E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekuestrohen 50 kg marihuanë, ndalohen tre transportuesit

Përmet Strukturat e Policisë së Shtetit në Qarkun e Gjirokastrës, vijojnë goditjen e tentativave për trafikimin e ngarkesave me lëndë narkotike, në drejtim të zonave të tjera të vendit apo Greqisë fqinje. Së fundi, gjatë një operacioni antidrogë në qytetin e Këlcyrës, efektivat e policisë kanë bllokuar rreth 50 kilogram marihuana, e cila kishte si destinacion shtetin grek, si dhe kanë ndaluar tri personat e dyshuar si transportues të saj. Sipas burimeve zyrtare, në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, rreth orës 01:00 të së mërkurës, në hyrje të qytetit të Këlcyrës, Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Përmet, gjatë një kontrolli të befasishëm të ushtruar mbi dy automjete që lëviznin me shpejtësi në drejtim të Përmetit, ka konstatuar një sasi lënde narkotike.

“Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip BMV, me targa TR 05 30 N, që drejtohej nga 27-vjeçari Renato Kadilli, nga Pogradeci, në sediljen e pasme konstatuam dy çanta të mëdha shpine të mbushura me pako të mëdha, brenda të cilave kishte lëndë narkotike”, thonë agjentët policorë pjesëmarrës në këtë operacion. Gjithashtu, kontrollit të Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Përmet, i është nënshtruar edhe automjeti tip BMV me targa fallco UENDIK, që drejtohej nga 26- vjeçari, Enea Kadilli, po nga Pogradeci. Ky mjet po shoqëronte makinën në të cilën policia lokale zbuloi sasinë e marihuanës. Madje gjatë kontrollit, policia ka ndeshur në kundërshtimin e drejtuesit të mjetit. “Duke tentuar të pengonte kontrollin tonë, ai na kundërshtoi me dhunë”, thonë burimet policore. Gjatë veprimeve të tyre efektivat e policisë kanë shoqëruar të dy drejtuesit e mjeteve, vëllezërit Renato dhe Enea Kadilli, si dhe bashkëqytetarin e tyre Jorgo Oshafi, 33 vjeç, i cili udhëtonte si pasagjer në automjet.

Gjatë vazhdimit të kontrollit, specialistët e antidrogës zbuluan se në njërën prej çantave kishte 6 pako të mëdha dhe në çantën tjetër kishte 9 pako të mbështjella me letër natriban, me peshë të ndryshme, që varionin nga 2 deri në 4 kilogramë secila. Në total, në të dyja çantat transportoheshin rreth 50 kilogramë marihuanë. Nga veprimet e para hetimore, të kryera nga ana e Specialistëve të Sektorit Kundër Narkotikëve rezultoi se, tre të ndaluarit e kishin marrë lëndën narkotike në Shqipërinë e Mesme dhe do ta transportonin nëpërmjet kufirit jeshil, në zonën e Leskovikut, në drejtim të Greqisë. Mbi tre të ndaluarit rëndon akuza për veprën penale “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim”. Bledar Shehu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›