“Vangjeli” rrezikon të mbetet në burg
03/02/2010 Prokuroria: Muça na tha gjithçka për fabrikën e Gërdecit
“I pari, që ka treguar për të mitur në fabrikë”
TIRANE- Veiz Muça, ish-brigadieri në fabrikën e Gërdecit, rrezikon të qëndrojë në burg, pasi për të Prokuroria e Tiranës gjatë masës së sigurisë që do të zhvillohet së shpejti në gjykatë, pritet të kërkojë masën ekstreme atë të “arrestit në burg”. Sipas akuzës kryeqytetase, Muça është dëshmitari i parë që ka dhënë deklarime lidhur me shpërthimin e fuqishëm të 15 marsit 2008 në fshatin Gërdec të Vorës. Pikërisht në këtë datë, “Vangjeli” siç njihej nga punëtorët e fabrikës, është marrë në pyetje nga anëtarët e grupit hetimor të ngritur me shpejtësi nga Prokuroria e Tiranës. Duke mos pasur kushte të përshtatshme për marrjen e deklarimeve të tij, Prokuroria ka kërkuar që Veizi të pyetet në njërën prej zyrave në Bashkinë e Vorës. Përpara prokurorëve, ish-brigadieri i fabrikës së demontimit të municioneve, ka dhënë informacione të sakta, që kishin të bënin me numrin e saktë të punonjësve që ndodheshin në fabrikë, sasinë e barutit të grumbulluar si dhe numrin e predhave të pademontuara. Gjatë deklarimeve të tij, Veiz Muça i ka thënë prokurorëve se në fabrikë punonin edhe fëmijë. Mirëpo një gjë të tillë ai e ka mohuar në gjykatë, çka ka sjellë edhe reagimin e prokurorëve, të cilët kanë kërkuar menjëherë arrestimin e tij në sallën e gjyqit. Prokurorët thanë se Muça, është dëshmitari i parë që ka deklaruar për çështjen “Gërdeci”, nga i cili u hodhën idetë e para lidhur me funksionimin e punës në fabrikë, pasi realisht në ato momente hetuesit nuk mund të hynin në zonë e shpërthimit. Procesi gjyqësor ndaj 29 të pandehurve të dosjes “Gërdeci”, vazhdon me deklarimet e dëshmitarëve dhe punëtorëve të fabrikës. Nga shpërthimi i saj në vitin 2008 humbën jetën 26 persona si dhe u plagosën 300 të tjerë.