E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lezhë, 14 vjeçari plagos me pistoletë bashkëmoshatarin

Një 14- vjeçar në qytetin e Lezhës është plagosur me armë nga bashkëmoshatari i tij. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në një klasë të shkollës 9- vjeçare Kosova gjatë pushimit të madh, ku dy të miturit kanë qenë së bashku. Burime nga vendi i ngjarjes bënë të ditur se njëri prej djemve ka nxjerrë armën që kishte me vete dhe ka goditur mbi shokun e tij, Mario Markaj në zonën e barkut. E shtëna ka alarmuar mësuesit dhe nxënësit e tjerë, të cilët kanë hyrë menjëherë në klasë dhe kanë gjetur aty dy djemtë, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë. Menjëherë i mituri i plagosur me armë është dërguar në drejtim të spitalit Ushtarak të Tiranës, ndërsa 14- vjeçari tjetër ka qenë mjaft i tronditur duke mos arritur të shpjegojë se çfarë kishte ndodhur. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Lezhës, ngjarja ka ndodhur pa dashje, ndërsa mbetet i pashpjegueshëm fakti se në cilat rrethana njëri prej djemve kishte poseduar një armë zjarri dhe e mbante atë me vete në shkollë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›