E Diel, 1 Nëntor 2026

Mashtruesit i vodhën biznesmenit100 mijë euro

Prokurori dërgon për gjykim dy persona të denoncuar për mashtrimin e një tregtari për një leje ndërtimi

TIRANË- Prokuroria e kryeqytetit përfundoi fazën hetimore dhe dorëzoi pranë togave të zeza dosjen penale në ngarkim të të pandehurve Aleksandër Jorgoni dhe Aletin Dervishi, të akuzuar për veprën penale të "mashtrimit të kryer në bashkëpunim" në dëm të një biznesmeni elbasanlli.

Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës dhe Gjykatës së Shkallës së Parë, ku kancelaria e institucionit të fundit, me ndihmën e shortit elektronik, ka caktuar gjyqtaren Shefkije Demiraj për gjykimin e kësaj dosjeje. Sipas kërkesës për gjykim që mban nr. 906 dhe është regjistruar pranë togave të zeza, me datë 1 shkurt 2010, të pandehurit Aleksandër Jorgoni dhe Aletin Dervishi kanë kryer veprën penale të "Mashtrimit të kryer në bashkëpunim".

Mësohet se i pandehuri Dervishi është arrestuar më 20 nëntor të vitit të kaluar ndërsa Jorgoni është shpallur në kërkim pas denoncimit të biznesmenit elbasanlli me inicialet E.Z. i cili ka dëshmuar se dy të pandehurit e kanë mashtruar duke ia marrë 100 mijë euro si "shpërblim" për t'i siguruar një leje ndërtimi në një zonë ushtarake në kryeqytet.

"I pandehuri Aletin Dervishi dhe Aleksandër Jorgoni i kanë marrë shumën prej 100 mijë eurove biznesmenit E.Z., me pretendimin që do të paguanin një person në Ministrinë e Mbrojtjes për të kryer tjetërsimin e truallit nga ushtria në favor të biznesmenit.

Duke parë se dy të pandehurit nuk po i siguronin lejen e ndërtimit, biznesmeni është bindur se e gjitha kjo ishte një lojë mashtrimi i dy të pandehurve të cilët i ishin prezantuar si juristë.

Këta të fundit, pasi i kanë marrë lekët janë zhdukur për një periudhë kohore dhe më pas i janë justifikuar biznesmenit se personi që do të mundësonte të kryente tjetërsimin e truallit ishte larguar nga detyra në Ministrinë e Mbrojtjes në valën e shkarkimeve dhe ndryshimeve që përfshinë këtë dikaster pas shpërthimit të fabrikës së demontimit në Gërdec"-thuhet nga akuza.

Pas këtij lajmi dhe mos kthimit të parave, biznesmeni i është drejtuar policisë dhe organit të akuzës duke i kallëzuar penalisht, për të cilët policia me urdhër të prokurorisë ka kryer arrestimin e Dervishit ndërsa Jorgoni është shpallur në kërkim.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›