E Diel, 1 Nëntor 2026

Lezhë, arrestohen dy vëllezërit, morën peng 4 vetë të një familjeje

Dy vëllezërit kishin shkuar në familjen nga Mirdita për të gjetur motrën e tyre, e cila ishte larguar nga shtëpia. Në shenjë revolte, kanë marrë peng gjithë familjen

LEZHË Vëllezërit Ndoc dhe Vladimir Gjoka nga Shëngjini i Lezhës, janë vënë në kërkim të motrës së tyre, pasi kjo e fundit ishte larguar nga shtëpia, pasi kishte prishur një fejesë më parë. Ajo kishte ikur me pretendimin se do të martohej me një nga djemtë e një familjeje nga Mirdita. Kaq ka mjaftuar që dy vëllezërit së bashku me kushëririn e tyre të nisen në kërkim të motrës së “zhdukur”. Por kur kanë shkuar te familja dhe nuk e kanë gjetur të motrën, atëherë ata kanë marrë peng gjithë familjen në mënyrë që ata t’u pohonin se ku ndodhej vajza. Ndërhyrja e policisë ka bërë të mundur lirimin e pengjeve dhe arrestimin e autorëve.

Ngjarja

Policia e Lezhës ka arrestuar në dje në orën 05.00, 29-vjeçarin Ndoc Gjoka dhe 23-vjeçarin Vladimir Gjoka, vëllezër, me banim në Ishull-Lezhë, Komuna Shëngjin të rrethit Lezhë, si dhe 24-vjeçarin Petrit Brunga, me banim në fshatin Krajën, të Komunës Blinisht të rrethit Lezhë. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Lezhës, arrestimi i tyre është kryer në fshatin Kalurë të rrethit të Lezhës, rreth orës 19.30 të dy ditëve më parë. Sipas burimeve zyrtare të policisë, të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë shkuar dhe kanë hyrë në banesën e L.P. në fshatin Shëngjergj të Komunës Kaçinar, me dhunë. duke përdorur armën e gjuetisë, kanë kanosur katër pjesëtaret e familjes L.P. dhe më pas po nën kërcënimin e armës, i kanë futur të gjithë pjesëtarët e familjes në automjetin e tyre e janë nisur për në drejtim të Lezhës. Policia e Mirditës me të marrë njoftimin, në rrugë operative ka njoftuar homologët e saj në Lezhë dhe janë nisur në drejtim të vendit të ngjarjes. Në bazë të të dhënave policia ka nisur dhe bllokimin e rrugëve hyrëse e dalëse me fshatin Shëngjergj, duke izoluar pengmarrësit së bashku me pengjet dhe shumë shpejt ka përcaktuar edhe vendndodhjen e autorëve dhe të itinerarit të lëvizjes së tyre, çka ka çuar në kapjen dhe arrestimin në flagrancë të vëllezërve Ndoc e Vladimir Gjokës si dhe kushëririt të tyre Petrit Brungës, në fshatin Kalur të rrethit Lezhë”.

Motivi

Në momentin e arrestimit tre të rinjtë nuk kanë bërë asnjë rezistencë, ndërsa, sipas policisë, asnjëri nga pjesëtarët e familjes L.P. nuk ishte lënduar nga ana e pengmarrësve. Policia sekuestroi nën cilësinë e provave materiale, një automjet tip “Tojota” me ngjyrë gri me targa LE-65-89-A në pronësi të të arrestuarit Ndoc Gjoka, një armë gjuetie e prodhimit rus. Ndërsa gjatë marrjes në pyetje policia e Lezhës ka mësuar edhe shkaqet e marrjes peng të katër të pjesëtarëve të familjes L.P. Sipas hetimeve të policisë, mësohet se shkak i pengmarrjes së familjes së L.P. ka qenë një gënjeshtër që u ka bërë motra e tyre dy vëllezërve Gjoka. Sipas dëshmisë së të arrestuarve, motra e vëllezërve Gjoka është zhdukur nga banesa e saj nga Shëngjini që me 3 korrik të këtij viti, pasi kishte prishur fejesën me të fejuarin e saj. Ajo u kishte thënë vëllezërve se do shkonte në fshatin Shëngjergj të Mirditës, për t’u martuar me njërin nga djemtë e familjes L.P. Vëllezërit Gjoka së bashku me kushëririn e tyre, pasi kanë mbërritur në banesën e familjes L.P. dhe nuk kanë gjetur motrën e tyre, janë irrituar dhe kanë marrë peng familjarët, duke dyshuar se ata i mashtronin. Policia është vënë në kërkim të motrës së të arrestuarve, ndërsa për tre të arrestuarit ka ngritur akuzën për veprën penale të “Kanosjes”, “Heqjes së paligjshme të lirisë”, “Dhunimit të banesës”, “Mbajtje pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, e kryer në bashkëpunim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›