaj çështjeje dhe përdorimin
si një mashë politike të Prokurorisë
së Përgjithshme", tha Nika,
duke saktësuar se pas njohjes me
aktakuzën, ditën e enjte do të kryejnë
një padi për kundërshtimin
e prokurorisë. Mësohet se padia
mund të realizohet në Gjykatën
e Lartë, e cila është gjykata kompetente
për hetimin gjyqësor të
deputetëve.

Prokuroria: Tri akuzat për Tomën dhe Bashën

Prokuroria e Përgjithshme ka
riformuluar akuzat dhe krahas
shpërdorimit të detyrës
ka ngritur dyshimet se ish-ministri
i Transporteve, Lulzim Basha,
dhe ish-drejtori juridik në këtë
ministri, Andi Toma, akuzohen
edhe për korrupsion dhe pabarazi
në tendera. Nga shqyrtimi i akteve
hetimore, grupi hetimor i kryesuar
nga prokurori Arben Kraja ka
"mprehur shpatën", duke ngritur
tri akuza ndaj tyre. Minimumi i
burgut mund të jetë 3 vjet. Por
vendimi për seleksionimin e të
pandehurve mund të sjellë të tjera
padi nga personat që janë hetuar
për më shumë se 20 muaj dhe
mbi "shpinë" kanë pasur akuzat
e shpërdorimit të detyrës.
Gjithsesi, prokuroria thotë
se ish-ministri i Transporteve,
Lulzim Basha, aktualisht ministër
i Jashtëm, është përgjegjësi
kryesor i abuzimeve në ndërtimin
e rrugës Durrës-Kukës. Duke u
bazuar te kërkesa për heqjen e
imunitetit, drejtuar Parlamentit të
Shqipërisë, thuhet se Prokuroria
e Tiranës, në datën 9 mars 2007,
regjistroi një kallëzim për shkeljet
e kryera nga zyrtarët e strukturat
e Ministrisë së Punëve Publike,
Transportit dhe Telekomunikacionit
për ndërtimin e rrugëve
të ndryshme kombëtare dhe
kryesisht për financimet e kryera
për ndërtimin e segmentit rrugor
Rrëshen-Kalimash. Krahas marrjes
të pandehur të disa zyrtarëve
për këtë abuzim, është arritur në
konkluzionin se përgjegjës për
shkeljet e konstatuara është edhe
ish-ministri i Punëve Publike,
Transportit dhe Telekomunikacionit
e njëkohësisht deputet, zoti
Lulzim Basha. Prokuroria rendit
një sërë shkeljesh, apo refuzimesh
të qeverisë për të bashkëpunuar
me grupin hetimor.
Më tej përmendet se ish-ministri
i Transporteve ka mashtruar
opinionin publik, por edhe akuzën
qendrore për përzgjedhjen e konsulentit
"Ecorys Group". "Vendimi
ka qenë i paracaktuar nga zoti
Lulzim Basha. Nuk ka asnjë dokument,
apo dëshmi që të provojë
se cili ekspert i Bankës Botërore
ka bërë sugjerimin, kush janë
shoqëritë e tjera të sugjeruara,
cilat janë ofertat e tyre financiare.
Për më tepër, Banka Botërore në
deklarimet që ka bërë në shtyp
ka mohuar pjesëmarrjen e saj në
këto procedura", thuhet në dosje.
Akuza vijon më tej, se kontrata
është miratuar pa pasur një projekt
përfundimtar të detajuar për zbatim
dhe në kushtet e mungesës së
oponencës teknike për projektin
që do të zbatohet. Akoma dhe sot
nuk është përfunduar projekti i
plotë i kësaj rruge. Kontrata është
lidhur pa pasur të përcaktuar një
fond limit. "Mungesa e projektit
përfundimtar i jep mundësi shoqërisë
sipërmarrëse të rrisë në
mënyrë të pakontrolluar shumën e
parave që duhen për përfundimin
e kësaj rruge", thuhet në dosjen e
prokurorisë, ndërsa tashmë saktësohet
se vlera e të gjitha punimeve
ka shkuar në 1 miliard e 25 milionë
eurove. Si konkluzion, prokuroria
deklaron se kontrata favorizon
dukshëm subjektin sipërmarrës
në dëm të interesave të shtetit
shqiptar, humbje e cila llogaritet
në 230 milionë euro.
"Mungesa e projektit dhe mundësia
për ndryshimin e vazhdueshëm
të tij, mungesa e supervizorit,
mundësia e ndryshimit të
çmimeve për njësi dhe si rrjedhim
edhe ndryshimi i vlerës së përgjithshme
të kontratës e shkeljet
e tjera të përcaktuara më sipër i
japin mundësi shoqërisë Bechtel
Inc.-Enka që të kërkojë dhe marrë
shuma parash të pakontrolluara
nga shteti shqiptar", shton akuza,
duke llogaritur edhe vendimet
e mëvonshme të qeverisë për
akordimin e fondeve shtesë. Më
tej, akuza vijon se: "Zoti Lulzim
Basha është marrë personalisht
me realizimin e këtij projekti, që
nga organizimi i përzgjedhjes së
konsulentit dhe deri në nënshkrimin
e kontratës dhe modalitetet
e fillimit të zbatimit të saj. Askush
nga personat që kanë nënshkruar
akte të caktuara nuk merr përsipër
të jenë parashtruar variante, apo të
jenë diskutuar ato në drejtoritë e
specializuara, por mjaftohen duke
deklaruar se ‘me këtë punë është
marrë ministria‘, fakt i cili përbën
një indicie se ‘me këtë problem
është marrë ministri‘, e dhënë e cila
duhet të hetohet.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›