E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lëvizjet në polici prekin Ahmetin e 5 shefa të tjerë

16/02/2010 Ikën shefi i Rrugores, Osmani, në vend të tij Kokalari. Krenar Ahmeti shef rendi në Tiranë

TIRANE- “Tërmet” në radhët e uniformave blu të policisë së kryeqytetit. Ka qenë një vendim i drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, i cili ka lëvizur nga detyra 6 shefa dhe specialistë policie, midis të cilëve edhe Krenar Ahmetin. Ky i fundit është transferuar si shef rendi pranë Drejtorisë së Qarkut Tiranë, duke lënë kështu postin e shefit të Forcës së Posaçme. Kjo nuk është hera e parë që Ahmeti lëviz nga detyra e tij, pasi në një kohë të shkurtër ai është transferuar në Elbasan, më pas ka shërbyer në komisariatin e Rinasit, në strukturën e Forcës së Posaçme, dhe tashmë vjen si shef rendi në kryeqytet. Ndërkohë që lëkundjet i kanë ndier edhe 5 efektiva të tjerë, ku në sy ka rënë transferimi i komisar Artan Osmanit, i cili nga shef i komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, është transferuar si shef sektori në komisariatin e Policisë Rrugore në Durrës. Vendin e Osmanit e ka zënë kryekomisari Fatos Kokalari, të cilit drejtori Hysni Burgaj i ka besuar qarkullimin rrugor në Tiranë. Këto dy lëvizjet e fundit janë bërë me qëllim koordinimin e punës në dy qytetet më të mëdha të vendit, ku dhe trafiku i automjeteve është më i dendur. Ndërkohë që me urdhër të Burgajt ka lëvizur edhe Shkëlqim Doda, i cila ka lënë detyrën e shefit të sektorit të Policisë Rrugore, pranë Drejtorisë së Policisë Qarku Tiranë, dhe është transferuar shef sektori pranë Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit në Durrës. Mësohet se lëvizjet do të vazhdojnë gjatë ditëve në vazhdim në komisariatet e Tiranës.

Artan Osmani

Me detyrë shef i komisariatit të Policisë Rrugore, pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, transferohet shef sektori i Policisë Rrugore në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë.

Fatos Kokalari

Me detyrë specialist në sektorin e Qarkullimit dhe Sigurisë Rrugore, në Departamentin e Sigurisë Publike, transferohet shef i komisariatit të Policisë Rrugore në Tiranë.

Shkëlqim Doda

Me detyrë shef sektori i Policisë Rrugore, pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, transferohet shef sektori pranë Drejtorisë Rajonale të Kufirit & Migracionit në Durrës.

Ervin Hoxha

Me detyrë shefi i sektorit të Rendit e Sigurisë Publike në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, transferohet shef sektori i Policisë Rrugore në Drejtorinë e Policisë së Qarkut në Durrës.

Krenar Ahmeti

Me detyrë shef i sektorit të Forcës së Posaçme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut në Tiranë, transferohet shef i sektorit të Rendit e Sigurisë Publike në Drejtorinë e Policisë Tiranë.

Urim Rexhepi

Me detyrë shef i komisariatit të Policisë Rinas në Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit Tiranë, transferohet shef i sektorit të Forcës së Posaçme në Drejtorinë e Policisë Tiranë.

Shoqëroi në komisariat prokuroren Bajris

Gjykata dënoi Krenar Ahmetin me gjobë dhe pezullim nga puna

Gjykata e Rrethit të Tiranës ka deklaruar fajtor ish-shefin e qarkullimit rrugor të Tiranës, Krenar Ahmeti, duke e dënuar atë me 200 mijë lekë gjobë dhe pezullim nga puna. Po gjykata ka dënuar me nga 100 mijë lekë gjobë dy bashkëpunëtorët e tij, Blenard Vathi dhe Alfons Gjoni. Tre të pandehurit janë shpallur fajtorë për akuzën e “veprimeve arbitrare”. Prokuroria kërkoi për tre të pandehurit dënime më të rënda. Për Ahmetin akuza kërkoi dënimin e tij me 500 mijë lekë gjobë, ndërsa për ky kolegët e tij nga 300 mijë lekë. Vetë të pandehurit pretenduan para gjykatës se nuk kishin thyer ligjin, por kishin zbatuar atë. Ngjarja për të cilën akuzohet Ahmeti, Vathi dhe Gjoni ka ndodhur më 17 maj të vitit të kaluar. Prokurorja e Krimeve të Rënda është shoqëruar së bashku me bashkëshortin e saj në komisariatin numër 2, edhe pse Krenar Ahmeti ishte në dijeni që ajo ishte prokurore dhe nuk mund ta shoqëronte.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›