Ndërkombëtarët, të shqetësuar për zëvendësimin e mandateve në gjykata
Në një kohë kur vendi ndodhet në krizë politike, diplomacia ndërkombëtare nuk ka lënë aspak pas dore zëvendësimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Prej ditësh, shumica e ambasadorëve janë angazhuar në apele publike, në të cilat kanë kërkuar transparencë në procedurën e përzgjedhjes së këtyre anëtarëve të rinj. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në vendin tonë, John Withers, ka theksuar se komuniteti ndërkombëtar pret që zgjedhja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të bëhet sipas ligjit. “Ne presim që përzgjedhja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të bëhet sipas ligjit. Kushtetuta duhet të pranohet patjetër sipas parimeve të paanshmërisë, vetëm në këtë mënyrë puna e gjykatësve do të jetë nga fillimi në fund ajo e mbrojtjes së të drejtës kushtetuese dhe jo e ndonjë gjëje tjetër”, qe shprehur Withers pak ditë më parë. Në të njëjtën gjatësi vale me kryediplomatin amerikan është deklaruar deri tani edhe ambasadorja e Britanisë së Madhe në Tiranë, Fiona McIlwham. “Ruajtja e demokracisë është e rëndësishme në një vend e në këtë drejtim Gjykata Kushtetuese luan një rol të rëndësishëm, dhe për këtë duhet marrë parasysh integriteti dhe profesionalizmi. Kjo është e rëndësishme për demokracinë, por edhe për Bashkimin Europian”, insistoi ambasadorja. Para pak ditësh, ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, deklaroi se “ka pasur shumë debate në lidhje me postet vakante në Gjykatën Kushtetuese, dhe që do të rezultojë në zëvendësimin e dy të tretave të gjykatës”. Do t’u kujtoja të gjithëve, tha ai, rëndësinë e kujdesit që duhet treguar në përzgjedhjen e anëtarëve të rinj në këtë organ. Robert Bosch këmbënguli në faktin se procesi duhet të jetë transparent. “Gjyqtarët duhet të përzgjidhen bazuar në njohuritë ligjore që ata kanë, në aftësitë e tyre për arsyetim ligjor, dhe mbi të gjitha për integritetin e tyre. Të njëjtat kritere duhet të përdoren në marrjen e të gjitha vendimeve për ngritjen në detyrë të personave në sistemin gjyqësor – gjithashtu edhe për sa i takon Gjykatës së Lartë dhe Gjykatave të Apelit, në mënyrë që të ketë përmirësim të dukshëm në cilësinë e drejtësisë që ofrohet”, insistoi ai. Thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar u janë bashkuar edhe figura të rëndësishme, si ish-presidentët Rexhep Meidani dhe Alfred Moisiu. “Në këtë proces të rifreskimit të Gjykatës Kushtetuese, duhet të kërkohet edhe një mendim i ri. Kështu që, nga ai pëlqim i thjeshtë kushtetues, unë do të thosha që të paktën praktikisht të gjendej një pëlqim me mbi 84 vota mbështetje nga deputetët”, qe shprehur Meidani. Kreu i shtetit, Bamir Topi, ka insistuar se opozita duhet të ishte pjesë e këtij procesi të përzgjedhjes dhe votimit të anëtarëve të rinj në dy gjykatat. Topi konstatoi në një intervistë të tijën televizive se gjykatat janë për pozitën dhe opozitën, ndaj duhet të jenë në vëmendje.
#