E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lëvizjet e fundit nga kampet

DINAMO – Blutë kanë arritur parimisht akordin financiar me mbrojtësin e Partizanit, Rrahman Hallaci, dhe tashmë duhet të presin fjalën e presidentit të Partizanit, Albert Xhani për të siguruar edhe lejekalimin e futbollistit. Përfundimisht nga Dinamo janë larguar dy argjentinasit e fundit: Gonzales e Kampozano, të ardhur në kohën e trajnerit argjentinas Zuleta, por që nuk bëjnë më pjesë në planet e kroatit Dalic. Dinamo ende nuk ka vendosur në lidhje me të ardhmen e lojtarit shqiptar nga Maqedonia, Agim Ibrahimi.
PARTIZANI – Duke parë situatën në kampin e kampiones në fuqi, Dinamos, Partizani kërkon të bëjë për vete Igli Allmucën, i cili ka pasur disa probleme me trajnerin dinamovit, kroatin Zllatko Dalic. Një ide është edhe shkëmbimi kokë më kokë me Muzakën. Bakaj rikonfirmoi qëndrimin e tij te Partizani, duke premtuar se do të bëjë gjithcka për të fituar titullin me skuadrën që e rriti si lojtar.
TIRANA – Sulmuesi venezualian Horge Kazanova, 24 vjec, pritet të jetë përforcimi i radhës te Tirana. Kazanova i ofruar nga menaxheri Florian Riza ka luajtur më parë me Karakas në Venezuelë.
FLAMURTARI – Pas përfundimit të aventurës përgatitore në Bosnjë, skuadra vlonjate përgatitet për të fituar trofeun "Birra Norga", ku marrin pjesë Partizani, Apolonia e Tirana. 15 mijë dollarë ka vendosur si shpërblim Agron Haxhiraj, pronari i "Birra Norga". Ky trofe do të zhvillohet këtë vit për herë ta katërt. Në vitin 2005 e fitoi Besa, në vitin 2006 e fitoi Dinamo, në vitin 2007 e fitoi Partizani.
ELBASANI –Presidenti i verdhebluve, Arben Laze premton edhe dy goditje të reja. Ish-kapiteni i Partizanit, Ardit Beqiri, është zyrtarisht lojtari i Elbasanit. Pas largimit të Orges Shehit, mediat sportive raportojnë se Elbasani ka arritur akordin me portierin kroat, Danijel Madaric (48 mijë euro kontrata), i cili më parë ka mbrojtur portën e Varteksit të Varazhdinit. Ende në provë është futbollisti maqedonas Kliment Nastoski.
BYLIS- Skuadra ballshiote po i jep dorën e fundit merkatos verore. Kështu, pas mbërritjes së ganezo-gjermanit Musa Chacore, një tjetër lojtar i huaj është nën urdhrat e trajnerit Faruk Sejdini: egjiptiani 23-vjecar Elsaed Ullavani, i aktivizuar së fundi me Apollon Kallamarja në kampionatin grek.
APOLONIA- Ende e pakonfiguruar plotësisht dhe me një merkato e tëra ballkanike. Përforcimet vijnë nga Kroacia (dashuria e re e klubeve shqiptare) dhe nga Serbia. Sulmuesit, kroati Mario Ric dhe serbi Boshkov janë dy prurjet e fundit, ndërkohë që pritet edhe një mesfushor serb.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›