E Diel, 1 Nëntor 2026

Portat e Vaut të Dejës mbyllen përsëri, por prurjet e Drinit mbeten të larta

Hidrocentrali i Vaut të Dejës një natë më parë ka hapur një nga portat e shkarkimit, pasi rrezikohej përmbytja e digës nga prurjet e mëdha. Për pasojë, disa fshatra në zonën e Nënshkodrës janë gjendur nën ujë nga hapja e portës së hidrocentralit. Konkretisht, mëngjesin e djeshëm disa zona në fshatrat Kuç, Bahçallëk, Vukatanë, Dajç, Bushat dhe Velipojë kanë pasur përmbytje tokash, ndërsa disa shtëpi janë përmbytur. Nga të dhënat e para mësohet se mëngjesin e djeshëm kanë qenë nën ujë rreth 100 ha dhe në 14 shtëpi uji ka hyrë brenda, ndërsa Xhamia e Plumbit që ndodhet buzë Drinit është gjendur e gjitha nën ujë. Në ambientet e brendshme të objektit të kultit mysliman, niveli i ujit ka arritur 1.5 metra. Mësohet se gjatë gjithë natës një nga portat është mbajtur hapur për të stabilizuar nivelin e ujit në digë, pasi prurjet e mëdha kishin bërë që diga të ishte vetëm gjysmë metri larg pikës kritike dhe përmbytjes.
Nisur nga kjo situatë, shtabi i emergjencës civile në Qarkun e Shkodrës ka dhënë alarmin, duke njoftuar të gjithë banorët e fshatrave që ndodhen përgjatë lumit Drin se do ketë hapje të portës dhe mund të ketë edhe përmbytje. Pas këtij alarmi, banorët e zonave në fjalë, nga frika e përmbytjeve kanë qëndruar përgjatë gjithë natës zgjuar nga frika se mos niveli i ujit rritet duke i zënë në gjumë. Kjo situatë u rikthen në memorie këtyre banorëve vitin 2002, kur mbi 3 mijë hektarë tokë dhe mbi 300 banesa u përmbytën në atë masë sa u bënë të pabanueshme vetëm nga hapja e portave të hidrocentralit, pasi rrezikohej diga nga përmbytja, për shkak të prurjeve të mëdha. Por, për fat të mirë, ndërprerja e reshjeve të shiut gjatë ditës së djeshme ka bërë që niveli në digë të ulet dhe për pasojë edhe porta e shkarkimit të mbyllet pjesërisht. Aktualisht, në hidrocentralin e Vaut të Dejës ndodhet fare pak e hapur njëra nga portat, por shkarkimi i ujit nga kjo portë nuk rrezikon përmbytje. Aktualisht në Qarkun e Shkodrës nuk ka reshje shiu dhe ky është një lajm i mirë për banorët e zonave të Nënshkodrës, të cilët të paktën për momentin nuk kanë pse të frikësohen nga përmbytjet.
Ndërkaq, situata në zonat e përmbytura nga hapja e portave ka nisur të normalizohet. Niveli i uji sa vjen dhe pakësohet. Për të parë situatën nga afër ka qenë në Shkodër në zonat problematike shefi i emergjencave civile, Alfred Olli, i cili në një komunikim me mediat është shprehur se “tashmë gjendja nuk është aq alarmante. Shtabi i emergjencave civile dhe Forcave të Armatosura është në gatishmëri të plotë. është marrë një plan masash për evakuimin e mundshëm të banorëve, në rast se situata do të përkeqësohet gjatë ditëve në vijim”, ka pohuar Olli. Ndërkohë që Maxhid Cungu, prefekti i Shkodrës, ka pohuar se “edhe vite më parë ka pasur sasi të njëjta reshjesh dhe prurjesh nga lumenjtë dhe ka pasur përmbytje shumë të mëdha. Ndërsa sivjet, për shkak të investimeve që janë bërë në diga, kemi një gjendje normale”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›