Protesta, zhgënjim për të dyja palët
Opozita e Edi Ramës dje s’bëri dot protestë, s’paraqiti asnjë alternativë dhe me mungesën e perspektivës ka shkatërruar njëherë e mirë shpresat e ithtarëve të PS-së, se me tubime të tilla do të mund të arrihej një rezultat politik. Por bllokimi i djeshëm i trafikut ka sjellë edhe zhgënjimin e mazhorancës së Sali Berishës, e cila, e mësuar të mbledhë shpeshherë 60-70 mijë në sheshet e Shqipërisë, ka besuar se 3 ditët e protestës do të ishin ditët e forcës dhe dialogut politik dhe jo ditët e tij të fundit si kryetar legjitim i PS-së
Megjithë mobilizimin e makinës propagandistike të socialistëve, protesta e 20 nëntorit ka zhgënjyer dje të dyja palët, qoftë organizatorët e Edvinit, qoftë vëzhguesit e mazhorancës së djathë. Vlerësimet më të besueshme folën për jo më shumë se 5 mijë protestues të opozitës majtiste dhe për prani të fortë të xhaketave të vjetra që bllokojnë trafikun, kurse media ndërkombëtare – konkretisht "Earth Times" - foli vetëm për 3 mijë protestues. Shifra më e çmendur u publikua në fakt nga Erion Braçe, i cili nga pika ku i shikonte protestuesit, tha se i ishin dukur si qenë 100 mijë, por deklarimet e mbrëmjes të Edvinit qenë fort më tepër pesimiste. Duke ndjerë se pritshmëritë kishin qenë shumë më të mëdha, ai lëshoi gënjeshtrën e radhës, duke deklaruar se të dielën do të ishin më shumë e se tubimi i asaj dite do të ishte edhe më kryesori, por qysh tani u kuptua se zhgënjimi i socialistëve kishte qenë i madh. Asnjë incident nuk ndodhi, asnjë pengesë nuk u krijua nga administrata shtetërore, mediat patën një vëmendje të pashoqe, por gjithçka degjeneroi në një tubim pa axhendë politike, në një tubim pa fillim e pa fund, veç nëse do të paramendojmë se në përfundim të 3 ditëve të paloprotestës do të vinte edhe dorëeheqja e merituar e Edi Ramës. Opozita s’bëri dot protestë e as paraqiti alternativë. Tubimi nuk shërbeu as për të çelnikosur radhët e opozitës e as për të shtuar entuziazmin e pjesëmarrësve. Fjala më e dëgjuar nga mbërmja në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ishte ofshama: “po ç’duam ne këtu”, por fort e përhapur ishte edhe ofshama tjetër “mirë të na bëhet ne që ndjekim prapa dikë që s’di se ku po shkon”.
Por zhgënjimi nuk ishte veç në kampin e Edi Ramës, Erion Velisë, Spartak Ngjelës apo xhaketave të vjetra që u bëjnë fresk të lartpërmendurve.
Nga pritshmëria e opozitës, nga situata e rëndë politike, nga mungesa e dialogut apo edhe nga dëshira për të parë një stabilizim të parlamentit, edhe mazhoranca pati shpresa se protesta e 20 nëntorit do të sillte artikulimin e munguar të alternativës. Mazhoranca e Sali Berishës, e cila është mësuar të mbledhë 50-70 mijë veta në shesh në çdo aksion politik, edhe në momentet më të vështira, u zhgënjye fort nga pjesëmarrja dhe karakteri “trash” i tyre, megjithatë u besua në fillim se përveç pjesëmarrjes, ligjërimi politik do të sillte edhe alternativën e munguar.
Por asgjë s’ndodhi, ligjërimi qe i mbushur me dëshpërim, me një dhunë verbale të paprecedentë dhe me një hipotekë se me Edi Ramën në krye, s’do të ketë asnjë alternativë politike prej së cilës do të dalë dialogu dhe do të mund të përshpejtohet disi ritmi i integrimit.
Sa për kronikë, mund të themi se protesta është hapur me fjalimin e xhaketës së vjetër Gramoz Ruçi i cili ka bërë thirrje për hapjen e kutive. Simboli i dështimit politik me 28 qershor, kryetari në detyrë i PBDNJ-së, Vangjel Dule, e ka marrë fjalën në podium i dyti, duke kërkuar një rikonfigurim politik, me shpresë se në të ardhmen, situata do të ishte më e mirë për të.
Kurse Edvini, nga dëshpërimi ka shtuar dozën e frazave antiligjore, duke shpallur se synon që përmes Ligjit të Forcës të përmbushë edhe dëshirën e tij irracionale për ardhjen në pushtet. Në një shesh me mitingashë, numri i të cilëve ishte dukshëm larg shpresave të tij, Edvini s’u kursye në dozat e frazave të dhunshme. “Futja e opozitës në Parlament në Kuvend në kushtet e rënda të demokracisë, do të ishte mbyllja pa kushte e një problemi që jo vetëm nuk do të zgjidhet por do të rishfaqet në të ardhmen”, theksoi Rama. “Shkurt dhe troç, në qoftë se kutitë do të mbahen të mbyllura, ne do të përdorim forcën për largimin e qeverisë deri në zgjedhje të parakohshme. Do të përdorim një të drejtë që nuk na e ndalon dot askush” theksoi Rama. “Faktet, provat dhe dëshmitë e ulën Shqipërinë në rangjet e vendeve më të korruptuara të botës. Berisha nuk po qeveris në respekt ëe kushtetutës, ligjit dhe barazisë, Berisha po sundon duke thyer ligjin e duke shkelur Kushtetutën për qëllime aspak të fshehura fitimi”, tha ai. Fraza edhe më të paarsyeshme kanë regjistruar Namik Dokle, Spartak Ngjela e Erion Veliaj, dhunë verbale që gjithsesi mund të ketë kuptim për shkak të profilit të tyre të ulët politik.