"Transparency International", për financimin e partive
"Transparency International Albania" organizon një konferencë për shtyp sot, në orën 10:30 në mjediset e Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve në Tiranë, në lidhje me Transparencën e Financimit të Partive Politike. Kjo mbetet padyshim një nga çështjet më shumë të debatuara në prag të proceseve zgjedhore. Aktualisht, formacionet politike janë jashtë çdo lloj kontrolli shtetëror. Komisionit Qendror i Zgjedhjeve është i vetmi mekanizëm që bën vetëm llogaritjen e fondeve të deklaruara pas fushatave. Më tutje se kaq, asnjë institucion nuk heton mbi vërtetësinë e deklarimeve. Së fundi, është propozuar përfshirja në Kodin Zgjedhor e një pike që parashikon ngritjen e një strukture me ekspert kontabël pranë KQZ-së, që të merret me këtë çështje. Por pavarësisht kësaj, mbetet në hije mënyra e financimit të partive jashtë periudhave zgjedhore. Më tepër se kaq, është jashtë kontrollit edhe pagesa që iu bëhet komisionerëve dhe rreziku për blerjen e tyre.