Lumi që kalon përmes qytetit ka dalë nga shtrati për herë të tretë brenda 10 ditësh
Për herë të tretë brenda 10 ditësh lumi Gjanicë ka dalë nga shtrati duke shkaktuar përmbytje. Dalja nga shtrati i këtij lumi, si dhe dëmtimi i banesave, bizneseve dhe tregut të qytetit të Fierit është shpeshtuar aq shumë këtë sezon dimri sa me të drejtë të prekurit nga përmbytjet flasin për “tërbim” të Gjanicës. Ndërsa para viteve ’90-të lumi në fjalë ishte çlodhje për komunitetin, pasi përgjatë shtratit të tij ndodhej një park e lulishte, sot Gjanica përveç të qenët një nga ndotësit kryesorë të mjedisit për praninë e lartë të mbetjeve të hidrokarbureve, po shndërrohet në një rrezik real dhe burim fatkeqësish natyrore me dëme në popullatë.
Gjatë mesnatës së diel duke aguar e hëna prurjet e lumit janë shtuar dhe Gjanica ka dalë nga shtrati duke shkaktuar përmbytje. Afro 50 banesa të lagjeve “1 Maj”, “Kongresi i Përmetit” dhe “Sheq i Vogël” në Fier, rezultojnë të përmbytura. Tregu industrial ku janë përqendruar mbi 280 tregtarë ashtu, si dhe në daljet e mëparshme nga shtrati është mbuluar nga uji dhe balta. Këto të fundit kanë mbuluar të gjithë territorin e tregut në një lartësi mbi 40 centimetra. Po ashtu të dëmtuara rezultojnë edhe 36 njësi tregtimi si dyqane dhe lokale.
Shtëpitë e banuara janë më të dëmtuarat. Banorët e tyre pohojnë për “Shqip” se tashmë çdo orendi e tyre ka dalë jashtë përdorimit. “Na u shkatërruan plaçkat. E kemi të disatën herë që përmbytemi 10-ditëshin e fundit. Nuk na është tharë ende lagështira e përmbytjes së tri ditëve më parë edhe kjo e radhës na duhej”, pohon Bruna Llupi, e cila banon përgjatë shtratit të Gjanicës. Një tjetër banor i dëmtuar, Rezart Faria, thotë se: “meteorologët kanë parashikuar shira për ditët e ndërrimit të viteve. Kjo na bën tepër pesimistë, pasi kështu jashtë do ta kalojmë festën. Ne jashtë e jashtë jemi. Me sytë nga qielli dhe shpresën për të mos dalë lumi, pasi zyrtarët nuk duan t’ia dinë për ne”. Dëmet e tërbimit të Gjanicës gjatë muajit dhjetor janë të mëdha. Ndërsa autoritetet lokale “kanë ngritur duart”, duke u lutur për fonde me qëllim ndërhyrjen në rehabilitimin e këtij lumi të tërbuar. Vetëm pak ditë më parë në bashki u prezantua edhe projekti i studimit të lumit.