Lezhë/ 28-vjeçari kapet në makinë me rreth 48.5 kg kanabis gati për shitje

Një 28-vjeçar ka rënë në pranga të policisë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Në makinën e 28-vjeçarit policia gjeti rreth 48.5 kilogramë lëndë narkotike kanabis, e ndarë në 12 paketime, gati për shitje.
E. Q., 28 vjeç, banues në Ungrej, Lezhë u arrestua në lagjen “Gurra”, në qytetin e Lezhës.
“Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin që drejtonte 28-vjeçari, shërbimet e Policisë gjetën 12 paketime me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, me peshë totale rreth 48.5 kilogramë. Nga veprimet hetimore dyshohet se lënda narkotike po transportohej me qëllim shitjen”, njofton policia.
Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe celularin e të arrestuarit.
Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të përfshirë në të.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
/rtsh.al/