E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Argumentet kundër ligjit të procedurave tatimore

Socialistët deklarohen përfundimisht kundër projektligjit për procedurat tatimore. Kreu i selisë rozë, Edi Rama, mbrojti dje publikisht refuzimin për këtë nismë të qeverisë. Ai ndau thuajse të njëjtat shqetësime me komunitetin e biznesit lidhur me projektligjin. Rama i kërkoi Kryeministrit që të mos e shkelë detyrimin ligjor të transparencës e të konsultimit me këtë komunitet. "Është e papranueshme që procedurat tatimore në Shqipëri të mos diskutohen gjerësisht, në radhë të parë me sipërmarrësit shqiptarë, të cilët janë përjashtuar tërësisht nga konsultimi i këtij projektligji", tha Rama. Duke shtuar se nisma krijon një barrë të re mbytëse mbi ta dhe një tjetër arsye për përkeqësimin e klimës së rënduar të biznesit në Shqipëri. Lideri opozitar e cilësoi të papranueshëm edhe pushtetin e pakufizuar e të pakontrolluar, që marrin organet tatimore me këtë projektligj, që u bie ndesh lirive të njeriut. "Vetëm do të rrisë e madje përligjë abuzivizmin tradicionalisht të dëmshëm të këtyre organeve për klimën e biznesit në Shqipëri", vlerësoi Rama. Socialistët mendojnë se nuk mund të lejohet ndërhyrja e administratës tatimore në marrëdhëniet mes kompanive të ndryshme, duke kërkuar që detyrimet e papaguara të një subjekti të mund të merren edhe te kompanitë e tjera, me të cilat ky subjekt ka marrëdhënie. "Është e papranueshme që çdo detyrim të ngarkuar, qoftë edhe padrejtësisht, sipërmarrësit të detyrohen prej këtij projektligji ogurzi për frymëmarrjen e biznesit në Shqipëri, ta paguajnë vetëm me para në dorë, pavarësisht se kanë hapur proces gjyqësor", nënvizoi Rama. Ndërsa e cilësoi projektligjin me frymëzim antikapitalist, insistoi se ai e deformon përgjegjësinë e administratorëve të biznesit përmes mveshjes së përgjegjësisë së një detyrimi deri tek administratori, të cilit edhe pa qenë pronar i kompanisë, mund t‘i sekuestrohet pasuria familjare për të larë borxhin e kompanisë që administron si menaxher i punësuar. PS-ja e konsideron të papranueshëm sekuestrimin nga zyra e tatimeve pa një procedurë gjyqësore, që lejon prapësimin për çmimin, sikundër e bën të mundur projektligji i rrezikshëm që Kryeministri kërkon të miratojë pa llogaritur pasojat e rënda që shtohen për komunitetin e biznesit. "I cili, edhe pse ka fituar para pak ditësh një të drejtë kushtetuese, e rigjen veten të dhunuar antikushtetueshmërisht", insistoi Rama. Socialistët i kërkuan Kryeministrit dhe qeverisë të mos e miratojnë një projektligj të tillë, duke e thelluar krizën e marrëdhënieve mes shtetit e sipërmarrësve në Shqipëri dhe duke e përkeqësuar edhe më tutje klimën e biznesit në vendin tonë, e cila, sipas të gjitha raporteve ndërkombëtare, nuk është normale. Opozita vlerëson se projekti duhet diskutuar me komunitetin e biznesit, duke e konsideruar detyrim ligjor e jo një bujari të qeverisë, që të mos kthejë në linjë nisma të padiskutuara.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›