Prita prej 200 milionë lekësh nuk e disiplinoi dot lumin

Reshjet e ditëve të fundit kanë sjellë probleme serioze në rrethin e Beratit. Dhjetëra hektarë tokë bujqësore ndodhen nën ujë, ndërsa dhjetëra banesa janë nën rrezikun e përmbytjes.Kryetari i Bashkisë së Urës Vajgurore, Syrja Ormenaj, pohon për gazetën se reshjet e 24 orëve të fundit kanë sjellë dëme të konsiderueshme në këtë bashki. Sipas tij, megjithëse janë investuar 200 milionë lekë të vjetra për ndërtimin e murit mbajtës (pritën) në lumin Osum, reshjet e rëna ditët e fundit kanë bërë që prurjet e fundit kanë nxjerrë nga shtrati këtë lumë, duke kaluar edhe mbi murin mbajtës. Për pasojë mbi 30 ha tokë bujqësore ndodhet nën ujë, ndërsa me dhjetëra banesa nën rrezikun e përmbytjes. Kjo është e njëjta lagje që para pesë vjetësh u përmbyt nga vërshimi i lumit Osum. E njëjta situatë ka qenë dhe në Komunën Vërtop, ku edhe këtu me dhjetëra ha tokë bujqësore ndodhen nën ujë. Megjithëse këto probleme janë bërë prezentë në prefekturën e Qarkut Berat ende nuk po duket një zgjidhje konkrete.