E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji antimafia, riorganizim sektorit të sekuestrimeve

03/02/2010  Do shtohen edhe 2 prokurorë
TIRANE- Hyrja në fuqi e ligjit të ri antimafia, ka detyruar Prokurorinë e Përgjithshme të fillojë punën për hartimin e disa akteve normative, me qëllim riorganizimin e strukturës së sektorit të sekuestrimeve dhe konfiskimeve që ndodhet pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Një gjë e tillë bëhet me dije pranë akuzës qendrore, të cilat pohuan se po shikojnë mundësinë që në ditët në vazhdim të shtojnë numrin e prokurorëve, pranë këtij sektorit. Shkak i kësaj është bërë analizimi se në ditët e ardhshme në këtë zyrë do të ketë shumë çështje për t’u gjykuar, dhe për pasojë duhet me shumë specialistë për të përfaqësuar akuzën në gjykatë. Burimet theksuan se aktualisht po diskutohet që zyrës së sekuestrimeve dhe konfiskimeve t’i shtohen edhe dy emra të tjerë, të cilët është rënë dakord që të jenë nga radhët e trupës së prokurorëve që shërbejnë tek Krimet e Rënda. Për riorganizimin e kësaj strukture janë mobilizuar specialistë nga Prokuroria e Përgjithshme, drejtuesit e Krimeve të Rënda, si dhe përfaqësues të komunitet ndërkombëtar që japin asistencën e tyre në drejtësinë shqiptare. Aktualisht në këtë zyrë janë duke ushtruar funksionet e tyre dy prokurorë, të cilët kanë gjykuar një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me pasurinë e eksponentëve kriminalë si Lulzim Berisha, Ilir Koçiaj, Aldo Bare e të tjerë.
Proceset në gjykim
Do shqyrtohen me ligjin e ri
Çështjet që tashmë janë duke u gjykuar për konfiskimin e pasurisë, do të jenë dosjet e para që do i nënshtrohet ligjit të ri antimafia. Mësohet se të gjitha veprimet që do kryhen në gjykatë si kërkesa për sekuestrim, konfiskim apo edhe procedura të tjera që ndiqen në seancat gjyqësore, do t’i referohen ligjit të ri. Kjo praktikë do të kryhet pasi Gjykata për Krime të Rënda, nuk mund t’i referohet më ligjit të vjetër, pasi në rast të kundërt kjo gjë do të ishte e kundërligjshme. Hetuesit thanë se ligji nuk do të zbatohet vetëm në shkallën e parë, por ai do të merret për bazë edhe në Gjykatën e Apelit dhe atë të Lartë, ku shumica e të pandehurve kryejnë ankimim.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›