E Diel, 1 Nëntor 2026

Lëvizja për Bashkim, për një ligë të përbashkët

Lëvizja për Bashkim (LB) mbështet pa rezervë kërkesën e FC Prishtina për t’u regjistruar për pjesëmarrje në garat e Superligës Shqiptare të Futbollit.

Kjo lëvizje doli me një deklaratë, pas kërkesës së klubit më të madh kosovar të futbollit, për t’iu bashkuar kampionatit shqiptar, duke e pasur parasysh faktin se futbolli kosovar vazhdon të mbetet i izoluar.

“Mendojmë se kjo është rruga më e lehtë, më e shpejtë dhe më e logjikshme që të shpërthehet izolimi i sportit të Kosovës. Të gjitha pengesat e mundshme për liga të përbashkëta të sporteve do të tejkaloheshin pa vështirësi të mëdha sikur të kishte vullnet institucional në Republikën e Kosovës dhe Republikën e Shqipërisë drejt realizimit të këtij qëllimi”, shkruan në komunikatën e lëshuar nga LB.

“Konsiderojmë se përgjigjja pozitive në këtë kërkesë të FC Prishtina do të shënonte një hap të rëndësishëm drejt realizimit të projektit të madh të integrimit të përgjithshëm kombëtar të sportit. Krijimi i një lige të përbashkët do të sillte të mira të gjithanshme për ekipet dhe futbollin, në rastin konkret”, vazhdon shkrimi.

Lëvizja për Bashkim shton se, si rezultat i rritjes së shikueshmërisë së ndeshjeve, do të rriteshin të hyrat e klubeve nga liga e përbashkët, si përmes shitjes së biletave, shitjes së të drejtave të transmetimeve televizive, ashtu edhe përmes interesimit të shtuar të sponsorëve për të mbështetur financiarisht klubet në një hapësirë më të madhe ekonomike-tregtare.

“Kjo do të ndikonte që të ngrihej niveli sportiv i ligës në përgjithësi e gjithashtu edhe të rritej mundësia që ekipet nga Kosova të përfaqësohen në arenën ndërkombëtare, në veçanti”.

Nisur nga të gjitha këto, Lëvizja për Bashkim u bën thirrje institucioneve përkatëse nga të dy shtetet që ta shtyjnë më tej këtë nismë drejt integrimeve kombëtare në fushën e sportit. Sipas LB-së, vetëm me mbështetjen e duhur institucionale, kjo nismë mund të ketë efektin e duhur.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›