E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lëvizje në shërbimin diplomatik të Kosovës

Nga Express më 03 tetor 2011 në ora 10:03

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ka paralajmëruar se do të ketë lëvizje në shërbimin diplomatik të Republikës së Kosovës.

Në një prononcim për gazetën Epoka e Re, Hoxhaj ka thënë se MPJ-ja ka përgatitur raporte të detajuara për performancën e punës për të gjithë ambasadorët e Kosovës.

Në këtë kontekst, ai ka deklaruar se do të ndodhin lëvizje të ambasadorëve të Kosovës, që aktualisht janë të akredituar nëpër vende të ndryshme evropiane.

“Kemi raporte të detajuara për performancën e të gjitha ambasadave tona. Mendojmë se lëvizjet e ambasadorëve duhet të bëhen përbrenda një sistemi të shërbimit diplomatik. Nuk e përjashtojmë mundësinë që disa ambasadorë të kthehen në Ministrinë e Punëve të Jashtme, disa të tjerë të lëvizin brendapërbrenda ambasadave, por mund të ketë edhe emërime të ambasadorëve të rinj”, ka thënë Hoxhaj, transmeton telegrafi.

Sipas tij, ka pasur arsye që MPJ-ja nuk ka bërë lëvizje të shërbimit deri në këtë kohë.

I pyetur nëse do të ketë edhe shkarkim të ndonjë ambasadori, kryediplomati Hoxhaj ka thënë se gjithçka do të bëhet në përputhje me ligjet në fuqi që ka Republika e Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›