Putin, Berishës: Rizgjedhja, forcon marrëdhëniet ruso-shqiptare
Me rizgjedhjen e Sali Berishës në postin e Kryeministrit të Shqipërisë, qeveria e Rusisë beson në thellimin e marrëdhënieve shqiptaro-ruse. Kjo iu bë dje e ditur Kryeministrit Berisha nga homologu rus, Vladimir Putin, i cili përmes një mesazhi e uron atë për emërimin në krye të qeverisë edhe për 4 vitet e ardhshme. Kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin, shprehu bindjen se forcimi i gjithanshëm i marrëdhënieve ruso-shqiptare i përgjigjet garantimit të stabilitetit dhe sigurisë në Ballkan. Zyra e shtypit pranë Kryeministrisë bëri të ditur se Kryeministri Putin, në një mesazh urimi drejtuar Kryeministrit Sali Berisha me rastin e riemërimit të tij si Kryetar i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, shprehu bindjen se "forcimi i gjithanshëm i marrëdhënieve ruso-shqiptare u përgjigjet interesave rrënjësore të popujve të vendeve tona, garantimit të stabilitetit dhe sigurisë në Ballkan". Qeveria e re e drejtuar nga Kryeministri Berisha u votëbesua në Parlament në datën 16 shtator. Para fillimit zyrtarisht të punës, anëtarët e Këshillit të Ministrave u betuan edhe para Presidentit të Republikës, Bamir Topi, gjatë një ceremonie zyrtare në Pallatin e Brigadave.