Prostituta drejt Kosovës për të festuar pavarësinë
03/02/2010 Prangoset në Morinë Përparim Kaçi. Tentoi të trafikonte dy vajza në Kosovë
TIRANE- Një person është vënë pas hekurave të policisë, pasi rezulton se për disa muaj me radhë ai ka shfrytëzuar si prostituta dy adoleshente në Tiranë. Përparim Kaçi i strehonte shtetaset me inicialet E. S. 18 vjeç dhe M. M. 22 vjeç në hotele të ndryshme të kryeqytet, ku aty ato prisnin klientë për të kryer marrëdhënie seksuale, kundrejt shumave të parëve, që zakonisht varionin 50 deri në 70 mijë lekë të vjetra. Mirëpo duke qenë se “biznesi” në kryeqytet kishte rënë ndjeshëm, 41-vjeçari ka vendosur që dy shtetaset e sipërcituara t’i trafikojë në Kosovë, vend në të cilin kishte marrë garanci nga disa persona se do i siguronin ambiente për të strehuar 18-vjeçaren E. S. dhe 22-vjeçaren M. M. Ofertës së tyre Përparim Kaçi i ka dhënë “ok”, ku ditën e djeshme së bashku me dy vajzat që i shfrytëzonte si prostituta, është nisur në drejtim të doganës së Morinës në qytetin e Kukësit. Nga informacionet e mbledhura është arritur të provohet se destinacioni i tyre ka qenë Prishtina. Autori kishte planifikuar që për festën e dy vjetorit të pavarësisë së Kosovës, të siguronte më shumë para, nëpërmjet marrëdhënieve seksuale që do kryenin dy vajzat me shtetasit kosovarë, që dalin në rrugë për të festuar ditëlindjen e kombit të tyre. Lidhur me lëvizjet dhe planet e 41-vjeçarit Kaçi, ishin vënë në dijeni edhe nga agjentët e policisë së Tiranës, të cilët në bashkëpunim me kolegët e tyre në policinë e Kukësit, kanë organizuar operacionin e koduar “Tërthorja”, ku në pranga ka rënë shtetasi Përparim Kaçi nga fshati Domje i Tiranës. Gjatë operacionit në komisariat janë shoqëruar edhe dy të dëmtuarat, të cilat kanë deklaruar përpara oficerëve se 41-vjeçari Kaçi do t’i trafikonte në Kosovë, vend në të cilin ato do të kryenin rolin e prostitutës. Ndërkohë që veç këtyre deklarimeve organi i akuzës ka administruar në dosje një sërë provash që tregojnë aktivitetin kriminal dhe faktojnë rolin e tutorit, që Kaçi ushtronte ndaj dy adoleshenteve. Vetë i akuzuari nuk ka pranuar të ketë lidhje me trafikun e femrave, duke pohuar se në Kosovë ai do të largohej me ftesë që vajzat i kishin bërë atij. Mirëpo kësaj dëshmie nuk i kanë besuar oficerët e policisë, të cilët kanë vendosur që të transportojnë 41-vjeçarin Kaçi në ambientet e burgut 313, ku pritet që së shpejti ai të dalë në gjykatë për t’u njohur me masën e sigurisë.
Precedenti në Kombinat
Katër ditë më parë një tjetër shtetas është arrestuar për akuzën e prostitucionit. Ai quhet Agim Imeri, 46 vjeç, nga Kukësi, por ndalimi i tij është kryer në zonën e Kombinatit në Tiranë. Mësohet se ky shtetas në muajin gusht 2009 ka trafikuar për qëllime prostitucioni një 23-vjeçare nga Tirana, nëpërmjet Malit të Zi, Kroacisë, Sllovenisë me destinacion Italinë. Hetimet për kapjen e tij janë shtrirë përgjatë 3 muajve, ndërsa nisen me denoncimin në polici të vajzës që ai e shfrytëzoi përreth 4 muaj në Udine të Italisë.